-Në dhjetë vjet, për 800 të burgosur politikë u krijua një repart i posaçëm, i njohur si reparti nr. 303, për të ndërtuar veprat industriale më të rëndësishme në vend. Puna e rëndë nisi me ndërtimin e aerodromit në Rinas e përfundoi me fabrikën e çimentove në Fushë-Krujë dhe Elbasan, të burgosurit u mbajtën në fund të ‘60-s për tre muaj në regjim burgu. Në vitin 1968, reparti nr. 303 shkrihet, duke i dërguar të dënuarit në stacionin e fundit, në Spaç
-Më 23 dhjetor 1957, në orën 13:50, një avion amerikan u ul për arsye teknike në pistën e pambaruar të Rinasit. Nuk u pikas nga asnjë prej forcave “vigjilente” të regjimit dhe ruajti mrekullisht barakat ku rrinin të dënuarit…
Në dhjetë vjet, për 800 të burgosur politikë u krijua një repart i posaçëm, i njohur si reparti nr.303, për të ndërtuar veprat industriale më të rëndësishme në vend. Puna e rëndë nisi me ndërtimin e aerodromit në Rinas e përfundoi me fabrikën e çimentove në Fushë-Krujë dhe Elbasan, të burgosurit u mbajtën në fund të ‘60-s për tre muaj në regjim burgu. Në vitin 1968 reparti nr. 303 shkrihet, duke i dërguar të dënuarit në stacionin e fundit, në Spaç.
Për këtë, tanimë Shqipëria ka një hartë më të gjerë të burgjeve dhe kampeve të punës në diktaturë, e relatuar në një botim “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” të arkivistit Kastriot Dervishi, botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Ky studim statistikor vjen i plotë, i shoqëruar me raporte të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, si dhe dëshmi e biseda të atyre që vuajtën dënimin në këto burgje e kampe. Libri përmbledh gjithë informacionin e duhur rreth përndjekjes politike në Shqipëri në vitet 1944-1991, në lidhje me burgjet, kampet e punës së detyruar, kampet e internimit me tela me gjemba, si dhe vendet e tjera të internimit.
Ndërsa libri sjell dinamikën e të burgosurve sipas viteve, veprat e shumta që ata kryen, janë disa prej informacioneve që përfshin ky studim. Dervishi, duke cituar një raport të datës 13.8.1948, bën të ditur se “në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë.
Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë”. Ndërsa për vitin 1950 ishin realizuar 110.000 ditë pune, duke bërë më shumë se 15 milionë lekë. Për këtë qëllim, kishin punuar 900 të burgosur, citojmë Dervishin.
Përshkrimi si u krijua reparti nr.303, lidhet me këtë grupim të të dënuarve politikë, duke u vënë në punët më të rënda që lidhen me ndërtimet industriale më të mëdha në vend. Por në këtë histori tërheq vëmendjen rasti i ndërtimit të aeroportit të Rinasit, i cili siç raportohet, është ndërtuar në kohë rekord, pasi ishte ftuar në inaugurim sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi. Rojet dhe njerëzit që ruanin këta të burgosur shpesh shpërbleheshin me dekorata edhe pse në një rast u arrit të kryhej një nga vrasjet më monstruoze.
***
Në Rinas të Tiranës, formohet reparti nr. 303, në vitet 1955-1959
Në 14-15 korrik 1955, reparti u zhvendos në Rinas të Tiranës. Këtu ndërtohej aerodromi i ri i Tiranës, një prej veprave më të mëdha të regjimit. Reparti nr. 303 punoi këtu për 4 vjet, deri në vitin 1959.
Dy të dënuar mundën të arratisen, por u kapën më vonë. Puna ishte e njëjtë me atë të kampit të Urës Vajgurore. Punimet kanë mbaruar më 8 shkurt 1959. Ngutja e punimeve u bë sepse në maj 1959, në Shqipëri do të vinte sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov.
Edhe këtu kishin shpërthyer dekoratat për kolektivin e atyre që ruanin të burgosurit. Sami Repishti ishte një ndër të dënuarit e këtij reparti. Puna këtu ishte gërmimi me imtësi i tokës së aerodromit, e cila nuk duhej të kishte asnjë rrënjë barishte poshtë.
