Kisha e Shën Antonit ndodhet në lindje të Kishës së Shën Kollit në Zejmen dhe në veri-perëndim të kishës së Shën Barbarës së Pllanës.
Kisha konsiderohet si një themelim françeskan që del në burimet e vitit 1638.
Terreni i ndërtimit u ishte ofruar françeskanëve nga Muhtar Kalepi, një mysliman vendas, i cili ndihmoi shumë edhe për ndërtimin e kishës.
Në fillesat e veta, emri i kishës ishte ai i “Zojës Rruzare”. E shkatërruar gjatë persekutimit të vitit 1648, kisha u rindërtua në vitin pasues me ndihmën e vejushës së Muhtar Kalepit.
Në vitin 1697, kisha u restaurua nga padre Filipi nga Locarno (e Zvicrës), i cili e ndryshoi emrin e kishës në atë të “Shën Antonit të Padovës”.
Pranë këtij kuvendi françeskan lindi dhe lulëzoi për një kohë të gjatë një nga shkollat më të vjetra të Shqipërisë së Veriut.
Rrënojat e shkollës së dikurshme
Kisha ka dy hyrje.
Në anën jugore ka hyrjen kryesore dhe në anën lindore ka një hyrje të dytë. Gjithashtu vërehen edhe katër dritare të vogla.
Kisha e sotme e restauruar nuk e mbulon plotësisht planimetrinë e ndërtimit të vjetër.
Në skajin e oborrit ndodhet një altar lutjesh i pajisur me shkallare dhe një mbulesë portative, në trajtën e një çatie me tjegulla.
Në brendësinë e kishës nuk vërehet ndonjë gjë e veçantë në lidhje me vjetërsinë e saj.
Një altar tërësisht i ri dhe një nike harkore në anën e brendshme të murit verior, që luan rolin e absidës, përbëjnë pjesën e tempullit të kësaj kishe.
Siç shkruhet edhe në librin “Monumente historike të kultit të krishterë në dioqezën e Lezhës”, në brendësi të murit verior vërehet të jetë murosur një gur varri me mbishkrimin që i kushtohet një prifti në vitin 1857.
Në fasadën e brendshme të murit perëndimor është murosur një gur varri me një epitaf në gjuhën italiane, ku bëhet fjalë për një nga rregulltarët françeskanë që ka jetuar në kuvendin që ishte ngjitur me kishën.
Në kujtim të të nderuarit padre Dario D’Albiate, lombard i Urdhërit të Shën Françeskut, Minor Observant i reformuar, misionar apostolik ne Shqipëri,
rregulltar i zellshëm dhe pastor besnik, që kaloi në jetën më të mirë më 17 janar 1857