Ndoshta, jo të gjithë e njohin si përkthimyes Dom Lazër.
Me shumë mundësi kjo ndodh për faktin se ai nuk e bëri përkthimin për famë, por për të shpëtuar vetveten nga vdekja e ngadaltë që po përjetonte nga mungesa e gjithçkasë.
E për fat të keq, kur u kthye në Atdhe, duke menduar se do të kishte atë çfarë duhej të kishte, u vra barbarisht nga ato barbarë që si thotë Primo Shllaku “të denjë për të vdekë e të padenjë për tu varrosë!”
Lazër Shantoja lindi më 2 shtator 1892 nga e ëma Luçie dhe i ati Kel Blinishti. Vëllai i tij, Luigji mbante titullin Kapiten nën xhandarmërinë e Zogut, por pas atentatit të parealizuar ndaj Zogut në Austri, ai u detyrua të largohej e të kërkonte strehim në Bukuresht të Rumanisë.
Lazri ishte shuguruar meshtar, por nuk mundi të shërbente thuajse asnjë ditë në famullinë që i caktoi Ipeshkvi i kohës, Imzot Lazër Mjeda, pasi për shkak të vëllait u cilësua “tradhtar” nga qeveria e Zogut. Këtu fillon faza e parë e torturave të tij.
Në vitin 2016, numri 2 i revistës “Hylli i Dritës” botoi korrespondencat mes Dom Lazrit dhe Imzot Mjedës. Në to, dalin qartë vuajtjet e Dom Lazrit. Asnjë shtet nuk e pranonte, pasi shteti shqiptar i kishte konfiskuar pasaportën. Lëvizi sa në Itali, Gjermani, Austri e Zvicër, ku më në fund, në skajin më të largët të Zvicrës, në një fshat me më pak se 100 banorë, i cili nuk ekzistonte as në hartë, gjeti strehim në një çelë (shtëpi ku banon prifti) krejt të rrënuar.
I vetmi ngushëllim i tij në këtë ecejake të pafund ishin librat. Në një ndër letrat e tij drejtuar Imzot Mjedës në vitin 1931, ai shkruan: I falem nderës Zotit që më ka ruejt marakun për libra, përndryshe, me mërzi që asht këtu, kisha dal mendsh kah dit…
Në çdo vend ku shkonte, gjëja e parë që bënte ishte të mësonte gjuhën e atij vendi, por dialektet nuk mundte t’i zinte dot. Për këtë i shkruan sërish Imzot Mjedës: … tuj mos ditë dialektet e përçudnume të këtyne kantoneve (katundeve)…
Përktheu pafund nga anglishtja, italishtja e gjermanishtja e shkroi edhe më shumë në gjuhën shqipe. Kur u kthye në Shqipëri, u afrua shumë me “Hyllin e Dritës”, ku botoi thuajse në çdo numër që do të dilte deri kur të mbyllej nga komunizmi. Kishte punuar e shkruar shumë gjatë viteve të mërgimit, prandaj nuk mundi të botonte gjithçka kishte në arkivin personal.
Pushteti italian e emëroi “President i Dante Aligherit në Shqipëri” duke i dhënë një gradë krejtësisht italiane si një mbështetës i tyre, mbështetje të cilën as ai vetë nuk e pati mohuar asnjëherë.
Nuk do të kishte një distancë të gjatë kohore mes mbylljes së “Hyllit të Dritës”, si porta ku Dom Lazër Shantoja shkruante dhe mbylljes së Dom Lazër Shantojës në një burg, nga ku do të përgatitej të shkonte drejt varrit që akoma edhe sot nuk i gjendet.
Sipas librit “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”, botim i Arqipeshkvisë së Shkodrës, Dom Lazër Shantoja ishte i pari meshtar që u arrestua pak ditë pas vendosjes së rregjimit e tre muaj më pas do të bëhej i pari që do të vritej, duke kaluar ndër torturat më të paimagjinueshme.
Imzot Zef Simoni në librin e tij kushtuar vuajtveve nëpër burgje ka thënë për të: “E kanë marrë në hetuesi dhe nuk besoj se kanë torturuar tjetërkënd në Shqipëri ashtu siç e kanë torturuar atë.”
Atë Giovanni Fausti do t’i shkruante Vikarit të përgjithshëm jezuit: Dom Lazër Shantoja, shkrimtar i njohur dhe orator i mirë, që ishte përzier tepër në politikë në kohën e pushtimit italian në dobi të tij dhe që në fjalimet politike kishte përdorur fjalë fyese ndaj kundërshtarëve; ai u keqtrajtua aq fort sa disa e kanë parë me trup e këmbë të fashuara.
Në akt-akuzën shkruar në datën 28.01.1945, Dom Lazër Shantoja akuzohet si “bashkëpunëtor i ngushtë i armiqve të rregjimit, si fashist i ndezur që ka favorizuar pushtimin fashist dhe ka deklaruar publikisht se Shqipëria ishte koloni italiane duke thënë <<Italia nuk do ta lërë kurrë Shqipërinë>>”
Dom Lazër Shanotja në vitin 1922
Dënohet me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë, vendim i cili u apelua në gjykatën e lartë të Tiranës, por nuk ndryshoi.
Dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja dhe Beqir Valter (nga e djathta në të majtë), 1924
Në burg e torturuan me një egërsi, duke e bërë të përjetonte vuajtje të papërfytyrueshme e pastaj e vranë. Për këtë, Imzot Simoni thotë:
“Qe meshtari i parë i pushkatuar pasi e torturuan tmerrësisht dhe barbarisht. Ndër të tjera, i rrjepën lëkurën e këmbëve dhe mbi mish i hodhën kripë, e përsëri, nën tortura, me hekura të nxehtë i thyen këmbë e krahë dhe e lanë pa mjekime. Trupin e tij të sakatur e çuan për pushkatim”.
Kur e pa në atë gjendje, me duar e këmbë që i vareshin pa asnjë lidhje me pjesën tjetër të trupit, ëma e cila kishte vuajtur emigrimet e fëmijëve, u tha rojeve:
Ju lutem më jepni revolen ta vras!