Reshjet e shiut të rënë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar probleme në qarkun e Shkodrës, kryesisht në zonat malore.
Problemet kryesisht janë në dëmtimin e rrugëve dhe në mungesën e energjisë elektrike.
Njësia Shosh
Në njësinë administrative Shosh ka probleme të furnizimit me energji elektrike si pasojë e dëmtimit të shtyllave elektrike. Ka pasur shembje të gurëve gjatë rrugës Kir-Shosh, e cila vazhdon të ketë edhe dëmtime nga gërryerjet e lumenjve.
Gjithashtu paraqitet e vështirë edhe lidhja e këmbësorëve ndërmjet fshatrave si pasojë e dëmtimit të disa urave.
Njësia Guri i Zi
Ka pasur shembje në rrugën e fshatit Mazrrek në dy vende duke e bllokuar atë.
Duhet një fadromë për të mundësuar hapjen e saj dhe për vendosjen e disa tombinove në vendet ku ndërpresin përrenjtë.
Njësia Shalë
Ka probleme të furnizimit me energji elektrike për arsye të dëmtimeve të disa shtyllave dhe linjave elektrike.
Rruga eshte demtuar nga rënia e gurëve dhe gerryerjet e lumenjve. Është shembur ura këmbësore që lidh fshatin Gimaj dhe Breg-Lumi, por edhe ura të tjera të brendshme duke penguar shkuarjen e fëmijëve në shkollë.
Janë prezente ngricat dhe akulli në rrugë rreth 10 km.
Njësia Pult
Në të gjithë fshatrat e njësisë administrative Pult ka probleme të furnizimit me energji elektrike si pasojë e dëmtimeve të shtyllave e linjave elektrike. Ruga e makinës për në fshatrat Bruçaj, Xhan, Plan, Gjuraj, është bllokuar për shkak të shkarjeve të dheut dhe gurëve.
Vazhdojnë të jenë të dëmtuara disa ura të cilat lidhin fshatrat e njësisë. Raportohet sërish dëmtimi i rëndë i mullinjve për bluarjen e misrit. Problem mbetet edhe frekuentimi i shkollave nga fëmijët.
Ka pasur një shtëpi banimi e cila është shembur në fshatin Bruçaj dhe një tjetër e cila rrezikon të shembet pasi i është prishur mbulesa në fshatin Pog. Janë prezente ngricat dhe dëbora në rrugë. Vazhdon bllokimi i rrugës në disa segmente nga masivë shkëmborë të rëna në të.