Një ngjarje e rëndë është regjistruar pak orë më parë, kur dy shqiptarë nga Kosova teksa po udhëtonin nga Bari në Shqipëri, u konstatuan nga policia se kishin në bagazhin e makinës së tyre kufomën e një të afërmi.

Siç shkruajnë mediat italiane, makina do të imbarkohej në tragetin e linjës Bari-Shqipëri, por kur policët kanë parë diçka të dyshimtë në bagazhin e makinës, kanë nisur menjëherë kontrollet e imtësishme, ku edhe kanë konstatuar faktin e rëndë se në bagazh të automjetit gjendej një trup i pajetë. Pas verifikimeve rezultoi se ata po përpiqeshin ta transportonin të afërmin e tyre në vendin e origjinës, ku edhe do të varrosej.

Mësohet se i ndjeri, kishte ndërruar jetë nga shkaqe natyrale, çka u konfirmua edhe zyrtarisht nga ekspertiza mjeko-ligjore, por detaji që e bën më shokuese ngjarjen është fakti se trupi ishte mbështjellë me çarçaf ishte futur brenda një kutie për t'u vendosur më pas në bagazh.

Mendohet, se një nga arsyet e mundshme që mund t'i ketë shtyrë dy shqiptarët nga Kosova që të ndërmerrnin këtë akt, është pikërisht ideja për të shmangur procedurat doganore për kthimin në atdhe të një individi të pajetë, që siç dihet ka një faturë shumë të shtrenjtë pas.