KELMENDI. Duke u bazuar në dokumente të shkruara dhe gjetje arkeologjike, mendohet se banorët e Kelmendit janë vendosur në Kelmend që në kohët e lashta dhe kanë vazhduar të jetojnë në këtë vend deri në ditët tona.
Në fshatin Selcë, është gjetur prej kohësh, një thesar monedhash ilire dhe mendohet se njerëzit kanë banuar në shpella që në kohë shumë të lashta.
Kohët e fundit janë gjetur fragmente qeramike të bronzit të hershëm, enë bakri e hekuri, fosile kafshësh dhe vizatime me thëngjill në shpellën e Lule Ndreut, në Grishaj të Vuklit
Në shek.Vl pas Krishtit, Prokopi i Çezaresë përmend kështjellën Klementiana. Përsa i përket prejardhjes së kelmendasve të sotëm ka gojëdhëna dhe burime shkencore.
Gojëdhëna më e vjetër e më e njohur është ajo që përmend Kelmecën, si të parin e kësaj krahine, një djalë nga Kuçi. Kelmeca u martua me Bubën dhe u vendos me banim në Peshtan.
Kur Kelmeca vdiq, emri i tij i mbeti gjithë zonës dhe emrat e djemve (Seli, Vuli, Nili, Bogu) u mbetën respektivisht fshatrave (Selcë, Vukël, Nikç, Bogë).Kjo histori e vjetër korespondon me egzistencën e grupeve të shqiptarëve përgjatë zonës së lumit Cem në vitin 1278. Mendohet gjithashtu që banorët e Vuklit dhe Nikçit kanë ardhur nga Vuthaj.
Në Defterin e Regjistrit të Sanxhakut të Shkodrës, më 1497, Kelmendi përbëhej nga një fis i organizuar me dy fshatra, pesë lagje të mëdha dhe 152 shtëpi. shkurt, autoktoninë e kelmendasve e ka dëshmuar edhe Enciklopedia Gjermane e vitit 1824, ku ndër të tjera thotë: ‘Kelmendasit, Arnautët, janë nga fiset e vjetra Ilire’.
Emri këtij fisi vjen nga fjala latine clemens-(tis), dmth. i urtë, i thjeshtë, i mirë. Këtë emërtim të natyrës së njeriut, më vonë e gjejmë si emër personal, Clemens. Ndër shkrimet e studiuesve të huaj e gjejmë në forma të ndryshme fonetike “Klemnti”, “Klimenti”, “Clementiner” etj. kurse në gjuhën shqipe “Klmen-Klmente”3) gjegjësisht “Kelmendi”.
Për herë të parë, në kuptimin e sotëm, si emër personal, e takojmë tek zëvendësi i tretë i Shën Pjetrit Papa Klementi e I-rë (90-101), cili duke predikuar fjalën e Krishtit ndër paganë, u martirizua. Kelmendasit këtë e kanë mbajtur për Shenjt, dhe mbrojtës të fisit në tërë historinë e tyre duke ia kushtuar njëherit edhe tempujt e lutjes ndër kisha. Për këtë arsye kelmendasit në mënyrë të veçantë i nderonin papët e Romës. Këtë gjë na e dëshmon në një relacion për kelmendasit dërguar Selisë së Shenjte në vitin 1636, nga At Bonaventura. Ai shkruan se kur se serbët e fesë ortodokse, të ardhur në tokat kelmendase për të shpëtuar nga barbarizmat e ushtrisë turke, filluan ta fyenin papën, këta të fundit i kërcënuan se do t´i përzinin nga territori i tyre fisnor.
Si toponim, ky emër identifikohet me emrin e kështjellës bizantine “Klementiana”, të cilën e përmend historiani i epokës Justiniana Prima (527-565), Prokopie i Cezaresë. Sipas historianit serb Vladislav Popoviq, kjo kështjellë duhet të këtë qenë e vendosur ndër viset e Kelmendit, ose në veri të liqenit të Shkodrës. Kurse për Sufflay-n kjo fortesë duhet të këtë qenë në rrugën romake Shkodër – Prizren, tek dogana e Shpëtimit Shenjtë (Svetog Spasa).