Policia ka arrestuar në Tiranë 33-vjeçarin me iniciale A.Ç pasi ishte i shpallur në kërkim për ‘trafikim të personave të rritur’. Sipas Policisë 33-vjeçari së bashku me 3 persona të tjerë, nëpërmjet përdorimit të dhunës, ka detyruar me dhunë një qytetare që të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ndaj 33-vjeçari ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të operacionit policor të koduar “Return” vihet në pranga një tjetër shtetas.

Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikim i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim.

Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar , është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:

– A. Ç., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, më 01.11.2019, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, më datë 06.10.2019, së bashku me 3 shtetas të tjerë,

nëpërmjet përdorimit të dhunës, ka detyruar me dhunë një shtetase që të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali, duke e organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.