Nga Blerti Delija
Për shkak të profesionit kam patur njohje me Saimir Rrustemin, një nga shefat e Policisë së Shkodrës. Normalisht, mund të kem shkëmbyer ndonjë përshendetje, por nuk mund të pohoj se kam njohje nga afër, shoqëri apo miqësi qoftë edhe si gazetar me një drejtues policie që na lidh terreni i lajmit të kronikës.
Por ashtu siç duhet të ndodhë, shef Saimirin siç e thërrasin shumë kolegë gazetarë, e kam njohur nga puna e tij dhe daljet e shpeshta mediatike.
Por e veçanta e tij është pozicionimi publik në rrjete sociale duke mos ndarë përgjegjësinë qytetare nga ajo e detyrës si punonjës i policisë.
Jo rrallë herë gjatë viteve të profesionit na ka ndodhur që drejtues e punonjës policie na kanë kërkuar ti lëmë jashtë fokusit të kameras. Kurse shef Saimiri e ka kërkuar vetë në shumë raste praninë e mediave, kamerave.
Kam bindjen se nuk e ka bërë për tu dukur, për të rënë në sy të eprorëve se punon. Besoj se e ka bërë për të dhënë shembullin se krimi luftohet publikisht, jo vetë me forcën e ligjit, por edhe me pozicionimin si qytetar.
Sepse është e lehtë të realizosh “8 – orëshin” si polic i shtetit pa rënë në sy dhe më pas të merresh me “biznese” të tjera, më fitmprurëse se rroga e shtetit. Unë e kolegët e mijë, mund të rreshtojmë dhjetra raste të tilla në Shkodër e më përtej.
Shef Saimiri edhe sot, në ditën e 105- vjetorit të Policisë së Shtetit përcolli mesazhin e tij. Edhe pse Shkodra u trondit nga një atentat me tritol, ai e pa të arsyeshme të shprehë mendimin e tij si rrallë ndonjë koleg i tij.
“Prandaj sot une do ul koken dhe do ju lutem duke u kerkuar ndihme. Do ul koken e tju lutem kolegeve te mi: vendosni ne cilen ane te barrikades do qendroni. Do ul koken para prokuroreve e gjyqtareve: Boll me! Vendi ka nevoje per pjesen tuaj te drejte e te ndershme!
Do ul koken e do u lutem tatimeve, doganave:
A nuk ju mjafton? Eshte edhe momenti i juaj!
Do ul koken e do u lutem bizneseve: Mos shikoni daljen nga situatat tuaja financiare duke u mbeshtetur tek parate e krimit! Ato mund t’ju favorizojne nje moment, por ai moment do jete fundi i biznesit tuaj.
Dua te ul koken e t’u lutem mesuesve tane: Ngrihuni ne nivelin qe kerkon puna juaj, edukojini te rinjte tane qe te jene te denje per te qene pjese e paster e vendit te tyre!
Do ul koken e do ju lutem institucioneve fetare: Zoti ju ka ngarkuar me nje detyre te rendesishme, te edukoni shoqerine e t’u tregoni se cila eshte rruga e drejte dhe mos harroni se do jepni llogari para tij!
Do ul koken e do i lutem te rinjve: Qendroni larg veseve, perbuzeni ate ndjenjen e krenarise per te qene pjese e grupeve kriminale te qytetit! Ne pamje te pare mund t’ua marre mendjen me pasurimin e shpejte me makinat e bukura apo krenarine per t’u dukur i forte, por ju garantoj qe kjo zgjedhje do ju shkurtoje jeten.“.
Nuk e di nëse ndonjë koleg i imi do ti kishte përcjellë më me profesionalizëm dhe më me zemër qytetare mesazhet e mësipërme që sot na i tha shef Saimiri. Sepse në fakt Saimiri flet, siç ka folur edhe më parë, si qytetar i Shkodrës, i banor i qytetit ku ka vendosur të jetojë, punojë, krijojë familje dhe të rrisë femijët.
Veç kësaj, edhe si një person që ka zgjedhur një punë jo të lehtë, atë të ruajtësit e garantuesit të jetës, sigurisë e rendit publik. Siç ndodh shpesh edhe me ne gazetarët apo njerëzit që përpiqen të japin më shumë nga vetja për publikun, edhe shef Saimiri e ka një dyshim. „Mbase jam patetik, mbase jam i dale mode, sic me thone jam kunder rryme, por dua tua perseris:
Vendi yne nuk eshte ky! Vendi yne s’mund te jete ky! Vendi yne nuk duhet te jete kurre ky!
Zoti na ndihmofte!”, përfundon mesazhi i tij në Facebook. Nuk ngelet shumë për të komentuar nga sa më sipër!
Por publikisht, mbase për herë të parë e pohoj që djem si Saimir Rrustemi i duhen Policisë së Shtetit! Është një shembull që duhet ndjekur nëse jemi në anën e të mirës, pozitives….
shkodraweb.com