Dita e sotme duhet të jetë e veçantë. Ka ditëlindjen Vllaznia. Feston 99 vjetorin e lindjes.
Një përvjetor që tregon më së miri historinë e këtij klubi, të parit në vendin tonë. Një përvjetor që duhet të shërbejë si nxitje për të gjithë ata që kanë diçka në dorë, për të menduar që tani për vitin e ardhshëm.
100 vjetori i klubit Vllaznia duhet të jetë një festë e vërtetë për të gjithë qytetin.
Një datë që duhet mbajtur mend gjatë nga të gjithë. Padyshim që drejtuesit e sportit, ata të Bashkisë dhe jo vetëm, do të punojnë për këtë gjë.
Mbase, pikërisht prej kësaj, ato sot nuk janë kujtuar për ndonjë aktivitet. Gjithsesi, Vllaznia sot ka festë.
99 vjetori i saj vjen në një moment kur futbolli po kalon probleme, po ashtu edhe basketbolli apo volejbolli.
Megjithatë, është atletika që na bën krenar me titujt kampionë dhe mbi të gjitha me Izmir Smajlajn, është peshëngritja që na bën krenar me Erkand Qerimajn.
Kemi boksin kampion dhe në elitë. Po ashtu edhe xhudo, gjimnastika e çiklizmi, sporte të cilat po bëjnë mirë.
Por padyshim që nuk mjaftojnë. Gjithsesi, sot është koha për të festuar por edhe për të bërë llogaritë. Çfarë duhet ndryshuar dhe çfarë duhet rregulluar.
Sepse klubi më i vjetër në Shqipëri meriton më shumë.
Sot nuk po zgjatemi më tepër por po e mbyllim duke thënë: Paç sa më shumë gëzime Vllazni!
© shkodrasport.com