Nga BESNIK DIZDARI
Marie Rranzi jetoi 85 vjet. Nuk di se në sa prej këtyre viteve Maria nuk është përmendur thuajse aspak.
Veç nja dy a tri ditëve kur ajo është përmendur si mbajtëse e titullit “Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës”.
Them se Marie Rranzi ka dhjetëvjetësha të tanë që nuk është përmendur.
Natyrisht, kur përfundon karriera e një sportisti, me kohë ai nuk ka përse të përmendet tash e parë.
Mirëpo, kur ai nuk përmendet me dhjetëvjetësha të tanë, atëherë na duhet të pranojmë se është cenuar jo thjesht personaliteti i atij sportisti a sportisteje të rangut më të lartë kombëtar,
por është cenuar vetë kujtesa kombëtare.
Marie Rranzi në jetën e vet ka pasë një shkëlqim të pamasë.
Po për fat, mbas këtij shkëlqimi, për dhjetëvjetësha të mëpasmë ajo mbeti vetëm në kujtesën tonë që ia kemi përjetuar vitet e saj të rralla.
Derisa të mbërrinim në lamtumirën e saj të kësaj vjeshte 2014, për te tejet të heshtur…
A vërtet ka një shtet tjetër në Europë që është kësisoji indiferent me një themeluese të tij në një fushë të caktuar?
Nuk e di. Por jam i sigurt se nuk mund të ketë një rast të dytë që një themeluese si Marie
Rranzi, shteti i saj “ta nderonte” thjesht me një pension prej 110 eurosh (16.000 lekë të rinj) dhe në këte mbyllje të saj jopak të trishtuar, të mungojë asisoji në lamtumirën e saj.
Për fat, e vërteta është se Shqipëria, në historinë e shoqërisë së saj (jo ate politike) është një shembull i rrallë i cenimit të kujtesës kombëtare.
Ndërsa në sport ajo është cenuese shembullore! Marie Rranzi është përtej themelueseve të sportit shqiptar.Dhe mund të them se si e tillë, nuk di që një themelues të nderohet më pak se ajo.
Madje,
siç ka shkruar në “Panorama Sport” gazetari i ri Senad Nikshiqi, teksa ajo u përcoll muajin që shkoi, në lamtumirën e saj, nuk u pa asnjë ceremoni e veçantë, asnjë përcjellje drejtuesish apo personalitetesh.
E pra, meritonte homazhet në sallën e Komitetit Olimpik Shqiptar, kur dihet se ka qenë anëtarja e parë femër në rithemelimin e organizatës sportive shqiptare të Mbasluftës (BFSSH, 1958) e shndërruar pak muaj më vonë në
Komitet Olimpik.
Marie Rranzi ishte kështu një themeluese. Dhe ai komb që nuk nderon themeluesit e vet të të gjitha fushave të jetës e historisë së tij, përparimin e tij vetvetiu e ka të ngadalshëm.
Sepse, pa ditur se nga vjen, çka ke bërë deri tani, çka ke themeluar, sendërtuar, ndërtuar, zhvilluar, rritur, fuqizuar, vështirë që të kesh përparimin e duhur.
Ngaqë të mungon busulla e ecurisë. Marie Rranzin, unë, si gjithë moshatarët e mi, e kam Marie Rranzi, Marie Rranzi, Marie Rranzi, themelimet dhe themelimet dhe kujtesa kombëtare kujtesa kombëtare njohur qysh se kam qenë fëmijë.
Sepse Maria ishte një prej simboleve të qytetit tonë të Shkodrës.
Kur kalonte Maria në “Piazza”-n e Shkodrës, shtathedhur dhe elegante, ne thoshim: “Është Maria”.
Mandej, kur e ndiqnim në parkun sportiv, që për fat ishte sa në oborrin e Gjimnazit sa mbrapa tij në këndin “Spartak”, e admironim. Asokohe ne nuk kujtoheshim se Maria ishte një themeluese.
Ne e admironim ate thjesht si një sportiste të rrallë. Sidomos në ndeshjet e basketbollit të femrave ku ajo shquhej për një seriozitet si pakkush.
Jashtë ndeshjes, asaj i endej një mirë- si e buzëqeshje krejt e çiltërt si kjo e fotos portret të saj që po shoqëron këte shkrim.
Kjo foto “antike” është i pari fotoportret që është botuar ndonjëherë për një sportiste në Shqipëri. Ajo i përket vitit 1946, shekullit të shkuar.
I është botuar kjo foto si Kampione Kombëtare e vrapimit të 100 metrave. Marie Rranzi është pra kampionia dhe rekordmenia e parë e Shqipërisë në garën më të vjetër dhe më nobël të njerëzimit, ate të vrapimit të 100 metrave.
Dhe duke qenë se kjo është gara
e parë që është zhvilluar për Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, del qartë që Marie Rranzi është kampionia e parë në sportin shqiptar.
Ajo i ka vrapuar 100 metrat, siç shihet në foton tonë, në pistën e Shallvares, të Tiranës, me një epërsi të dukshme ndaj shoqeve, me shifrat 14.4 sekonda.
Ju duket pak? E keni gabim. Sepse ky është rezultati themelues i atletikës shqiptare të vajzave. Ka qenë në shekullin e shkuar, 68 vjet më parë! Maria – kampionia jonë e parë ka qenë vetëm 17 vjeç.
Sporti Shaiptar nuk njeh themeluese më të re se ajo. Ajo është femra e parë në historinë e Shqipërisë që ka përfaqësuar vendin e saj nën fanellën e Kombëtares. 1946. Lojërat Ballkanike të Tiranës.
Atë ditë tetori 1946, kjo kombëtarase e parë ishte – e 6-ta në vrapimin e 100 metrave me tri të dhjetat më pak nga rumunia e mirënjohur Receanu. Natyrisht duket një prehistori. Mirëpo pa një prehistori, nuk ka histori.
Marie Rranzi nuk është themeluese vetëm në atletikë.Ajo është themeluese edhe në basketboll, edhe në volejboll, edhe në pingpong, edhe në edukim fizik, edhe në trajning, edhe në mësimdhënie.
Kudo kampione. Kudo rekordmene. Kudo themeluese. Marie Rranzi është pra Kampione e Shqipërisë në 100 metra më 1946, më 1949, më 1950, më 1954, më 1956.
Ajo është
Kampione e Shqipërisë më 200 metra më 1946 dhe më 1950. Është Kampione e Shqipërisë në kërcimin së larti më 1949. Është Kampione Shqipërisë në kërcimin së gjati më 1949 dhe më 1954.
Marie Rranzi është Kampione e Shqipërisë në stafetën 4×100 metra më 1947, më 1949, më 1951, më 1952, më 1953, më 1953, më 1954, më 1955, më 1959!
Kjo do të thotë se Marie Rranzi është 19 herë Kampione e Shqipërisë. Dhe deri më sot ajo është e vetmja kampione që njeh sporti shqiptar në pesë disiplina të ndryshme të atletikës së lehtë dhe në tre sporte të ndryshme, duke qenë gjithnjë themeluese.
Sepse ajo është Kampione e Shqipërisë edhe në volejboll, nënkampione në basketboll dhe lojtare e Kombëtares së Shqipërisë në basketboll.
Askush deri më sot në historinë e sportit shqiptar nuk ka arritur deri këtu. Pa harruar ndërkaq se ajo në të gjitha këto gara, ka qenë edhe plot 11 herë rekordmene e Shqipërisë, madje rekordmenia e parë.
Edhe në këte rast themeluese. Të gjitha këto të rreshtuara kësisoji në hapësirën e ngushtë të një shkrimi, sa të duken pak, kur sheh dendësinë e fakteve, të duken shumë, fort shumë!
Si ka mundësi që Marie Rranzi të ketë qenë kësisoji themeluesja më poliedrike e sportit shqiptar? Dy janë arsyet.
E para sepse femra shqiptare e mbuluar në shekuj prej një fanatizmi të fuqishëm ka vonuar tejet të shfaqet në fushën e sportit.
Prej një prapambetjeje shekullore, një dalje apo shfaqje e këtillë, edhe përçmohej asokohe. Ato vite të para të Mbasluftës, femrat sportiste numëroheshin me gishtat e njerës dorë. Dhe vetëm në dytre qytete kryesore.
Dhe një Marie Rranzi i duhej të gjendej kudo. Sa në pistat e pedanat e atletikës së lehtë, po aq edhe në fushat e basketbollit – tre sportet e para bazë që e nxorën femrën shqiptare në mjedisin e botës së pamasë të sportit.
Kësisoji, një Marie Rranzi është themeluese jo thjesht e përhapjes së sportit te femra shqiptare, por ajo është themeluese e një dukurie sociale (shoqërore) që i ka shërbyer atdheut për të thyer një fanatizëm, një mbrapambetje, për të ndërmarrë pra një civilizim, një qytetërim që deri asokohe Shqipëria nuk e kishte njohur.
E ky them se është themelimi më i madh që një Marie Rranzi i ka blatuar kombit të saj. Nuk do të ndalem në përsiatjen e rezultateve të kampiones e rekordmenes së shquar, themeluese të Shqipërisë sportive, me emrin Marie Rranzi.
Nuk do të ndalem e të tregoj as se sa bukur e luante ajo basketbollin, në universalitetin apo larminë e një elasticiteti, elegance e kërcimi të një atleteje, çka i jepte asaj përherë një përparësi e çka për kohën qe po aq edhe një risi.
Në këte vështrim, ajo dhe shoqet e saj kanë pasur një fat të madh. Ato i kanë marrë nderimet dhe simpatinë e madhe të publikut.
Për paradoks, nuk ka qenë si sot, kur pallatet e sportit janë thuajse pa spektatorë. Në Shkodër ajo e ka luajtur basketbollin deri para 3000-4000 shikuesve! Po kështu edhe në Tiranë apo edhe në Durrës a Korçë.
Nuk do të ndalem këtu e të portretizoj agonizmin e saj të pamasë, seriozitetin e garës, vullnetin e pakrahasueshëm, sakrificat e mëdha të saj.
Më fort se të gjitha këto, më vjen të përmend aktin e saj të vitit 1945-1946, kur e mbështetur prej familjes së saj fisnike e qytetare të klasit të parë, e babait të saj, atdhetarit të mirënjohur Simon Rranzi, ajo doli e para në fushën sportive duke thyer një mendësi, duke shpërthyer në krejt sinqeritetin e saj sportiv, duke hapur një rrugë të panjohur, duke u thënë shoqeve të saj: “ejani edhe ju”.
Dhe ato erdhën. Në fillim erdhën pak. Mandej erdhën duke u shtuar, teksa Maria ishte një epiqendër. Do të ishte ndër të parat që do të studionte jashtë, në Akademinë e Edukimit Fizik të Sofjes.
Do të kthehej pedagoge deri e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, do të
zgjidhej në forumet e BFSSH-së që drejtonte sportet kombëtare dhe për shumë vite do të ishte aty ku filloi: tash si trajnere – pa dyshim trajnerja e parë femër e sportit shqiptar.
Edhe këtu një themeluese. Marie Rranzi ka qenë kë- sisoji një sfidë kombëtare, atdhetare madje, që është aty, e pashlyeshme në kujtesën kombëtare. Edhe kur këte kujtesë dikush çuditërisht e ka cenuar.