Të thjeshtat, të padorëzuarat, të heshturat, heroinat që i bëjnë ballë varfërisë dhe mendësisë e falsitetit të paskrupullt të luksit të grave në media e në politikë. Dilora, gruaja me vullnetin e hekurt, me sakrificën, vetëmohimin, lodhjen e fizikut dhe vërtetësinë e një shpirti të patrazuar nga asgjë, përveçse nga varfëria.
Vajza shqiptare me dorën në zemër, që nuk rend pas artificialitetit, por e ndërton jetën rreth vlerave që i burojnë në shpirt. Me zemrën në dorë dhe karakterin që të lë pa fjalë.
Në CV-në e saj nuk do gjeni fjalë të mëdha të tipit: “Aftësi të vërtetueshme organizative”, apo “E shkëlqyer për punën në ekip”. Nuk do gjeni as furça për konferenca jashtë shtetit, ku të ketë shkuar për shopping e për të postuar në Facebook, më shumë sesa të ketë marrë pjesë reale në konferencë a aktivitet. Nuk do gjeni as dashuri të pakufi për veten e të rreshtojë aftësitë në çdo fushë të jetës: E saktë, e përpiktë, manaxhere, koordinatore, drejtoreshë, çudia e shekullit me sukses në çdo projekt, e mashtrime të ngjashme.
Madje, Dilora nuk ka fare CV. Jo se nuk e di çfarë është. Të gjitha rreshtat që paria e luksit shqiptar shkruan në CV, Dilora i aplikon çdo ditë në jetë, në luftën e hapur për të.
Aftësi të vërtetueshme organizative? Patjetër! Si të ngrohësh një shtëpi që i hyn e i del ajri nga të gjitha anët? Si të bllokosh xhamat e thyer kur nuk ke lekë as për një grusht miell, e jo më për xhama? Po, e zemë me dërrasa të gjetura hedhur diku, vendosim edhe ca rroba të vjetra, e aty ku akoma fryn se ka vrima të vogla, e zemë me ca brumë. Miell me ujë.
Bo bo, shiu i mallkuar, e zbuti brumin dhe e hapi prapë vrimën. Edhe një herë acari brenda. Si ta pushoj të voglën? Nuk i pushon barku sonte. Ujë e pece të njoma. Deri nesër sa të zbardhë nuk kam ku ta çoj. Telefoni nuk ka lekë. Cili telefon? Edhe valë mezi. Mirë, sot kam bërë një grusht fasule nga ato të vjetshmet. Po t’u hedh edhe pakëz ujë këtyre që kanë ngelur nga dreka, do na dalin edhe për darkë. Ta kisha futur brenda kanën me ujë. Kaloi ora 8.00. Sonte do e ve vajzën këtu afër zjarrit. Do më fiket shpejt i bekuari. Për nesër në mëngjes nuk ka qumësht. Ç’e gjeti të shkretën Larë? Nuk nxirrte që nuk nxirrte asnjë pikë nga të ftohtët. Ç’t’u jap nesër në mëngjes? Lakrave që mblodha sot, po iu hedh një grusht të vogël miell misri. Ka për ta nxjerrë të shijshme trazoren.
….Nuk u bë gjë as për punën me ujësjelljësin. Nesër do dalim para dritës të çojmë te rruga nacionale kallamoq të zier. Mund të ndalin makinat për të blerë.
Ç’është kjo puna në ekip? Duhe të jetë si manovrat që bëj unë këtu me fëmijët. Askush nuk rri duarkryq. Kur afrojmë drutë brenda, ata e dinë që duhet të sjellin ato që arrijnë të ngrenë, por jo të ulen e të shohin mua. Kur i buzëqesh vajzës sa herë më sjell fshesën, vrapon edhe djali e më afron kovat që duhet të mbush me ujë. I dinë secili punët e veta. Kur u flas në emër, e kuptojnë menjëherë për cilën detyrë e kam fjalën. Nuk ma bëjnë fjalën dy.
Kjo do të thotë që paskam aftësi të mira manaxhimi? Mirë më duket se shkojnë punët. Vetëm se tavani po na shembet mbi kokë. Si ta rregulloj murin e guzhinës? Ftohtë për djalin ta le shumë gjatë jashtë me bagëtinë. Por duhet të rrijë. E kupton ai që është detyra e vet.
A nuk qan djali të më kërkojë tablet? Nuk e di këtë, di që qan kur ka ftohtë. Por jo prej të ftohtit, më shumë sesa prej inatit që edhe pse ai mundohet, Lara nuk gjen dot bar të mirë që të prodhojë qumësht. Fëmijë. Aq mundet. Nuk ikën dot shumë larg.
