Hoti e Gruda, më 14 nëntor 1918 i kërkojnë Konferencës së Paqes në Paris t’iu garantojë bashkim me Shqipërinë

Nga: Ramiz Lushaj

1. Hoti e Gruda janë dy fise të moçme të Malësisë së Madhe që i kanë dhanë lavdi kombit shqiptar, i kanë ba ndere historisë sonë kombëtare, ia kanë ngrit lart emnin vetes. Aty ku është Hoti, patjetër, gjendet edhe Gruda, si vendbanim, si veprimtarim apo si toponim. Skej liqenit të Plavës, në lartime territoriale të Hotit të Vendit janë dhe Livadhet e Grudës.

Në rrjedha të shekujve, gjithato gurra dokumentare, edhe kancelaritë e botës, i përmendin sëbashku. Filozofia e popullit i ka udhë ndritë shprehjet e motmoteve: “Pushka e Hotit” dhe “Gruda shpatën”. Ndër 12 fiset e Malësive, për shumçka, Hoti përmendet i pari. Historia e vrell herët Hotin, qyshse nga viti 1330, kurse Grudën nji shekull ma vonë, kah viti 1445.

Edhe në një Kërkesë zyrtare publike të 14 nëntorit 1918 drejtue Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të katër Fuqive të Mëdha: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Francës e Italisë, të dy fiset Hot e Grudë, sëbashku, si shpeshherë në histori, janë nënshkrues të saj me mendje e penë, me zemër, me emra e mbiemna, me vendbanimet si barqe e lagje-fshatna.

“Ne, – thonë ata, – të nënshenjuemit, përfaqësues të ligjëshëm të lagjevet të ndryshme qi përbëjnë fiset e Hotit e të Grudës, kemi nderin me i parashtuem vërejtjes dashmire të Pushtetevet të Mëdha të Kuptimit kërkesën qi vijon, tue i lutun përvujtnisht që të kenë mirësien me e marrë në kujdes e me kënaqun dëshiret t’ona kombtare”.

2. Hoti i Vendit në Plavë-Guci është pushka e parë e Luftës të Ultinës së Epërme të Limit (Luftës së Nokshiqit) më 4 dhjetor 1879. Ia shkrehi i pari kryeluftëtari martir Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit dhe ia hap ndjeki flakëpërflakë betejës së parë dhjetoriane dhe kryetrimi prijtar Alush Zmajli i Haxhajve të Hotit me mbi 40 luftëtarë nga vllaznitë e tij hotjane të atyhit: Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e bashkë me ta dhe i vuthjani Bajram Musa – i Dedushaj, që la shtagen e çobanit në kullotë në Zabel e kapi pushkën e luftës. Në kit’ luftë frontale me dy beteja luftarake (dhjetor 1879-janar 1880) morën pjesë ballore te tana fiset e Malësive nga Kelmendi i Rrafshit, i Gurit, i Rugovës, nga Malësia e Gjakovës, nga Peja…e dekteri nga Tetova e Tepelena.

Luftëtarë nga ma shumë se katër vilajetet e atëherit. Ishte hera e parë në histori që shqiptarët e “Arbnisë së Vogël” (Plavë-Gucisë) e të “Arbnisë së Madhe” (Shqipërisë Etnike), me frymëzim e drejtim nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e banin të vetëm një luftë të tillë frontale përballë 7 krajlive ma të mëdha të botës si dhe përballë dy krajlive të reja të Ballkanit:

Malit të Zi e të Serbisë.

Nuk është e rastit që pas kësaj lufte, në fushën e betejës, u gjetën disa flamuj të Rusisë perandorake.

Ajo çka due me thanë veçmas në kit’ fjaltim dokumentues ka të bajnë me faktin se Hoti i Rrafshit në afri të liqenit të Shkodrës e ndërmjet Shkodrës e Podgoricës, i përfshimun në vilajetin e Shkodrës, iu erdhi shpejt e fort në ndihmë vllaznëve të vet në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, në kazanë e Gucisë të vilajetit të Kosovës. Atyne iu printe Çun Mulaj, bajraktari i Hotit. Iu dolën në krah vllaznëve të vet të gjakut e të pragut.

I dolën në ballë luftës me malazezët. Patjetër, me hotjanët, ishin edhe grudianët. Kur ta ndijsh’ hapin e parë Hoti prite të dytin Gruda. Hoti e Gruda nga vilajeti i Shkodrës shkuen e luftuen me trimni, gjak e plagë në Plavë-Gucinë e vilajetit të Kosovës, sepse ata luftonin shumëfish: dhe për Plavë-Gucinë (e Hotin e atyhit), dhe për Shqipërinë që e ka falë Zoti me kufijtë e vet natyral etnik, dhe për Hotin e Grudën e vet trojenike shqiptare.