Pas këtij gërmimi, filloi shtrimi me gurë e më pas, betonimi i thellë. Kampi nr. 2 raportonte se gjatë vitit 1955 kishin hyrë në repart 256 të dënuar politikë dhe 498 ordinerë. Në fund të vitit 1955, kampi kishte një trupë prej 617 të dënuarish politikë dhe 199 ordinerë, gjithsej 816 vetë. Efektivi mesatar gjatë vitit vlerësohej në rreth 870 të burgosur (AMPB, F. 57, V.1955, D.121)
Në bazë të urdhrit nr. 1620, datë 21.12.1955 reparti mori numrin 303. Urdhri hyri në fuqi më 1 janar 1956 (AMPB, F. 50, V.1955, D.642)
Raportohet se në vitin 1956 kishte rreth 800 të burgosur. Dinamika e kampit lëviz drejt largimit të elementit ordiner. Në vitin 1957, në kamp ishin 414 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner (AMPB, F.50, V.1957, D.801) Në këtë kohë rrjeti sekret i Sigurimit përbëhej prej 4 rezidentëve, 3 agjentëve dhe 16 informatorëve (Historiku i Policisë së DPB Tiranë, Tiranë 1977, pjesa e dytë, faqe 190).
Më 23 dhjetor 1957, në orën 13:50, një avion amerikan u ul për arsye teknike në pistën e pambaruar të Rinasit. Nuk u pikas nga asnjë prej forcave “vigjilente” të regjimit dhe ruajti mrekullisht barakat ku rrinin të dënuarit. Më vonë, piloti u largua nga Shqipëria, ndërsa avionin nuk e mori, sepse sistemi i gomave ishte dëmtuar. Regjimi e mori avionin dhe e çoi në Gjirokastër.
Në kalanë e këtij qyteti e reklamoi me mburravecërinë e njohur të tij si punë “agjenturore” të vetën se “ia kishte kallur Amerikës”. Në vitin 1958, punonin në kamp vetëm 470 të dënuar politikë (AMPB, F. 50, V.1957, D.801). Sipas të dhënave të vitit 1959, në kamp punonin 314 të dënuar (AMPB, F. 50, v.1959, D.999).
Raportet vinin në dukje se inxhinier Pandeli Zografi, i dënuar në procesin e Maliqit në vitin 1946, u shënonte normë më tepër të burgosurve. Kjo gjë u zbulua nga agjentura dhe inxhinieri u akuzua edhe një herë tjetër, si sabotator, tamam si në kohën e tharjes së kënetës së Maliqit (AMPB, F. 57, V.1955, D.134).
Në Tiranë për ndërtime, vitet 1959-1963
Në vitin 1959, reparti u zhvendos nga Rinasi në Kodrat e Kopilit në Sauk të Tiranës, për ndërtimin e Sanatoriumit të shtetit. Ndërmjet ndërmarrjes së ndërtimit “21 dhjetori” dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (reparti nr. 303) u lidh një kontratë për ndërtimin brenda vitit 1960 të Sanatoriumit. MPB-ja vinte në dispozicion 130 të burgosur, të cilët do të punonin në një territor të miratuar nga Drejtoria e Punëve të Brendshme, Tiranë dhe miratuar nga Drejtoria e Policisë Popullore. Komanda e repartit do merrte masa edhe për rastet kur të dënuarit nuk punonin si për mungesë fronti pune, kohë me shi etj.
Marrëveshja ishte nënshkruar nga drejtori i ndërmarrjes në fjalë, Nexho Konomi, drejtori i Degës së Burgjeve dhe Kampeve, Qamil Mane (Islamaj), si dhe ishte miratuar nga ministri i Ndërtimit, Josif Pashko dhe ai i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu (AMPB, F.50, V.1960, D.1099).
Më tej u ndërtua kombinati i mishit, peliçeria e Tiranës, disa ndërtesa të fermës “Gjergj Dimitrov”, një pjesë e punimeve të uzinës së auto traktorëve, duke qëndruar kështu deri në vitin 1963 në kryeqytet. Gjatë kësaj kohe, kishte pasur 4 raste arratisjesh. Dy ishin fshehur në gropën e ujërave të zeza, një në tubacionin e kanalit të shkarkimit të ujërave, një në trarët e soletës dhe tjetri ishte orvatur të ikte, por ishte plagosur. Në fillim të nëntorit 1962, reparti kishte vetëm 404 të dënuar politikë (AMPB, F.50, V.1962, D.1361).
Në Vlorë, vitet 1963 -1965
Më 11 nëntor 1963 e deri në shkurt 1965, kampi u zhvendos në Vlorë për ndërtimin e uzinës së sodës kaustike. Për të rritur goditjen ndaj kundërshtarëve politikë nëpërmjet lodhjes e marrjes së shpirtit në punë, regjimi organizonte edhe “gara flamuri” midis reparteve të ndryshme. Kështu gjatë kësaj kohe reparti nr. 303 kishte qenë në garë në kuadër të fushatës për nder të 20-vjetorit të çlirimit me repartin nr. 84 në Tepelenë.
Por 303-shi, me punën e të burgosurve “armiq të partisë dhe pushtetit popullor”, e “Fitoi garën”. Por si kudo, edhe këtu nuk mungonin rastet abuzive. Në një rast, shefi i furnizimit të repartit ishte çuar në ndjekje penale për shkak të shpërdorimeve, të cilat në fakt kishin qenë të pranishme gjatë gjithë kohës, pikësëpari me racionimin e pakët për të burgosurit politikë.
Në raportin e datës 9.7.1964, merret vesh se reparti kishte hyrë në lidhje edhe me ndërmarrjen e ndërtimit “Perlat Rexhepi”, por kjo nuk sillte front pune për të burgosurit. Kjo gjendje kishte sjellë pakënaqësi. Gjatë kësaj kohe, në kamp ishin 191 të dënuar (AMPB, F. 61, V.1964, D.534). Kishin ardhur të rinj 268 të dënuar, 20 nga kampet e tjera, të tjerë ishin liruar me plotësim kohe ose dekret faljeje. Rreth 100 të dënuar ishin pleq ose të paaftë për punë (AMPB, F. 61, V.1964, D.536).
Më 15 qershor 1964, në telat e kampit u vra nga roja, i dënuari Mustafa Isuf Alushi, nga Margëlliçi i Çamërisë, me banim në Tiranë. Në orën 5:00, i dënuari u orvat të largohej nga kampi. Ai i drejtohet portës me fjalët “poshtë komunizmi”. Afër portës qëllohet nga ushtari roje në kokë. Aq e fortë ishte goditja me kallashnikov, saqë trutë dhe kockat e kokës së të dënuarit kaluan jashtë telave të kampit. Ai ju kishte thënë të burgosurve të tjerë se ishte i mërzitur që qëndronte në kamp. Ushtarit vrasës iu dhanë disa ditë leje shpërblimi.
Alushi ishte dënuar tre herë për arsye politike. Kishte qenë i burgosur në vitet 1949-1963. Kishte dalë nga burgu më 6 qershor 1963, por ishte arrestuar sërish më 1 shtator 1963. Mund të thuhet se shkoi me vetëdije e guxim t’iu jepte fund vuajtjeve të burgosjeve të njëpasnjëshme, kur ishte vetëm 46 vjeç (AMPB, F. 1, D.5876).
Në Elbasan dhe Fushë-Krujë për fabrika çimentoje, vitet 1965-1968
Në këto vite, reparti zhvendoset për të ndërtuar dy fabrika çimentoje. Në vitin 1965, në repart punonin gati 290 të dënuar politikë, për të mbërritur në rreth 800 të dënuar, para se reparti të largohej për në Spaç. Kampi ishte zhvendosur në Elbasan për ndërtimin e fabrikës së çimentos në afërsi të qytetit (AMPB, F. 50, V.1965, D. 1671) .
Eksperienca e fituar në këtë fushë do shërbente edhe për punën në fabrikën tjetër të Fushë-Krujës. Në këtë të fundit, një pjesë e repartit shkoi në vitin 1966. Për t’u shënuar në Elbasan është plagosja e të dënuarit Uran Kostreci, më 9 maj 1965 (AMPB, F. 50, V.1965, D.1681), në përpjekje për t’u arratisur. Në vitin 1966, aty punonin 250 të burgosur.
Në dhjetor 1967, ka përfunduar puna për ndërtimin e fabrikës së çimentos prej të burgosurve. Fundin e punimeve e kanë bërë punëtorët e Elbasanit. Në muajt janar –prill 1968, të dënuarit u mbajtën në regjim burgu.