Po unë? Po im shoq? Eshtë i duruar në punë. Nuk e bën fjalën dy. Nuk përton për të marrë lopatën, mistrinë, cekicin. Po nuk ndërton kush. Ka rënë puna. Jemi larg. Do ishte mirë të zhvendoseshim më afër qendrave. Po akoma nuk kemi as një xham për dritaren, jo më për të përballuar një shtëpi tjetërkund.
Nuk e di cfarë është ulja. Jo, nuk ulem dot gjatë ditës. Në verë kopshtanaja më mban pas. Bëj domate shumë të mira. Edhe lakrat. Me turshitë e tyre mbahemi ndopak sot. A e dini cfarë janë turshitë? Janë vërtet të shijshme.
Kurse tani në dimër sa nga një cep i shtëpisë në tjetrin, mundohemi të rregullojmë ndonjë gur, të hapim ndonjë metër tokë, të ushqej bagëtinë, të kujdesem për to. E kanë larg ushqimin. Shkojmë ua marrim vetë.
I koordinoj mirë? Nuk e di për Zotin. Di vetëm se duhet çuar përditë sa feks drita, se përndryshe të ze dita përmbys. Vetë i kam thurur kapuçat e fëmijëve. Edhe dorezat. Ja këtu në darkë, pa drita, kur mblidhemi.
Nuk jemi keq për rrobat. Gjenden. Na sjellin ndonjëherë. Por nuk po zgjidhet dot kjo punë.
Nuk kemi punë. Nuk ka të ardhura. Bagëtia shikon duart e mia. Unë? Im shoq? Kë të shikojmë?
Nuk e di çfarë janë karakteristikat e mira të një CV-je. Unë bëj luftë me jetën. Pa u dorëzuar. Dua që fëmijët të dalin mirë në jetë. Të jenë të respektueshëm e të fitojnë emër të mirë. Me punë. Vetëm me punë. I jam falënderuese Zotit që m’i ka dhënë e që i kam të shëndetshëm. Edhe aktivë.
Nuk më gënjejnë kurrë. Nuk kanë teka. Luajnë me njëri-tjetrin, po na dëgjojnë edhe ne të dyve.
Në mbrëmje këtu pranë zjarrit kemi pak fjalë me Gëzimin. Por nuk zihemi. Unë disa parime të thjeshta kam: Të mos gënjej kurrë. Të mos shtirem. Të mos fsheh gjendjen. Të mos gënjej për asnjë arsye. Të respektoj gjithkënd që më vjen në shtëpi, në këto kushte që kam. Të mos e heq dorën nga puna, dimër e verë, shtatzanë në muaj të nëntë apo hiç. Kur jam mirë, jam mirë, pse të bëj lajka kot?
Dua të gjykoj drejt e të sigurohem që unë, edhe nëse nuk e ndreq dot këtë gjendje, të paktën të sillem me mendje të mbledhur që as nuk bëhem shkaktare ta prish më tej.
Për mua familja është më e rëndësishmja. Më pikon shpirti si nuk gjejmë dot punë. Për të punuar jashtë jemi gjithë ditën, por këto punë janë veç sa për ta na mbajtur gjallë.
Nuk flas për politikën. Jo gjendjen time, po as të tyren nuk e shohin dot drejt në sy. Të isha vetë politikane? Ka shumë punë Shqipëria, duhet rregulluar e sistemuar, nuk besoj se do më kishtë dalë koha, as mua, as shumëkujt tjetër të merrej me politikë. Me fjalë në erë.
Nuk e di për cfarë duhet CV-ja. Unë dua të fle përnatë e buzëqeshur nga dinjiteti dhe veprimet e mia. Për veten. Dhe patjetër, të mos i shkaktoj kujt pakënaqësi apo vuajtje me veprimet e mia.
Ndaj, pikon shtëpia. Edhe shpirti për një jetë më të mirë. Nuk e di. Jo, nuk e di përse këto mendime të miat, njerëzit si unë, të thjeshtët, punëtorët, me buzëqeshjen në fytyrë, pa syze e çanta firmato, nuk bëjnë dot përpara.
Cfarë bëj unë për Shqipërinë? Zemrën kam. E kam të pastër.
Nëse dikush më vë gishtin, është për të më thënë: Eshtë e varfër!
Por në fakt jam e paepur, mirëpres, nuk heq dorë nga puna këtu rrotull.
Jetoj me djersën e ballit, jetën time të thjeshtë. Me vetëmohim.
I do ca këllqe vetëmohimi dhe sakrifica. Sikur të kishin pak më shumë ata që na bllokojnë jetën tonë: politikanët. Nuk kam pasurinë e tyre. Nuk më njeh kush. Nuk më dëgjon kush.
Por në më njohën, përveç varfërisë, me asgjë nuk e turpëroj Shqipërinë.
A është varfëria turpi im? Nuk e besoj. Nuk e besoj….