Po e çoj pushkën Hoti mu me ia ndal veç Zoti. Edhe sot e mot, kush lufton për tokat etnike shqiptare nën Malin e Zi ka luftue për Shqipëri dhe për shtëpinë e tij, për kryet e vet e brezat e vet. Ambasadorët e Fuqive të Mëdha më 18 prill 1880, miratuan propozimin italian për “Vija Korti” për t’i dhanë principatës së Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës.

Këta nënshkruan Protokollin e Stambollit, i njoftun si “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej më 22 prill 1880. Ditën tjetër, më 18 prill 1880, në Shkodër – kryeqëndrën e vilajetit, u ba nji miting popullor shumë i madh për besë e qëndresë panshqiptare ndaj Fuqive të Mëdha. Aty hotjanët e hoqën flamurin e Perandorisë Otomane dhe bajraktari i tyne, Çun Mulaj, e ngriti Flamurin e Shqipërisë.

Te dyja akte të larta e të rralla për at’ kohë të vështirë. Më 22 prill 1880, pasi forcat otomane e lëshuan Tuzin shqiptar, aty u venduan mbi 5.000 forca shqiptare (në disa burime flitet për rreth 8.000 luftëtarë), të cilat luftuan e fituan për mbrojtjen e Hotit e të Grudës kundër ushtrisë së Malit të Zi, që kishte rreth 10.000 ushtarë të mobilizuem në luftime dhe gëzonte përkrahje ndërkombëtare në frymën e vendimeve të Kongresit të Berlinit.

Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane.

Dekteri në Luftën e Parë Ballkanike (1912-‘13) Mali i Zi i Krajl Nikollës nuk mundi me hy në Hot e Grudë, në Tuzin e historisë shqiptare. Kësaj here vetëm me gjak, hjekësi, ortaklli, me mbështetje sllavofile, çka është një (sh)pagim që mos e vujtshin deri nesër, brezat e rinj të rritës së sotme.

Hoti e Gruda, të dy fiset nënshkruese sëbashku, duen me ua rikujtue në atë Kërkesë të tyne të 14 nëntorit 1918 drejtue Konferencës së Paqes në Paris, Fuqive të Mëdha të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës e Italisë, luftnat e tyne për pragun e shtëpisë trojenike dhe për Shqipërinë Etnike: “Bota mbarë e dëshmon se currat e thepisun të Hotit e të Grudës kanë qenë kurdoherë për Shqipninë një murajë (barrierë) e pa kapërcyeshme për kundër Malit të Zi se banorët e tërhustë të këtyne viseve u janë kundërshtuem me armë në dorë, qi gjithnji pa u rreshtun turravet të Malazezëvet mbrenda tokës shqiptare.

E për provë të fjalvet t’ona asht mjaft qi të leçisim qëndrimin e përgjaktë qi të parët t’anë patën bamun kundër lëshimit të dhunshëm të Fisevet t’ona Malit të Zi të venduem prej Kongresit të Berlinit, qëndrim qi ma në fund, i nxuer në shesh të drejtat t’ona e i mbushi mendjen Europës se Hoti e Gruda i duheshin lënë atdheut tonë Shqipënisë”.

3. Sigurisht,Hoti e Gruda, bashkalidhun si dy krena shqiponje në Tuz, përsa lëshon dielli rreze e lëshon toka ujë, kërkuen e luftuen, sakrifuen e jetojnë për lirinë e pavarësinë e vet dhe të Kombit Shqiptar në Ballkan. Krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër e Malësitë e saj, u mblodhën pikërisht në Tuz – një nga vatrat e lavdisë kombëtare shqiptare, më 16 korrik 1880, për çështjen e Hotit e të Grudës dhe dolën me kërkesa konkrete, ku – ndër të tjera deklaruan: “…ne shpallëm luftën për pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut”.

Dy fiset e pushkës e penës, Hoti e Gruda, e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar në Deçiç më 6 prill 1911, e kthyen në përjetesi kit’ vend historik të bekuar, sikurse e jehon kanga e popullit shqiptar, në një “Krujë të Dytë, Vlorë të Parë”. Këto dy fise të krenarisë kombëtare shqiptare, përkrah fiseve të tjera kryengritëse të Malësisë së Madhe, ishin në Kuvendin e Gërçes (Kelmend i Gurit), ishin ndër nënshkruesit e Memorandumit të Gërçes (shqip-frengjisht)

. Në kit’ dokument historik panshqiptar, pjesë e vazhdimësisë të Platformës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit e nji Program plotor për Autonomi të Shqipërisë me 12 kërkesa, janë firmatarë nga fisi i Hotit Ded Gjo’ Luli e Gjet Mark Ujka dhe nga fisi i Grudës Sokol Baçi e Dedë Nika.

