“Prokuroria do të ofrojë prokurorët më të mirë për të punuar në kuadër të opercauionit “Forca e Ligjit”, duke patur besim për sukses të plotë në luftën kundër krimit të të gjitha formave”-tha kryeprokuorija Marku.
Zonja Marku theksoi ndërkaq gatishmërinë dhe angazhimin e prokurorisë për të bashkëpunuar plotësisht me palën italiane veçanërisht në hetimet e çështjeve me ndjeshmëri të lartë në Shqipëri.
Kryeprokurorja theksoi se një numër çështjesh kanë karakterin hetimor në të dy vendet, në Itali dhe në Shqipëri, pavarësisht se jo me grupe të përbashkët.
Sikurse vërejti kryeprokurorja Marku, ka rëndësi përgjigja e shpejtë nga Italia për një numër letër-porosish të dërguara për hetime të ndryshme dhe për t’i hapur rrugën ecurisë dhe përfundimit tëe tyre në Shqipëri.
“Ne e dimë që na pret një punë e madhe. Ka studime për grupet e krimit të organizuar në Shqipëri dhe punohet në vazhdimësi për të kuptuar formën, strukturimin, nivelin dhe shkallën e organizimit”-shtoi zonja Marku.
Bashkëbiseduesit vërejtën gjithashtu domosdoshmërinë e hetimeve sa më të thella për të zbuluar origjinën e parave që përdoren nga grupet kriminale.
Z.Federico Cafiero De Raho tha se krimi nuk përdor më armët, por paranë duke u shtyrë në lidhje me ndërmjetës në shumë fusha të shoqërisë.
“Italisë, -shtoi z.De Raho, – Italisë i janë dashur dhjetëravjet për të zbuluar funksionimin e grupeve mafioze, siç ka qenë rasti i organizatës mafioze “Ndragheta”.
Prokurori i Antimafias theksoi ndërkaq se krimi vepron gjithnjë më shpejt duke marrë masat pas çdo hetimi të përfunduar me metodat më bashkëkohore të hetimit.
Prokurori i Përgjithshëm znj.Marku theksoi gjithashtu se pavarësisht se strukturat janë të përkohshme deri në krijimin e SPAK-ut, puna nuk do të rreshtë për hetimin e krimit dhe korrupsionit.
Znj.Marku shtoi se prokuroria është e angazhuar në çdo kohë për të zhvilluar hetimet mbi veprimtaritë kriminale dhe se marrëveshja italo-shqiptare mes prokurorive e vitit 2014, duhet rinovuar për të përfshirë aspekte të ndryshme dhe njëherit të përcaktohen bashkarisht pikat e kontaktit për shkëmbyer informacionet.
“Vlerësojmë shumë hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane, për ekstradimet si dhe ndihmë ligjore. E dimë që është një punë e vështirë, pasi siç theksoi z. Federico Cafiero De Raho, Italia mundi të zbulojë aftësitë e veprimit të krimit pas disa dhjetëvjeçarësh në përballje me organizatat krininale”-shtoi zonja Marku.
Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj shtoi se tashmë ka materiale të përgatitura për t’u shtruar në bisedime me palën italiane, siç është vepruar në shumë raste, me prokuroritë në Bari, Ankona, Leçe.
Bashkarisht u theksua domosdoshmëria për luftën kundër trafiqeve të drogës apo dhe të armëve si dhe për të zbuluar lidhjet mes krimit të organizuar shqiptar në Itali dhe investimet që kryhen në Shqipëri nga kjo veprimtari në shtetin italian.