Nga Nëntor Oseku
Është një fshat në zemër të alpeve, me bukuri dehëse, me veçori tipike shqiptare. Sipas albanologut, Prof. Dr. Eqrem Çabej ky emërvend është zgjerim i fjalës “vuna”, “vura”, “vu”, “vënë”, “I vutë”, “vend i vuntë”, vend i sheshtë, fushë e vogël.
Vuthaj kufizohet: Tropojën (Malësi e Gjakovës), Thethin (Dukagjin), Lëpushën (Bjeshkët e Kelmendit), Krojet e Ali Pashës me Gucinë dhe Plavën.
Popullsia e fshatit Vuthaj ka ruajtur me besnikëri edhe në ditët e sotme karakteristikat thelbësore të identitetit shqiptar.
Dhjetëvjeçarëve të fundit popullata e Vuthajve vazhdimisht ka lëvizur, qoftë në Kosovë, apo ka emigruar në SHBA dhe vende të tjera perëndimore. Shkëputja fizike e banorëve të këtij fshati vërtet ka ndodhur, por jo edhe lidhja shpirtërore me të.
Ndërtimi i mbi 300 shtëpive të reja më së miri dëshmon lidhjen e banorëve të këtij fshati me truallin e të parëve.
Mjedisi i mrekullueshëm i kësaj zone, përfshirë Syrin e Kaltër dhe burimet e Ali Pashës kanë filluar të ngjallin interesimin e turistëve.
Gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, Austria e pati hapur shkollën shqipe, ku dha mësim Josip Rela, shkrimtari i shquar i Arbëreshëve të Zarës.
Familjet më të njohura të fshatit Vuthaj janë:Ahmetaj, Bruçaj, Çelaj, Dedushaj, Goçaj, Gjonbalaj, Kukaj, Qosaj, Ulaj,Vuçetaj dhe Vukaj.
Nga ky fshat kanë dalë emra të njohur të artit dhe shkencës mbarëkombëtare, si: Akademik Rexhep Qosja, regjisori Isa Qosja, Prof. Dr. Isuf Dedushaj, Prof. Dr. Jusuf Ulaj, Prof. Dr. Halil Ahmetaj, gazetari i mirënjohur Zenun Çelaj, vëllezërit Ahmet e Bashkim Ulaj, biznesmen të njohur në Shqipëri, etj
Gjatë vizitës të fshatit Vuthaj pata kënaqësinë ta vizitoj shtëpinë e miqve të familjes sonë, Qazim dhe Vjollca Dedushaj, familje atdhetare, arsimdashëse me bujari të rrallë.
Në truallin e kësaj familje kishin mbetur ende gjurmët e kullës së vjetër, të ngritur nga kryefamiljari, Sefer Elezi Dedushaj, përkrah së cilës ishin ngritur dy kulla të reja, si dëshmi e lidhjes së fuqishme me Vuthajn.