Në Kërkesën e tyne të 18 nëntorit 1918, të dy fiset sëbashku, Hoti e Gruda, e shohin me vend e me rend me ia njeh thuktë Konferencës së Paqes në Paris disa nga kontributet e veta kombëtare shqiptare e properëndimore: “Ndë 1911 banorët e Fisevet t’ona, të bashkuem me vllaznit t’onë të Këlmendit, të Shkrelit e të Kastratit, rrokën armët kundër ndrydhjes së Turqvet të Rinj, e ndë 1912 kanë luftuem prapë kundër Turqisë, krahpërkrah me Beslidhunit ballkanik, për liritë e mëvetësisë të Shqipnisë.

Po, mjerisht, Konferenca e Londrës nuk deshi me na i njohun të drejtat, e Fiset t’ona ia lëshoi Malit të Zi tue i bashkuem kështu me fatik e keq qi patën shumë vise të tjera të Shqipnisë, të cilat qen shkëputun prej Atdheut shi mb’atë kohë kur vetë ajo Konferencë po e krijonte të lirë e më vete”. Hoti e Gruda, me histori e traditë në gene e hapa, me dhimbjen në shpirt e zemra prej ndamjes nga trungu amë kombtar etnik i Shqipërisë, me pushkë në sy e krah për me u ribashkue me kombin e vet, me vuajtjet mbi shpinë nga pushtimi shoven i Mbretnisë së Malit të Zi, me plot sakrifica, shkatërrime, emigrime e spastrime etnike gjatë dy Luftnave Ballkanike (1912-1914) e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), nga Shkodra i fjalathonë Konferencës së Paqes në Paris, tekstualisht: “…Konsujt e Pushtetevet të Mëdha e Ushtritë Ndërkombëtare të Shkodrës kanë qënë dëshmitarë të shmërgimit tragjik të banorëve të Hotit e të Grudës e të mundimevet të randa e të patregueshme që kanë vuejtun rrotull vjetëvet 1913, 1914 e 1915 tue e shkuem jetën andej e këtej larg votravet e të sdeshun prej pasunivet të veta”.

Njëherash edhe iu bajnë me dije Fuqive të Mëdha të mbledhuna në Paris se: “Populli i visevet t’ona, qi për doke e zakone, e për gjuhë e gojëdhana të veta kombtare asht thjesht shqiptar protestoi rrebtësisht, disa herësh kundër këtij lëshimi të padrejtë e të dhunshëm…Këto janë pësimet e vajtueshme të Fisevet të Hotit e të Grudës”.

4. Dy bajrakët e Hotit e bajraku i Grudës, 45 burra të këtyne dy fiseve, me të Drejtën e Zotit, në emën të Tokës, Historisë e Ardhmënisë së vet lokale e kombëtare, u mblodhën më 18 nëntor 1918 në Shkodër plotpërplot dy muaj para Konferencës së Paqes në Paris. Ata kishin besë e shpresë se në kit’ Konferencë Ndërkombëtare “po bahen gadi me hedhun themelet e njij paqe të drejtë e të qëndrueshme të mbështetun mbi këto parime fisnike” dhe iu bajnë të ditun se në pritje të fillimit të punimeve të saj “shpresat tona po njallen”.

Nënshkrues të kësaj Kërkese zyrtare publike për Konferencën e Paqes në Paris, për ministrat e Jashtëm të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës e Italisë, janë burrat ma të shquar të Hotit e të Grudës.

Dy fiset e moçme shqiptare Hoti e Gruda, 45 firmëtarët e Kërkesës i drejtohen Konferencës së Paqes në Paris “tue pasun besim të plotë se do të kryhen dëshirat t’ona” dhe, njëherash, theksojnë në vargavijë të kësaj kërkese se “marrim lejen me i u sjellun drejtësiës së tyne tue i lutun përvujtnisht, nde’mën të drejtave të shëjta të Shqipniës e të parimit të vetvendimit të popujve që të kenë mirësiën me venduem qi fiset t’ona të lidhen prapë me atdhenë t’ënë, Shqipniën”.

Në përmbyllje të Kërkesës së tyne ata paraqesin dhe argumentat e veta se Hoti dhe Gruda “janë nji pjesë e pandame e saja (Shqipërisë), si për arsye ethnografike e gjeografike, ashtu dhe për gojëdhanat e dëshiret kombtare të banorëvet të vet”.

Kjo Kërkesë e Hotit dhe e Grudës mbeti në Dosjen e madhe të pambyllun të Konferencës së Paqes të Parisit (1919-’20). Ajo mbeti si Ankesi II i Notës XXII, pasi Aneksi 1 ishte Kërkesa e Anës së Malit e Krajës. Sikurse këto treva etnike shqiptare në Bregdetin Adriatik e Ultinën e Podgoricës, në dy anët e Cemit e Moraçës, edhe ato në lartësitë alpine si Plavë-Gucia, Rrozhaja etj., mbetën nën Malin e Zi prej atëherit e dekteri më sot. Këto ishin padrejtësi të shekujve XIX e XXI, ndërsa shekulli XXI duhet të jetë ndryshe…

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME