Historitë e Udhës së Madhe

UDHA E VJETËR SHKODËR – OROSH – PRIZREN dhe rivitalizimi i saj në funksion të turizmit malor

Gjithkush e di se turizmi malor nuk bëhet përmes autostradës, me makina të shpejta, por, thënë në mënyrë të figurshme, me kalë! Shpejt do të vijë koha, që të “ngopur” me detin dhe shijen e tij të kripur, do t’i kërkojmë malet me pahir, për paqen shpirtërore që na falin, ekzotiken, doket e vjetra, folklorin, ashtu si dhe për pasuritë natyrore të tokës e nëntokës.

Atje janë pyjet, kullotat, flora, fauna, ujërat, mineralet. Ndaj rruga e vjetër Shkodër-Orosh

nuk mplaket kurrë, madje mund të jetë tani koha e “rikthimit” të saj. Ka qenë një arterie që e përshkonte Shqipërinë Veriore, nga skaji perëndimor në atë lindor, duke pasur jetën e saj në lëvizje, me udhëtarë të vendit e vizitorë të huaj, qysh kur kësaj rruge, nga Shkodra në

Prizren, udhëtoi me 1610 Marin Bici, Argjipeshkvi i Tivarit, duke lënë të shkruar një raport prej 120 faqesh dërguar Vatikanit për këto vende e banorë. Po ashtu, në Kashnjet është mbledhur kënga e parë e Eposit të Kreshnikëve, nga Gustav Majer më 1896, një lajm më vete ky. Por dhe sa dijetarë të tjerë europianë kanë kaluar këndej, kohë pas kohe! E si të mos ketë sot udhëtarë të botës kësaj udhe?…

Historitë e Udhës së Madhe… dhe projektet e zhvillimit rajonal

Udha e Madhe, më shumë se emërtim, ishte një titull që nuk mund ta kishte çdo rrugë, por vetëm ajo që dilte përtej fshatit, bajrakut, krahinës, nganjëherë dhe përtej shtetit, që shpesh ishte e pafundme, pasi lidhej e ndërthurej me udhë më të mëdha se ajo vetë, ashtu siç në nisje kishte thithur shtigjet malore të rrethinës për t’i bërë të sajat. Udha e Madhe nuk mund

të ishte një udhë e vogël, ani se mbi të kalonin të mëdhenj e të vegjël; përshkohej nga burra e gra, vendës e të huaj, njerëz të paqes e të luftës, krushq e mortorë. Siç ishte dhe Ara e Madhe, Vija e Madhe, Guramëdhenjtë etj.

Udha Shkodër-Orosh kishte qenë e hershme, mesjetare, por ajo do zgjerohej e shtrohej me kalldrëm gjatë Luftës së Parë Botërore nga austro-hungarezët. Kishte dy “delta”, njërën në Lezhë, që prekte detin e Nimfeut (Shëngjin) dhe tjetrën në Shkodër, kryeqendrën kulturore të

shqiptarëve. Njëri krah rruge, pasi kalonte Kallmetin, merrte së përpjetës malore të Kreshtës, duke “kulmuar” në majë të saj, pastaj ulej teposhtë për në Rrasin e Butë, Fregën e Ungrej;

kurse tjetri pasi kalonte Drinin në Vaun e Dejës, futej nëpër Mnelë e Vig dhe bashkohej me simotrën lezhjane në Qafën e Pazarit, në Ungrej. Kjo rrugë me dy këmbët e saj fushore, qytetëse, shkonte paralel me rrugën e njohur të karvanëve Shkodër – Pukë – Kukës – Prizren, se nuk kishte asokohe rrugë që ndalej në Morinë, apo Qafën e Prushit, po të gjitha rrugët e këndejme mbërrinin në Kosovë.

Kanë qenë të shumtë udhëtarët e Udhës së Madhe, mes tyre dhe një zotëri shkodran, që e përshkoi atë, nga 9 vjeç deri në 90 vjeç, studiuesi Kolë Shtjefni, që shkroi për çdo shtëpi, katund e ndodhi të kësaj ane, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar. Edhe pse janë ndërtuar udhë moderne, kujtimet e rrugës së vjetër nuk janë shuar. As gjurmët e saj të kalldrëmta,

ende të pashprishura, në Qafën e Gurit të Premë (Vig), Qafën e Pazarit (Ungrej), Fushën

Papërdhok (Kalor), Qafë-Vorrëz (Kaçinar), Qafën e Valmirit (Simon), Shkallën e Madhe (Pëshqesh) etj. Ka njëqind vjet që rrasat e gurta mbi rrugë nuk kanë lëvizur, ndokund shihen

dhe pjesë muresh, por sidomos shtrati i rrugës shquhet gjithandej. “Rruga mirëmbahej nga katundi, me punë vullnetare, – kujton Ndue Simoni kohën e largët të fëmijërisë së tij. Ne si Kalor kishim pjesën nga Fusha Papërdhok deri në Lumagjin. Ishte detyrim me e mirëmbajt

rrugën gjatë gjithë vitit. Rrallëkund kishte ura, vetëm trungje gjatë verës, që i përlanin shirat e vjeshtës. Ishte vetëm Ura e Gjazujve, që ishte gjetur si mesi i vendit. Njëherë kishte qenë shi i madh dhe një të vdekur e kishin mbajtur burrat, rretheqark nëpër tri copë katunde, derisa kishin mbërritur te kisha e Sh’gjergjit, pa asnjë grua me vete”.

Të tjerë banorë thonë me krenari se prej këndej rridhnin Gazullorët e famshëm, por sakaq shtojnë se nuk ka kuptim të rrimë e të “numërojmë” lavditë që kemi pasur, pasi sot kemi barrën me e nxjerrë historinë nga harresa. Dhe sytë i kanë te projektet e zhvillimit rajonal etj.

“Nëpër Tërthoren e Dibrit ka pas kalue karroca me kuaj”

Hekard, ndër të parët udhëtarë të huaj që e ka përshk(r)uar Mirditën, shkruan se Bajraku i Dibrit është më i madhi i krahinës, me 595 familje dhe rreth 6000 frymë, në shekullin e 19-të. Dibri kishte 9 krerë (pleq): Paluca i Kashnjetit, Bica, Tokrri, Pal Voci, Gjin Gjok Gjergji,

Boci, Kol Ndre Dedushi, Gjon Ndreca, Deda i Kol Lukës. Këto i gjejmë të shkruar në revistën

“Hylli i Dritës” të vitit 1927 nga kronikani i kohës Dom Prend Suli. Gjeçovi mblidhte Kanunin prej gojës së tyre, sidomos të Palucës. Bajraktari ishte një i parë ndër të parët. Bënte dallim vetëm bajraktari i Oroshit, Preng Marka Prenga, i cili në vitet e Pavarësisë u kishte prirë ushtrive kryengritëse të krejt Mirditës. Teksa mediton mbi rrënjët dhe gurët e historisë, merr

rrugën nga Vau i Dejës për në komunën Vig – Mnelë, në pellgun e lumit Gjadër, e përbërë nga popullsi mirditore. Aty kanë qenë katër kisha: e Shën Rrokut, e Shën Ndout, e Shën Mhillit dhe e Shënkollit, kjo e fundit dhe famulli, në Mnelë të Vogël.

Dibra dhe Dibri (Dibrri) nuk duhen ngatërruar, pasi janë tjetër për tjetër. Njëri, emër femëror i një krahine të madhe etnografike, që dikur ishte rreth e sot qark, në Shqipërinë Verilindore: Peshkopia dhe Dibra e Madhe, kurse tjetri, emër mashkullor i njërit prej 12 bajrakëve të Mirditës, në anën veriperëndimore. Më i dukshëm bëhet dallimi kur themi: dibran dhe dibrak

(dibrrak). G. Hahn thotë se këta banorë “nuk duhen ngatërruar me dibranët e Drinit të Zi”. Pra, nuk ka vend për ngatërrim mes Dibrës dhe Dibrit, dhe pse ndonjëherë kjo ka ndodhur. Ndonjë studiues i zonës hidronimin Zalli i Dibrit, Përroi i Dibrit e shpjegon me fjalën e vjetër

bërrakë (bërraka e shiut), e ngjizur aty në Fushë-Papërdhok, e cila qarkohet nga dy “bërraka”, përroi i Ungrejt dhe ai i Gjazujve (di)bërrak. Edhe në raste të tjera kemi formime të ngjashme, nga di/dy përrenj që pikëpriten, si Ndredi (ndër dy përrenj) në Kaçinar, Kalivare, apo Ndërlysaj etj.

E gjithë Mirdita shkonte dhe vinte nëpër Udhën e Madhe, për pazar e për kuvend, për kryengritje e për flamur, për votimet e dyta e për të hapur shkolla. Më këmbë e mbi kuaj. Zotnitë mbi karroca, si në vendet perëndimore. Mbi kalë pati shkuar kreshtave të Dibrit dhe Mis Edit Durham, që pati bujtur një natë me murgeshat e Kashnjetit…

“Këndej ka pas kalue karroca me kuaj”, vazhdojnë të përsërisin vendësit atë që për ato territore dikur përbënte ngjarje.

Vig, kalaja e Skënderbeut e shuar dhe një lapidar partizan i rrënuar

Kalaja e Vigut

Kalaja e Vigut (Kastrit) gjendet në një sheshore, ku bashkohet lumi i Gjadrit me atë të Vomës, me një sipërfaqe prej 5600 metrash katrorë, në një mjedis të bukur, në kryqëzimin e rrugës Shkodër-Orosh dhe Lezhë-Pukë-Prizren, e rrënuar prej shekujsh, duke u bërë përherë e më e “padukshme”. “Monument kulture – mbrohet nga shteti”, qysh prej vitit 1948, kur

dhe bëhet i pari inventarizim i monumenteve kryesore, por që shteti nuk ka mundur të mbrojë. Ajo kala, e përshkruar nga Hahn, tash ka mbetur nëpër fletët dhe skicat e një studimi të vyer të profesor Gjerak Karaiskaj: “Kështjella e Vigut është ndërtuar mbi rrugën e rëndësishme ushtarako-tregtare Lis-Naisus dhe pikërisht në kryqëzimin e saj me rrugën që

lidhte Shkodrën me Oroshin. Kështjella ka formën e një katërkëndëshi të çrregullt me brinjë 75-98 m dhe është pajisur me 12 kulla. Katër kullat e këndeve kanë formën e një freskoreje, të ngjashme me ato të Elbasanit…” Ajo zotëronte të gjitha shtigjet, duke garantuar kalimin nga kjo pjesë e malësisë në fushë. Famullitari i Vigut, Dom Engjëlli, i kishte thënë George von Hahn se “Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatërruar, rrënojat e

shpërndara të të cilit ndodheshin në perëndim të famullisë së Vigut, të cilën populli e quante dhe sot e kësaj dite si Kastri. Këtu kishte jetuar i ati i Skënderbeut, i cili kishte vazhduar të rronte aty, edhe mbasi i ishte dorëzuar Sulltanit, derisa u helmua me anën e një xhybeje të kushtueshme (rrobëdeshambër i mëndafshtë), të cilën ia kishte dërguar Sulltani si dhuratë. Kështu kishte vazhduar të qeveriste dhe e veja e tij, deri në kthimin e Skënderbeut…”

Kjo është legjenda që prifti i tregon dijetarit europian, i cili vijon përshkrimin e tij: “Akoma më interesante sesa kjo formë e legjendës, ishte për ne zbulimi i një vendlindjeje të re të Skënderbeut, për të cilën kishte marrë dijeni që në kohën e tij Ami Boué dhe për gjetjen e së cilës në zhvilluam më kot kërkime gjatë qëndrimit tonë të shkurtër në Lezhë. Don Engjëlli na

tha që këto rrënoja kishin një shtrirje të gjerë. Themelet e mureve rrethuese mund të shihen gjatë anëve të këndit që formon derdhja e përroit të Vomës në atë të Gjadrit. Ato përbëhen nga gurë të palatuar, të lidhur midis tyre me gëlqere dhe (janë) të një madhësie të vogël

“pikërisht ashtu siç ndërtohen dhe sot e kësaj dite”. Shtretërit e thellë që kanë hapur këta dy përrenj në tokën e butë fushore përbëjnë hendeqet (transhetë) natyrore të qytetit. Në pjesën e brendshme gjinden gjithashtu shumë mure themelesh, por asnjë që të ketë lidhje me ndërtesa të mëdha ose kisha. Ai na tha që në një faqe muri kishte numëruar njëherë tetë

kthina të vogla, por nga fjalët e tij ne nuk mundëm të përcaktojmë, nëse këto kishin qenë kulla apo vendroje…”

Hahn, që e sheh atë të braktisur në motin e largët 1863, kur vinte për studime nga Akademia e Vjenës, nuk rri pa na qortuar: “Fakti që ky qytetërim është shkretuar plotësisht tregon qartazi shkallën e ulët të zhvillimit të këtyre vendeve”, për më tepër që objekti muzeal ndodhet në një kryqëzim rrugësh. Intelektualë nga Mirdita, Shkodra e Lezha i mëshojnë fort idesë se kjo rrugë duhet të ribëhet, veçanërisht për turistët, ku ata të lëvizin këtyre grykave

mbase me pajton. Por a do të mund t’ua tregojmë kalanë atyre, në gjendjen e shkatërruar që është? Apo Instituti i Monumenteve të Kulturës do të ndërmarrë ndonjë projekt, sa nuk është shkulur dhe guri i fundit!? E rrënimi nuk është ndalur këtu. Fatin e kalasë së Skënderbeut e ka pësuar dhe lapidari i “5 Heronjve të Vigut”, ku dikur kremtohej përvjetori i

rënies së tyre. 21 gushti mund do t’i mbledhë sërish veteranët, ndaj lapidari duhej siç ka hije. Festa e njëqindvjetorit të Pavarësisë është përkujtesë për të gjitha ngjarjet historike të kombit, prandaj ca gëlqere mbi atë lapidar do të ishte ajo “faqja e bardhë” që nuk duhet të na mungojë, kur është fjala për luftën e fundit të shqiptarëve për liri…

Kreshta, “kumbanore” e Kuvendit Françeskan të Troshanit

Çfarë tjetër do t’iu rrëfenim turistëve të nesërm të kësaj udhe?… Duket sikur dëgjojmë vetë At Donat Kurtin të na thotë: Këtu, në këtë brinjë mali, me 14 qershor 1882, qe hapur një nga shkollat më të mira shqiptare, Kolegji Françeskan i Troshanit. Është një datë që do ngulitur

mirë në kujtesë. Dikur fretërit rronin dhe mëshonin lart në Shkrep të Troshanit, më pas ata zbritën poshtë, aty ku quhej Kuvendi i Ri. Rrëzë malit të Kreshtës, gjendet një kishë madhështore, ku ka qenë kolegji i përmendur, me të cilin lidhet emri i Gjergj Fishtës, Shtjefën Gjeçovit, Pashk Bardhit etj., si nxënës e më pas dhe si mësues. Aty nxënësve dhe

studentëve u mësohej letërsia dhe filozofia greko-romake, leximi shqip, leximi italisht, gramatika shqipe dhe italiane, matematika, historia, gjeografia, historia e shenjtë, muzika, bukurshkrimi, hartimi shqip dhe italisht, përfshi dhe leksione mbi tregtinë etj. Ja, pra, dhe një shkrep nën Kreshtë është plot më histori, si dhe një tjetër shkrep i bardhë në Rubik, ku ishte Noviciati… Duhet një pllakë, një “shigjetë” që t’i orientojë turistët dhe jo vetëm ata për nga ai tempull dije e besimi. Nuk mund ta dëshmojmë kombin tonë pa e ditur se ku i kemi pasur

qytezat e vjetra dhe ipeshkvitë e motshme. E kjo anë e Zadrimës, nga Lezha në Vaun e Dejës, po dhe krejt malësia deri në Nikaj-Mertur, është plot me shenja të një qytetërimi mrekullues.

Ungrej, qendra e parë e nënprefekturës së Mirditës

E gjithë zona malore e matanë Kreshtës quhet Kashnjet, dikur qendra e bajrakut. Siç e thotë dhe vetë emri, ishte vendi i gështenjave. Ka një poezi të Martin Camajt mbi mikpritjen në Kashnjet, që mund të mos jetë mirëfilli ky, por një tjetër malësi, më e epërme, por mjaft e

ngjashme. Me 1904 në Kashnjet qenë mbledhur krerët dhe patën vendosur kufizimin e gjakmarrjes për fis, që do të thoshte se nuk do të shtihej për gjak mbi askënd tjetër, përveçse mbi doracin. Më vonë fitoi emër Ungrej (Fusha e Mirë), ngaqë pas Kongresit të

Lushnjës u bë qendër e Nënprefekturës së Mirditës. Prej asokohe ka pasur dhe një linjë telefonike gjithkund përgjatë rrugës Shkodër-Orosh, por dhe disa posta xhandarmërie, në Ungrej, Qafë-Vorrëz dhe Shën Pal. Në korrik të vitit 1970 me dekret të Presidumit të

Kuvendit Popullor prishet lokaliteti i Kashnjetit (Lezhë) dhe krijohen fshatrat e bashkuar: Ungrej, Kashnjet dhe Kalivaç. Sot Komuna Ungrej përbëhet nga fshatrat Rras i Butë, Gjobardhaj, Kashnjet, Kalivaç, Fregën, Ungrej, Kalor, Sukaxhi, Gjazuj.

 

Ka pasur këtu disa vendbanime të lashta të kohës së bronzit të fisit ilir të Pirustëve. Ndër dëshmitë historike janë vendi i quajtur Qyteza, tumat e Fushës Papërdhok në Kalor, një përkrenare bronzi e zbuluar në Fregën, disa rrënoja kishash të hershme etj. Në Ungrej hasim edhe toponimin “Kodra e Dukagjinit”.

Me njerëzit e rrugës, shtegtarët, do të shkruhej një roman në lëvizje. Një nga shtegtuesit e merituar të viseve shqiptare ishte dhe Baron Nopça, i cili kalon nëpër: Vig, Kalivaç, Kaçinar, Spaç, Orosh, Rubik, Rrëshen, Kthellë prej vitit 1905 e deri më 1910-n, ku në Mirditë ishte si i shtëpisë, pasi veçanërisht në Orosh kthehej herë pas here. Udha e Madhe ishte jo vetëm

udha e albanologëve të shquar. Më vonë shumë intelektualë nga Lezha, mësues, agronomë, mjekë, veterinerë e të tjerë kanë kryer “stazhin” disavjeçar në Kashnjet. Ndoc Gjetja pati

botuar përshkrimin “Poemë malore nga Kashnjeti”, ku shkruante se fëmijët e shkollës e përshëndesnin me përzemërsi udhëtarin, edhe pse nuk e njihnin. Ishte normë e pashkruar e kodit të maleve dhe përshëndetja. Udhëtari kishte statusin e mikut dhe si i tillë ai ishte i paprekshëm, as vritej, as grabitej. Të huajt kanë veçuar si shprehje të humanizmit, kalimin

në shpinë nëpër vahe të udhëtarëve, nga vendësit, që ia dinin huqet lumit. Shtegtarë të Udhës së Madhe ishin edhe barinjtë. Një grua e moshuar kujton kohën e largët kur udhës shkonin barinjtë e Gjomarkajve me tufat e dhive. “Dimrit i ulnin në Zadrimë, kurse verës i nxirrnin në

bjeshkë. Kishin shumë bagëti. Kur iu dilte para ndonjë i vobektë, i falnin ndonjë krerë bagëti.” Më vonë shtegtarë të tillë, me ditë e me net, ishin kuksianët me tufat e kooperativës. Lumjanët vinin për të nxjerrë kërcura shqope, që ishte një zeje e tyre. Udhëtarë të këtyre kreshtave ishin dhe gjeologët, fillimisht ata rusë, shqiptarë, më pas dhe kinezë. Të gjithë kishin një ndalesë, Kroin në Qafë-Vorrëz nën hijen e qarrave, sa për t’u freskuar pak…

Nëse shumë banorë kanë ikur nga Ungrej, është dikush që me punën e tij do që ta frenojë ikjen e mëtejshme e ky është kryetari i komunës, Gjovalin Gjoni, për të tretën herë radhazi

në këtë detyrë. Ai nuk e ka pasur problem të matet me Kreshtën, malin e pathyeshëm shkëmbor, duke e bërë rrugën për të kaluar “Fiati”, siç thonë ungrejsit. Ka ndërtuar rrugë, ura, ujësjellës etj. Shkurt, është njeriu i duhur për të qeverisur komunën. Por nuk është vetëm ai

që kërkon zhvillimin rural. Pak kohë më parë në Ungrej ishte një grup specialistësh të Këshillit të Qarkut Lezhë, për të ndërmarrë hapa konkretë për turizmin malor. Si fillim sensibilizim,

ndonjë guidë në vendet më pikante, përpjekje për të ngritur 4-5 kullat (bujtinat) e para mikpritëse për turistët, ato që gabimisht në Theth i quajnë “40 hanet”(!?), kur në traditën

shqiptare hanet ishin për kuajt dhe jo për njerëzit.

Fusha Papërdhok në Kalor, pengu i arkeologjisë shqiptare

Ajo është një fushë plot me tuma, që ka mbetur memece prej dy mijë vjetësh, në vend që të ishte një stacion arkeologjik i Udhës së Madhe e më shumë. Nuk mund të na thotë se cili ka qenë qytetërimi i saj antik. Nga gjetjet rastësore dhe sidomos nga pamja tepër e veçantë e

objektit, është gjykuar se kemi të bëjmë me një varrezë tumalore ilire. Në asnjë vend tjetër të Europës një “rezervat” i tillë arkeologjik nuk do të ishte lënë i pagërmuar tash një shekull. Fusha Papërdhok pret arkeologët!…

Banorët e këtushëm thonë se janë të ardhur nga Bicajt e Lumës, duke sjell si argument dhe toponimet “Mullinjtë e Bicojt”, “Kopshti i Kolshit”, si mbartje nga kohëshpërngulja e tyre. Shpatet malore të Kalorit kishin qenë veshur me lisnajë, por qenë futur traktorët për

shpyllëzim dhe hapje tokash të reja. E gjithë lufta e malësorit në jetë kishte qenë toka. Një

burrë pati shitur armët e brezit për të blerë tokë. Dikush qetë e hullisë. Një tjetër që kishte pasur napolona ari, i kishte bërë kullotë. Toka ishte gjëja më e shtrenjtë për të, por dhe dramatike në kulm. Mjerisht ende nuk kanë pushuar as sot dramat e saj. Ndër burrat e

përmendur të gjysmës së parë të shekullit 20 ishin Ndoc Bardhi (kryeplaku), Zef Çupi, Zog Lleshi etj., por dhe ndonjë personazh (a)tipik si prifti i shkishëruar pas ‘67-s, Dom Nikollë Luli, që do të ruante dhitë. Kalorësit kanë dëshirë të vënë në dukje virtytet e racës. Kishte rend e prije në gjithçka, në ndejë e në kuvend, në ecje e në pushim. Në Lakun e Shupmerit grumbullohej fshati, para se të nisej për te kisha e Sh’gjergjit, por askush nuk ulej në vendet e rezervuara për dy krerët e “fiseve”. Zënia e bërcakëve ishte pasioni i tyre, për çka ata bënin prita me gurë në formë V-je në lumë, që quheshin kofna, ku mblidheshin peshqit gjatë natës;

dhe nuk mund të gjuhej kofna e tjetrit, pasi ishte si t’ia merrje peshkun në tavë…

Të moshuarit përmendin dyqanet shekullore të tregtarëve shkodranë, të Gjon Kodhelit, Dugajën e Gasprit, apo në Vaun e Kripës (te Shtëpia e Kaziut), ku një tregtar vinte thasët me kripë mbi gurin e zi dhe shiste në ditë të caktuara. Tregtarët mblidhnin edhe prodhimet e

vendit, qymyrin e drurit, shqemin e të tjerë dhe i çonin në Shkodër. Marka Nikollë Ndoj, me kalin e tij, mbarte furnizimet e konviktit “Mirdita”, nga Shkodra në Orosh. Tregohen ende histori të dhimbshme përballjesh, dilemash, pabesish, intrigash, në kapërcyell të Luftës II Botërore e më pas. “Plakat e Kaziut”, Dranen dhe Prenën, lufta politike i la të vetmuara. Ato

nuk ishin plaka, por pa njeri në vatër ngjanin ashtu. Asgjë nuk i kishin bërë ato dy gra të urta regjimit, madje as nuk mund t’i bënin, por ishin gra të arratisurish dhe kjo ishte e mjaftueshme. Ndreca ishte në Amerikë dhe letrat që i dërgonte së shoqes, Prenës, në fillim ia lexonte prifti, pastaj mësuesi i fshatit.

Në Fushë-Papërdhok ishte ngritur shkolla fillore, më pas dhe ajo 8-vjeçare. Kujtohen me

nderim mësuesit: Pjetër Marka Tuci, Prend Frrok Ndoci, Preng Ndreu, Ndue Preng Marka Gjini, Dodë Gega, Filip Marashi etj. Ka qenë viti 1963 kur disa fëmijë nga lagjja Qafë-Vorrës e Shëngjergjit shkuan në shkollën e fshatit fqinj, Kalor, ku i priste një mësues fjalëpak, i qeshur

dhe i matur, i cili do t’iu mësonte abc-në. Ai quhej Prend Frrok Ndoci dhe ishte nga Sukaxhia. Profili i një mësuesi tipik të kohës. Mësuesit e viteve ’60 ishin një hap më tej mësuesve të pas luftës, që kishin qenë ish-nxënës të konviktit “Mirdita”.

Shëngjergji, njëri nga stacionet e Udhës

Auguste Degrand, konsulli francez në Shkodër, më 1896-n, duke udhëtuar nga Shkodra në Mirditë, nëpër dheun e Dibrit, shkruan: “…Pas dymbëdhjetë orësh udhëtimi me kalë (nga Shkodra) i gëzohemi shumë mbërritjes në vendin e pushimit, që është qela e priftit në Shëngjergj (780 metra mbi nivelin e detit). Pritja e Dom Ndoit të Madh është ajo e gjithë

priftërinjve shqiptarë, për të cilët jam i lumtur të shpreh tani mirënjohjen time më të mirë. Mikpritësi ynë i mrekullueshëm banon me të motrën dhe mbesën, një vajzë e re mirditore

mjaft e lezetshme me kostumin e saj bardhë e zi. Kureshtja ndaj saj më jep herë pas here kënaqësinë t’ia shoh profilin e hollë. Lëkura e saj si fildish i praruar, pamja serioze i japin një hije prej virgjëreshe bizantine. Përveç kësaj gratë dhe vajzat mirditore dalin me fytyrën zbuluar dhe nuk iu fshihen vështrimeve ashtu si shqiptaret katolike shkodrane…

Disi të këputur nga lodhja, presim orën e darkës, duke pirë kafen e mirëseardhjes që na sollën e duke soditur një perëndim të mrekullueshëm të diellit. Në horizont dallohet ende liqeni i Shkodrës dhe në mes të reve të trëndafilta, kështjella ravijëzohet ngjyrë vjollcë në qiellin e ndezur. Nga ana tjetër, pamja është po kaq e bukur, madje më tërheqëse, sepse është e

panjohura ku do të hyjmë të nesërmen. Malet janë gjithë drurë dhe masa e tyre e errët, ruan ende në majat e tyre rrezet e fundit ngjyrë portokalli. Në të djathtë, në fund, Mali i Shenjtë që ngrihet mbi Orosh.” (A. Degrand, “Kujtime nga Shqipnia e Epërme”, Shkodër, 2001, f. 72.)

Përshkrimi vazhdon i magjishëm dhe më pas, me thëllëza të kuqe, dhelpra gjahtare etj. Asnjë turist nuk do t’i ikte një peizazhi të tillë mahnitës as sot, kur nga një largësi prej aq shumë kilometrash, shihet Shkodra, liqeni, kështjella. E nëse ngjitesh pak më lart në bjeshkën e Kaçinarit, shihen edhe dritat e Barit (Itali). Por duhet të ribëhet Udha e Madhe, që do t’i

çonte shtegtarët e bukurive nëpër vende të tilla, të ringjallura.

Poeti dhe studiuesi vendas Preng Cub Lleshi, kujton me mall bashkëfshatarët e tij shëngjergjas: Frrok Gjok Dushin, Frrok Llesh Prengën, Ndue Nikoll Markun, Preng Kozhutën, Zef Palokën, Zef Marka Zefin, Nikollë Gjinalin, Ndrecë Prendin nga lagjja Gjinalë, për të

vazhduar me ata të lagjes Zhurri: Gjon Nikoll Gjergji, Llesh Frrok Doda, Ndue Përtusha, Frrok Përleka, Nikollë Ndue Lleshi, Ndue Ndrec Përlazri, Nikoll Prend Nikoll Ndoka etj. “Tek hedh në letër emrat e tyre, më faniten si të gjallë në kujtesë, secili me tiparet karakteristike të vetat, me një botë shpirtërore të pasur e plot dritë. Burra të mençur, që i kishte lodhur varfëria, por

që kurrë nuk i kishte zhburrëruar. Ata bashkoheshin vëllazërisht në dasma e vdekje, për të ndarë me njëri-tjetrin gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Ndaj për mua do të mbetën gjithnjë fisnikë e madhështorë, siç do të thoshte Dritëro Agolli.”

Ura e Vaut të Madh, një monument kulture

Në Pëshqesh, Udha e Madhe takohet me Fanin e Madh dhe matanë malit dhe me Fanin e Vogël. Prej këndej kanë lindur edhe mbiemrat: Marfana, Marzalla, Urzalla, Gjozalli etj. Ura e Vaut të Madh është nga më të vjetrat e Mirditës. Për më shumë, me një legjendë të vetën, që thotë se ajo ishte ndërtuar brenda një nate, për t’u bërë bashkë ushtritë e Skënderbeut

me ato të Lekë Dukagjinit. Dhe, nga terri njëra këmbë pati dalë e shtrembër!… E kanë fotografuar këtë Urë të huajt, Antonio Baldaçi e të tjerë, nga fillimet e shekullit të 20. Është,

pra, dhe kjo një “stacion” turistik i kësaj udhe në zë. Pastaj vjen Shkalla e Madhe, një e përpjetë e pazakontë, që duket se nuk mbaron kurrë, si të jesh duke shkuar më këmbë drejt qiellit.

Është shkruar për Shpalin si vendi i kuvendeve të krahinës, te “Lisat e Shpalit”, për qendrën e nënprefekturës, por kurrë nuk është thënë një fjalë për një kullë në kodër, pasi ajo ishte kulla e kulakut. Ky ishte Gjon Preng Nikolli, një burrë me virtyte, që e kishte lëshuar shtëpinë për partizanët gjatë luftimeve të Shpalit në tetor 1944, por që më pas u persekutua rëndshëm.

Në Shpalin e pasluftës troket dhe një gazetar i “Le Monde”, që takohet e kuvendon me burrat e përmendur të Blinishtit, Ndue Marka Përkolën e të tjerë dhe kur kthehet në Paris shkruan

një artikull me titullin e bujshëm dilematik: “Kush do të fitojë, ligji i vjetër i maleve, apo ligji i ri i Enver Hoxhës?” Shpejt u pa se tradita do të pushonte, për të marrë hov agjitpropi

komunist. Me siguri që gazetari francez nuk do të shkelte më në trojet e kanunit, Shpalin historik, ku kishte qenë motit dhe një abaci benediktiane. Dëgjon tani dhe aso historish që nuk thuheshin deri dje. Ata gjermanë kishin nga një gur te varri. Lufta i kishte vrarë, si një

rrebesh në ikje, por pëshqeshasit, edhe pse ata kishin qenë pushtues, nuk ua kishin tretur varret. Iu kishin vënë nga një gur te kryet dhe u thoshin fëmijëve vazhdimisht: “Mos luani andej, se janë varret e gjermanëve.” Në asnjë hartë topografike apo lajmëtore nekrologjish

nuk ishin ato varre, përpos se në memorien e popullit, që dinte t’ia nderonte vdekjen gjithkujt, edhe hasmit.

E ndodhitë nuk kanë të sosur, por tash janë tepër të rrallë ata që rendin pas tyre, ashtu si dhe

pas peizazhit malor të vrarë nga lija e tranzicionit. Por do të ketë natyrisht idealistë, pasionantë, shpresëdhënës. Njëri prej tyre, Gjok Gjoka nga Blinishti, farmacist në Rrëshen,

nuk ka lënë mal pa u ngjitur me aparatin fotografik në dorë. (Ai ka realizuar dhe disa prej fotove të këtij reportazhi.) Me anë të “blicit” ai sikur i fton vizitorët, bash aty ku Udha e

Madhe shkrihet me Rrugën e Kombit. Fundja kjo ka qenë ëndrra e çdo udhe të vjetër, të rilindet në trupin e një të reje. Ja, për të gjitha këto, turizmi malor është i mirëseardhur në këto anë. Njeriu paraprin me atë që ai mundet. Një inxhinier pyjesh 60-vjeçar, prej kohësh emigrant në Itali, ka vendosur të ndërtojë një vilë në vendlindje. “Do ta bëj të bukur, mes një

pylli që do të mbjellë me drurë të larmishëm.” Dhe nuk është i vetmi që mendon për

“turizmin” familjar. Por duhen shumë udhë, nisma, projekte për të shkuar drejt asaj që ka arritur Austria, Zvicra e të tjerë, çka nuk e bën dot njeriu që ndërton vilën e tij, por ndoshta kështu nis. Pas tij, bashkë me të, aty në vilën e re do të bujtin dhe të tjerë…

***

Shkojmë drejt Oroshit. Përmes shënimeve të udhëtimit të Stavri Frashërit, dijetarit korçar, që më 1930-n “përmes Mirditës në dimër” shoqëronte antropologun e njohur amerikan Carleton Coon dhe të shoqen, i cili u maste malësorëve gjoksin dhe kokën, për të hetuar tipin e tyre

antropologjik. Ai bujt në Kullën e Kapidanit (ku pritet nga vetë Gjon Marka Gjoni), që do të ishte një tjetër stacion i kësaj udhe historike, turistike. Për të vazhduar pastaj rrugëtimin luginës së Fanit të Vogël e deri në Prizren, herë autostradës e herë kreshtave malore. Pa ia ndarë sytë Qafës së Kom(b)it…

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME