Kur çeta e Çerçiz Topullit luftonte te Rrapi në Mashkullorë

Para më shumë se një shekulli, në 18 Mars 1908, çeta e kapedan Çerçiz Topullit do të zhvillonte në fshatin Mashkullorë të rrethit të Gjirokastrës një ndër betejat me të ashpra të shekullit të kaluar të rezistencës patriotike shqiptare.

Lufta e Mashkullorës do të ishte ndër ngjarjet më të spikatura të rezistencës patriotike të viteve 1908-1910 të cilat do ti paraprinin Shpalljes së Pavarësisë.

Kjo ngjarje historike do të pasonte aktin heroik të dy pjestarëve të çetës, patriotëve Hito Lekdushi dhe Bajram Ligu të cilët në 13 mars 1908 në një atentat të mirëorganizuar do të vrisnin bimbashin turk të Gjirokastrës.

Pesë ditë më vonë, çeta e Çerçiz Topullit e përbërë nga 9 vetë do të arrinte të përballonte e strehuar në një haur në rrethinat e fshatit Mashkullorë hordhitë turke

Patrioti Mihal Grameno rrëfen …

Një ndër penat më të shquara të publiçistikës patriotike të atyre viteve dhe njëkohësisht pjestar i kësaj çete, atdhetari Mihal Grameno do të përcillte deri tek ne një përshkrim të arrirë të kësaj lufte.

Pena e Gramenos ka shkrirë në një stil të veçantë informacionin historik me përshkrimin patriotik dhe romantik të kësaj ngjarje.

“Do të përpiqem me sa është e mundur që të përmbledh me pak fjalë ngjarjet e kësaj lufte, e cila ka për të mbetur e paharruar dhe historike, në historinë e ringjalljes së Shqipërisë, se trimëri e kësaj lufte do të mbetet shëmbull për pritmjen, se u nderuan armët e Shqipërisë si në kohët e Skënderbeut”, shkruan Gramenoja në librin e tij “ Kryengritja shqiptare” të botuar në vitin 1921 në Vlorë.

Ndërsa pas vrasjes së bimbashit turk të Gjirokastrës çeta e Çerçiz Topullit ishte strehuar një një shtëpi gjirokastrite një informator, do ti spiunonte ata tek garnizoni turk i Gjirokastrës. Duke u gdhirë data 18 mars, rreth 150 ushtarë të këtij garnizoni do të tentonin të kapnin në rrethim pjestarët e çetës.

Por duket se kjo perpjeke u pikas në kohë nga çeta e Çerçiz Topullit çka bëri që luftëtarët e saj të largoheshin menjëherë nga qyteti për në zonën e fshatrave përreth. “Kur po shkonim me nxitim në përrua përnjëherësh dëgjuam buçimën e trumbetës dhe me vrap zunë plumat të na shkojnë përmbiu krye, duke fërshëllitur! Ah ! Ishte një çast që nuk mund ta tregoj dot !”, shkruan Mihal Gramenoja në “Kryengritja shqiptare”.”Gjithë kësisoj edhe vërshëllima e pushkëve që vinte si breshëri përmbi krye, vazhdon ai rrëfimin për Luftën e Mashkullorës, na shurdhonte veshët, po duke i dhënë shoku-shokut kurajo edhe duke rënë ku këtu ku atje, u mësuam edhe nuk na bënte ndënjë përshtypje !”.

Pas disa orësh ndjekje nga forcat turke çeta do të përgatitej për luftë duke u strehuar në haurin e Abaz Çanos, në rrethinat e fshatit Mashkullorë.

”Ushtarët duke u rrëzuar që përpjetë, na e prenë udhën edhe do të na kishin vrarë që të gjithëve po të mos ishin Çerçizi me Asllanin të cilët me të shpejtë nga këmbët, nxitonin edhe mundën të zënë një haur të rrëzuar, ku vetëm gurët kishin mbetur.

Që atje me vrap u hapëm zjarr ushtarëve, duke shtrirë dy prej tyre kështu që ua premë hovin e sulmin dhe kësisoj mundëm të arrimë edhe ne gjer atje”, shkruan Gramenoja.

Në këtë haur gjysmë të rrënuar trimat e çetës së Çerçiz Topullit do të luftonin gjatë gjithë ditës duke i rezistuar me trimëri forcave turke. “Plumbat na vinin me breshëri po ne qëndronim si ca statute në vendet tona dhe u përgjigjeshim me plumba, po duke qëlluar edhe me këngë kombëtare”, shkruan Gramenoja për historinë e kësaj beteje.

Gjatë kësaj lufte do të humbiste jetën luftëtari Hajredin Tremishti ndërkohë që do të plagosej edhe një tjetër pjestar i çetës. Ndërkohë në këtë beteje do të vritej edhe informatori i cili iu tregoi turqve vendin se ku ishte strehuar çeta pas vrasjes së bimbashit turk të Gjirokastrës.

Pas gati 15 orë rezitence, duke përfituar edhe nga errësira e mbrëmjes çeta do të tërhiqej për në pjesën e sipërme të fshatit Mashkullorë, në drejtim të Malit të Gjerë duke lënë pas një akt heroik në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Duhej që të mos ndodhesha unë që të merrja anë në Luftën e Mashkullorës se fuqia ime është e dobët për ta përshkruar e zografisur ashtu sikundër ngjajti. Duhej pendë historiografi të sosur, duhej penda e një mjeshtri të vërtetë, duhej të ndodhej një shkenctar ushtarak dhe duhej që të ndodhej një këqyrës i luftës se vetëm atëherë do të përshkruanin të vërtetën, shkruan patrioti Mihal Grameno për këtë ngjarje duke vijuar se : vetëm e vetëm këta do të mundnin që të përshkuanin dhe zografisnin hollësisht këtë luftë, e cila meriton një histori të tërë, se vetëm atëherë do të mësonte dhe kuptonte pritmja e kombit tënë, që qysh të dinin të mbushnin detyrën e tyre për atdhenë, duke luftuar, si qëmoti për tu lënë bijve të tyre lirinë dhe flamurin e shenjtë që të valonjë përmbi Shqipërinë”.

Atentatorët e bimbashit turk

Në 13 mars të vitit 1908, në rrugën që përshkon lagjen Hazmurat në qytetin e Gjirokastrës dy pjestratë e çetës së Çerçiz Topullit, patriotët Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi do të vrisnin në një atentat të mirëorganizuar nga kjo çetë bimbashin turk të Gjirokastrës.. Sipas dëshmive historike të dy partriotët Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi do të zbatonin kështu një vendim të “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”, i cili vepronte në atë vite në Jug të vendit, që e kishte dënuar me vdekje bimbashin turk të Gjirokastrës për shkak të masakrave në zonën e Përmetit dhe më  të Gjirokastrës.

Lufta e Mashkullorës në krijimtarinë artistike

Gjatë këtyre 109 viteve historia e Luftës së Mashkullorës dhe patriotëve pjesmarrës në të ka qenë motiv i preferuar jo vetëm për këngët popullore, veçanërisht ato polifonike por edhe për artin e përpunuar. Tashmë është bërë e famshme kënga te “Rrapi në Mashkullorë / foli Çerçizi me gojë / mylazim largo taborë / se të bëj të kuq me bojë / Çerçiz Topulli më thonë”.

Ndërkohë në vitin 1934, Skulptori i Popullit Odhise Paskali do të derdhte në bronz monumentin e Çerçiz Topullit i cili në vitin 1937, kur eshtrat e tij do të rivaroseshin në Gjirokastër, u vendos në qendër të sheshit kryesor të qytetit që sot mban emrin e tij.

Një shumë prej 3 mijë napolona flori do të grumbullonin qytetarët gjirokastritë për të përballuar financiarisht ngritjen e kësaj vepre duke përjetësuer kështu në bronx kujtimin e kapedanit të çetave patriotike të Jugut.

Në këtë inisiativë do të kontirbonin financiarisht banorët e qytetit, tregëtarët dhe zejtarët e Pazarit si dhe mjaft gjirokastritë të cilët kishin emigruar në Amerikë.

Ditën e inagurimit të monumentit të Çerçizit emrat e tyre ishin shkruar në lista të gjatë të cilat ishin ngjitur në pjdestalin e mermertë ku ishte vendosur monumenti i bronxtë. Në vitin 1972 skulptorët Koço Beruka dhe Ksenofon Kostaqi do të ishin autorë të bazorelievit në bronz “Çeta e Çerçiz Topullit” i cili ngrihet në qendër të fshatit Mashkullorë. Në vitin 1978 do të realizohej filmi epik “Liri a vdekje”, i cili edhe sot vazhdon të ndiqet me kërshëri dhe emocion nga shikuesit e moshave të ndryshme.

Gjithashtu ky motiv historik do të ishte mbizotërues në dhjetra këngë popullore, në mjaft vepra letrare, krijime në pikturë etj duke e bërë kështu të pavdekshme këtë ngjarje historike dhe kujtimin e luftëtarëve që morën pjesë në të.

Kush ishte Çerçiz Topulli

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër në vitin 1880 dhe ra dëshmorë më 15 korrik të vitit 1915. Ishte patriot, atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër pushtuesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit.Mjedisi familjar në të cilin u rrit e sidomos vëllai më i madh Bajo Topulli, ndikuan në formimin e tij si atdhetar i vendosur.

Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë «Për lirinë e Shqipërisë» në Gjirokastër.Në prill të 1906 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908.

Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli pasi dënonte grabitjet e administratës osmane kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur.

Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur, dhe ftonte gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për lirinë e Shqipërisë.

Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Në shoqëritë dhe klubet patriotike mbrojti interesat e kombit.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së I. Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut.

Më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) u pushkatua së bashku me patriotin tjetër gjirokastrit Mustafa Qulli nga forcat e pushtuesve malazezë. Më 1937 eshtrat e Çerçiz Topulli u vendosën në Gjirokastër.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME