— nga Tonin Çobani
“Po kush ka qenë ky (Lekë) Dukagjini? Ai ka qenë sundimtari i këtij vendi dhe në të njëjtën kohë ligjbërësi i tij, mbasi ai ka hartuar Kanunin e Dukagjinit, domethënë dispozitat, në bazë
të të cilave jetojnë deri në ditët e sotme, jo vetëm dukagjinasit, por edhe të gjithë malësorët që banojnë në veri të Drinit… të cilët këtë emër ia atribuojnë heroit të tyre kombëtar”— J.G. von Hahn
Lekë Dukagjini “duhet të ketë pasur një personalitet imponues, që ka ndikuar kaq shumë te njerëzit, aq sa shprehja “Kështu ka thënë Leka”, ka më tepër forcë detyruese se sa të Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e Islamit e të Krishterimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha
duhet t’i nënshtroheshin Kanunit të Lekës… Fama e tij midis fiseve, që ende ruajnë emrin e tij, ia ka kaluar edhe famës së Skënderbeut.” — Edith Durham
Princ Lekë Dukagjini – pikturë nga Simon RrotaLekë Dukagjini është një figurë historike mjaft komplekse. Madje është një figurë edhe e legjendarizuar, nëse e pranojmë këtë term, ashtu siç e kemi pranuar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.
Lekë Dukagjin (1410-1481) ishte bashkëkohës i Gjergj Kastriotit (1405-1468). Historia i njeh të dy si princër trashëgimtarë, që u lartësuan kur morën në sundim dy principatat, që
mbanin mbiemrat e tyre: Leka – të Dukagjinëve, pas vdekjes së të atit, Pal Dukagjini (1446) dhe Gjergji – të Kastriotëve më 1443, tetë vjet pas vdekjes së të atit, Gjon Kastriotit.
Principata e Dukagjinëve kishte si kryeqendër qytetin e Lezhës, përfshinte Zadrimën, zonat në veri dhe në verilindje të Shkodrës dhe shtrihej deri thellë trojeve të Serbisë së sotme me kryeqendër të dytë qytetin e Ulpianës afër Prizrenit; ndërsa Principata e Kastriotëve me
kryeqendër Krujën, përfshinte Matin dhe krahinën e Dibrës, duke u shtrirë nga kështjella e Rodonit në bregdetin e Adriatikut.
Deri në kohën kur vihen në krye të principatave të tyre, Lekë Dukagjini kishte marrë një kulturë të gjithanshme me frymë humaniste të Rilindjes Evropiane, në qytete të tilla si Venecia, Raguza apo Shkodra; ndërkohë që Skënderbeu kishte bërë një karrierë të shpejtë dhe të shkëlqyer prej ushtaraku në oborrin e sulltan Muratit II.
Në udhëheqje të Besëlidhjes Shqiptare (themeluar në Lezhë më 1444) Skënderbeu e ndien përherë pranë vetës Lekën (fillimisht të atin e tij Pal Dukagjinin), sepse të dy luftuan krah për
krah (apo edhe iu kundërvunë njëri-tjetrit) deri sa vdiq (1468), ndërsa Lekë Dukagjini e pasoi veprën e tij, duke u prirë shqiptarëve në fazën më të vështirë të rezistencës së tyre antiosmane, deri në fund të jetës së vet (1481).
Me të drejtë kronistë e historianë, duke filluar nga Tivarasi, Frëngu, Barleti e Muzaka, bashkëkohës të tyre, e deri te Gegaj e Noli të shek.XX, kanë ndriçuar bëmat e Gjergj Kastriotit dhe nëpër to kanë përmendur edhe Lekë Dukagjinin, ashtu sikundër disa princër të
tjerë të kohës. Por nuk do të mund të thuhet se, po me të drejtë, ata, historianë e kronistë,
e kanë përfolur vend e pa vend Lekë Dukagjinin, vetëm e vetëm se ishin të magjepsur prej heroit të veprës së tyre, Skënderbeu. Më me barazpeshë se historianët kanë vepruar “legjendarizuesit” anonimë të figurave të tilla. Nga anonimati, Skënderbeu u identifikua me
princin dragua, që guxon të matet dhe fiton në çdo rast me kuçedrën; ndërsa te Lekë Dukagjini u pa princi engjëll, që u shfaq me guxim dhe urtësi për të ruajtur në vazhdimësi shqiptarizmën.
Kanuni i Lekë DukagjinitHistorianët e kanë përfolur që në krye Lekë Dukagjinin, sepse kërkuan te ai një përsonazh antagonist të Skëndebeut për ta intriguar jetëshkrimin e heroit të vetëm shqiptar, që njohu Evropa në përballjen e suksesshme shqiptaro-turke, por edhe sepse nuk
donin të fajësonin Evropën perëndimore, që nuk arriti të krijonte një koalicion antiosman në
Ballkan. Ata nuk guxuan të gjykonin, veçanërisht, Republikën e Venedikut, që jo vetëm nuk u qëndroi aleate shqiptarëve kur mbanin mbi supet e tyre një perandori të tërë të egërsuar kundër Evropës, por e shrytëzoi rezistencën e tyre për interesat e veta komercialiste, duke i përçarë princërit shqiptarë me intriga, duke i kundërvënë ata njëri me tjetrin edhe me armë
dhe, kur nuk ia arrinte kësaj, duke i shpallur armiq të Republikës dhe të Krishtërimit.
Lekë Dukagjini ishte princi më i fuqishëm shqiptar pas Skënderbeut dhe më me autoritet, prandaj u bë pre e intrigave të politikës veneciane (dhe të historianëve) derisa Sinjoria e
ndjeu rrezikun e Portës së Lartë, krejt afër pragut të shtëpisë së vet dhe u bashkua realisht me rezistencën e shqiptarëve, duke i shpallur luftë Perandorisë Osmane (1463). Pas këtij viti
venecianët pushuan së përfoluri Lekë Dukagjnin. Ndërsa historianët kanë shkruar për disa prej bëmave të Lekë Dukagjinit përkrah Skënderbeut, deri në vdekjen e tij (1468) dhe më pas në
krye të trupave shqiptare përkrah forcave veneciane, derisa Sinjoria nënshkroi paqen me Portën e Lartë (1479). Pas kësaj historianët heshtin. Gojëdhëna na bën me dije se Lekë Dukagjini e vazhdoi rezistencën në krye të trimave të principatës së tij derisa qe gjallë.
Por të përfolurit e Lekë Dukagjinit ka vazhduar edhe pas vdekjes së tij, ashtu si ka vazhduar edhe rezistenca antiosmane në principatën e tij e më gjërë. Të përfolurit pas vdekjes ka të bëjë me veprën, Kanunin , që u la trashëgim Lekë Dukagjini shtetasve të tij, shqiptarëve.
Thelbi i Kanunit të Lekë Dukagjinit janë fjalët e urta të dala nga goja e tij, që u ruajtën (dhe u
pasuruan) brez pas brezi për gati gjashtë shekuj. Ky fenomen homerik e ka legjendarizuar emrin e Lekë Dukagjinit duke e kthyer atë në një mit të vërtetë, aq sa studiuesit e kanë pasur të vështirë ta pranojnë si një realitet historik. Prandaj disa syresh kanë vazhduar ta përflasin
Lekë Dukagjinin, së bashku me Kanunin e tij, ashtu si është përfolur e verbuar Homeri, së bashku me Iliadën e Odisenë e tij (Sa për ngjashmëri edhe Lekë Dukagjinit i është sajuar një vëlla i verbër). Por, duke analizuar faktet e dokumentuara biografike për Lekë Dukagjinin, mund të hidhet dritë për kohën dhe rrethanat kur u ngjizën fjalët e urta të Kanunit të tij.
Në fund të viteve ’50 të shek.XV Principata e Dukagjinëve nuk ka më asnjë nga qendrat e veta të zhvilluara: Lezha u është dorëzuar venedikasve (1393), Ulpiana, kryeqytei i principatës, është shkatërruar me themele nga turqit më parë se të binte në dorën e tyre
Prizreni (1458), një qendër tjetër e zhvilluar e Principatës së Dukagjinëve. Në këto kushte, Lekë Dukagjini ka pushtuar kështjellën e Shatit në Zadrimë për ta pasur si rezidencë
princërore, por u sulmua nga Skënderbeu, i cili ua ktheu menjëherë venedikasve. Pa një rezidencë princërore dhe, për një farë kohe, në mes të tri zjarreve (turqit, venedikasit dhe Skënderbeu), Lekë Dukagjini gjeti strehim në thellësi të maleve të principatës së tij, ku
ndërtoi saraje e kështjella së bashku me banorët e lirë të atyre anëve, të cilët kryezotin e tyre të derës së Dukagjinëve me gruan e tij, Teodorën e Muzakajve të Beratit dhe të gjithë oborrtarët që i shkonin pas, i rrethuan me mikpritje e respekt. Me malësorët e Principatës së
Dukagjinëve, të njohur për trimëritë e tyre (M.Barleti:98), Leka, jo vetëm ringriti qytezë-
kështjellat e veta, por siguroi në mënyrë të pandërprerë një ushtri të mjaftueshme që luajti rol të rëndësishim në kuadrin e trupave të Lidhjes së Lezhës nën komandën e Skënderbut dhe më pas.
Në këmbin të kësaj gatishmërie, Lekë Dukagjini u siguroi malësorëve të principatës së tij dhe të gjithë atyre që u bashkuan me të për të gjetur mbrojtje, veçanërisht, pas vdekjes së
Skënderbeut, lirinë brenda organizimit të tyre fisnor, të cilën në kushtet e krijuara e institucionalizoi me rioarganizimin e pleqësive mbi bazë fshati e krahine. Gjatë kësaj periudhe
(1458-1481), kur ai udhëhiqte të gjitha kuvendet dhe pleqësitë e malësorëve, u ngjiz Kanuni, që u trashëgua brez pas brezi, si praktikë gjykimi dhe përmes fjalëve të urta të formuluara
apo të rithëna prej tij rast pas rasti, si sentenca juridike. Ai Kanun mbeti i pashkruar, por veproi ndër shekuj si “Commom law” anglez, deri sa u mblodh dhe u kodifikua prej Shtjefën Gjeçovit, në kapërcyell të shekujve XIX-XX.
Në kohën kur Gjeçovi punonte mbi materialet e mbledhura kanunore, Kanuni, së bashku me autorin që e kishte dhënë atë, ishin të shenjtëruar prej të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimi fetar i tyre. Në popull nuk mbeti i përfolur emri i Lekë Dukagjinit, përkundrazi, ai u heroizua. Fakti që një sundimtar ishte kthyer në një hero të vërtetë, popullor e kombëtar,
mund të shpjegohet sipas një teorie që thotë se masat popullore (malësorët), duke i pranuar sundimtarët dhe kalorësit si heronj të tyre, ata vetë “identifikoheshin me vlerat e prijësit dhe
të fisnikërisë ose, të paktën, sepse atyre u duhej ta strukturonin botën e tyre nëpër mjet modelesh që u jepte grupi sundues” (P.Burke:169).
Kanuni i Lekë Dukagjinit është një vepër unikale me frymë humaniste e periudhës së Rilindjes Evropiane në gjuhën shqipe, e cila, megjithëse u përfol dhe vazhdon të përflitet edhe sot e
kësaj dite, është vlerësuar nga studiues seriozë, vendas dhe të huaj, si një “vepër monumentale” (A.Budaçovi-Kryeziu:22), “kontribut në thesarin e kulturës botërore” (C. Von Schwerini Dritës 1939:502) dhe autori i saj, Lekë Dukagjini, është cilësuar “një personalitet
imponues” (E.Durham:116) e “Hero Kombëtar” (J.Hahn:114) i popullit të vet. Shumë shkrimtarë dhe artistë i kanë kushtuar vepra, në mes të të cilëve Dritëro Agolli (“Mundja e
Lekë Dukagjinit”, poezi, 1969), Henrik Lacaj (“Dy princa për një vashë”, dramë historike vënë
në skenë me regjinë e vetë autorit dhe interprtuar nga grupi teatror i kinoteatrit “Rozafat” të Shkodrës më 1937, ku rolin e Lekë Dukagjinit e luante aktori Loro Kovaçi), arbëreshi Anton Santori (“Alessio Ducagini”, melodramë, shkruar midis viteve 1855-1860 dhe botuar më
1983), piktori Naxhi Bakalli (“Kuvendi i Dukagjinit”, tablo murale 4×3.2m në Muzeun Historik të Burrelit, 1986), piktori kosovar Engjëll Berisha (“Rrënjët e Dukagjinit”, vizatime
1950-1956), piktori Simon Rrota (“Lekë Dukagjini”, portret, koleksion privat në Shkodër), skulptori Sotir Kosta (“Lekë Dukagjini”, portret në bronz-GKA Tiranë dhe Muzeu Kombëtar i Skënderbeut në Krujë, 1982) etj.
Si apokrif i Lekë Dukagjinit ka mbetur portreti i i Simon Rrotës (1887-1961), i cili e paraqet autorin e Kanunit në pamje ballore, me një vështrim të mprehtë ku bashkohet zgjuarsia dhe urtësia, veshur më një jelek të kostumit tradicional të malësorëve të veriut, me shpatë në brez dhe me një dorëshkrim të Kanunit në dorën e majtë, që të sugjeron intelektualin
humanist të shek.XV. Kur bëhet fjalë për fisnikun fiorentinas me “një personalitet të jashtëzakonshëm”, Lorenzo de’ Medici, me të cilin ne kemi dashur ta përafrojmë Lekë Dukagjinin që në fillim të këtij jetëshkrimi, shkruhet se “ishte një politikan gjenial, i cili mund të
dallonte pushtetin e njëmendët nga shfaqjet e jashtme të tij. Frontespisi i librit të tij e tregon në rrugët e Firences, të veshur si një qytetar i thjeshtë, të rrethuar prej vajzash që këndojnë baladat e tij… Në të vërtetë, Lorenzo-ja ishte një poet i mirë dhe përkrahësi më bujar i poetëve të tjerë si dhe i shkencëtarëve e filozofëve” (K.Clark:106). Kështu mund ta përfytyrojmë deri në një farë shkalle edhe Lekë Dukagjinin, poezitë e të cilit do të ishin sentencat e Kanunit.
Nëse ky krahasim nuk do të shkonte, si çdo krahasim tjetër, së paku, Principata e Dukagjinëve mund të përqasej me oborret më të vogla të Italisë veriore në çerekun e fundit të shek.XV, të cilëve “Rilindja u detyrohet thuajse po aq sa Firences” (K.Clark:107). Dhe Leka mund të përafrohej, ndoshta, me Dukën e Urbinos, Frederigo Montefeltro, i cili “nuk ishte vetëm një burrë jashtëzakonisht i kulturuar dhe i mençur, por edhe strategu i madh i kohës
së vet, që diti të mbronte zotërimet e tij prej katilëve që e rrethonin. Ishte koleksionist i pasionuar librash dhe portretet e tij të çmuara e tregojnë duke lexuar një nga dorëshkrimet e tij. Eshtë i veshur me parzmore dhe tërë pajimet luftarake… Pallatin e tij nisën ta ndërtonin si kështjellë mbi një shkëmb thuajse të pakalueshëm dhe vetëm më pas, kur fituan siguri,
lejuan t’i jepnin atij pamjen e butë dhe të stërholluar, që e bënë një nga monumentet më të bukura arkitektonike të botës” (K.Clark:107 ).
Ne sot nuk jemi në gjendje as të restaurojmë një kështjellë a pallat princëror të Lekë Dukagjinit, aq më pak, të mund ta vlerësojmë atë që nuk ekziston me superlativa: “më i
bukuri në botë, në mesdhe apo rajon”, sepse në atë kohë “kështjella e qytete të lulëzuara (shqiptare)… me pallate e monumente… u zhduknë nga faqja e dheut … mbetnë si hieje të
bukurisë dhe shkëlqimit të vjetër” (F.S.Noli:591-592). Por Kanuni i Lekë Dukagjinit është vërtetë monumenti më i rëndësishëm i kulturës shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes Evropiane, që ka gjalluar prej gjashtë shekujsh dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në jetën e popullit, në gjuhën e të cilit është krijuar.
Kronologjia
Shek.VII Përmenden për herë të parë “Dukagjinët e Arbërisë”. Disa mendojnë se mbiemri Dukagjin rrjedh nga emri i fshatit Dukagjin, diku në kufirin e rrethinave të Pukës me Mirditën, afër fshatit Dardhë, ku kanë qenë të vendosur fillimisht të parët e Principatës së Dukagjinëve.
1202-4 Dukagjinët pushtuan Zadrimën dhe u shtrinë shumë shpejt në Shqipërinë e veriut me kryeqendër Lezhën. Disa mendojnë se në këtë kohë Dukagjinët u shfaqën në trojet arbërore
të ardhur nga Franca si kryqtarë dhe se mbiemri Dukagjin u formua nga përngjitja e titullit Dukë me emrin Gjin ose Duka i Gjinit, që do të thoshte Djali i Gjinit.
1356 Kur osmanët shkelin për herë të parë në Ballkan, Principata e Dukagjinëve është zgjeruar në Shqipërinë veri-lindore dhe ka një qendër të dytë në Fand, krahinë e Mirditës së sotme. Disa mendojnë se aso kohe Principata e Dukagjinëve përfaqësohej me dy degë.
1389 Beteja e Fushëkosovës. Thyhet nga osmanët koalicioni ballkanas, në të cilin bënte pjesë edhe Principata e Dukagjinëve, sadoqë ndër burime nuk përmendën.
1393 Dukagjinët ua dorëzojnë qytetin e Lezhës venedikasve, që të mos binte nën sundimin e osmanëve, duke ruajtur të drejtën e një të tretës së të ardhurave.
1406 Princi Pal Dukagjini (1384-1446), i përmendur për urtësi, vihet në krye të Principatës së Dukagjinëve me kryeqendër Ulpianën (qytet i themeluar prej tij), ku mbretëron së bashku me të vëllanë Nikollë Dukagjinin, i shquar për trimëri.
1410 Lind në Ulpiana princi trashëgimtar i Pal Dukagjinit, Lekë Dukagjini, formimi kulturor i të cilit mendohet të jetë bërë në qendra të zhvilluara të kohës, si Shkodra, Raguza, Venecia.
Leka ka pasur edhe një vëlla, Palin, me zgjuarsi të jashtëzakonshme, por të verbër; një motër, Roza, me bukuri të rrallë e shumë krenare dhe, ndoshta, një tjetër me emrin Maria, që do të bëhet gruaja e Gjon Muzakës së Beratit.
1432 Pal Dukagjini me të vëllanë, Nikollën, mbështesin së bashku me Topiajt Aranit Komnenin, vjehrrin e ardhshëm të Skënderbeut, në kryengritjen e tij të suksesshme kundër forcave osmane. Motra e Aranit Komnenit ka qenë gruaja e Pal Dukagjinit, e ëma e Lekës.
1444 Pal dhe Nikollë Dukagjini janë pjesëmarrës të Besëlidhjes së Skënderbeut në Lezhë. Ata mbështesin Lidhjen me 5 000 ushtarë nga 15 000 që kishte gjithsej Skënderbeu. Pali shoqëron Skënderbeun në Krujë.
1444 Beteja e Torvjollit ku marrin pjesë edhe trupat e Principatës së Dukagjinëve nën komandën e Tanush Topisë. Pali, së bashku me princër të tjerë, do të presë në Krujë Skënderbeun për ta përshëndetur për fitoren.
1445 Në dasmën e Mamicës, së motrës së Skënderbeut në Muzakinë, shfaqet për herë të parë princi Lekë Dukagjini. Dueli i tij me Lekë Zakarinë për dorën e princeshës së bukur Jerina Dushmani.
1446 Vdes Pal Dukagjini. Vendin e tij në krye të Principatës së Dukagjinëve e zë i biri, Lekë Dukagjini.
1447 Vriten në pusi Lekë Zakaria së bashku me Bozhdar Çërnoviçin dhe për këtë përflitet Lekë Dukagjini.
1447 Nikollë Dukagjini, i nxitur nga njerëzit e Skënderbeut, pushton përkohësisht Shatin, ndërkohë që Dejën e kanë marrë venedikasit. Skënderbeu i shpall luftë Venedikut.
1447 Lekë Dukagjini martohet me Teodorën, motrën më të vogël të Gjon Muzakës së Beratit. Nuk patën fëmijë. Dukagjinët që do të përmenden pas Lekë Dukagjinit në Itali apo në
shërbim të Perandorisë Osmane, rrjedhin nga familje të adaptuara prej Pal Dukagjinit ose prej Lekës.
1447-8 Skënderbeu rrethon Dejën, Shkodrën dhe Durrësin, qytete në zotërim të venedikasve. Përkrah Skënderbeut është Nikollë Dukagjini.
1448 Paqja e Skëndebeut me Venedikasit. Lekë Dukagjini nuk merr pjesë.
1451 Martesa e Skënderbeut. Lekë Dukagjini nuk merr pjesë.
1451-2 Komploti i Krrabës kundër Skënderbeut. Përflitet Lekë Dukagjini.
1452 Pajtimi i parë i Lekë Dukagjinit me Skënderbeun në Durrës.
1454 Breksamus, diplomat i Lekë Dukagjinit, përfaqëson Skënderbeun te mbreti i Napolit. Pensioni 300 dukatësh për Lekën prej mbretit Alfons.
1458 Bie Prizreni, qendra më e zhvilluar tregtare e kulturore e Principatës së Dukagjinëve, ndërkohë që kryeqyteti, Ulpiana, duhet menduar i shkatërruar nga themelet para Prizrenit.
1458 Lekë Dukagjini pushton kështjellën e Shatit që ishte në zotërim të venedikasve. Skënderbeu ndërhyn me trupat e tij dhe ua kthen venedikasve.
1458-81 Lekë Dukagjini ndërton disa kështjella në thellësi të trojeve të principatës së vet, forcon pushtetin vendor të malësorëve, shtetas të tij, që jetonin brez pas brezi në gjendje të lirë dhe institucionalizon përmes praktikave gjyqësore një sistem juridiko-popullor, që do të trashëgohet përmes fjalëve të urta të thëna nga ai, si një vepër fondamentale e kulturës humaniste shqiptare. Kjo vepër, e ruajtur në një shqipe kaq të bukur, që u mblodh nga Shtjefën Gjeçovi në kapërcyellin e shek.XIX-XX, është Kanuni i Lekë Dukagjinit.
1461 Përflitet Lekë Dukagjini se u është drejtuar turqve për aleancë. Papa Piu II e kërcënon me çkishërim.
1463 Papa Piu II ndërhyn për pajtimin e Lekë Dukagjinit me Skënderbeun.
1463 Pajtimi i dytë me Skënderbeun. Leka bashkohet me Lidhjen e Skënderbeut, Venedikun dhe Ivan Cernoviçin e Malit të Zi.
1465 Në betejën e Sfetigradit Lekë Dukagjini shpëton prej vdekjes Skënderbeun.
1466 Leka dhe Nikel Moneta komandojnë 13 mijë forca shqiptare përkrah Skënderbeut kundër Ballaban Pashës.
1468 Në Shkodër thyhen trupat osmane prej ushtrisë shqiptare pa pjesëmarrjen e Skënderbeut. Mendohet se kjo fitore është arritur nën drejtimin e Lekë Dukagjinit.
1468 Vdes Skënderbeu. Lekë Dukagjini është ndër kryetrimat shqiptarë që iu ndodh pranë deri në çastet e fundit të jetës.
1477 Leka në mbrojtje të Krujës, ku duhet të ketë mbetur i plagosur, pasi u përfol se mbet i vrarë.
1479 Venecianët nënshkruajnë pushtimin e Shqipërisë prej turqve, por Lekë Dukagjini vazhdon rezistencën kështjellave që kishte ngritur thellësive të maleve të principatës së tij.
1481 Lekë Dukagjini përmendet për herë të fundit në dokumentet e kohës, duke kaluar nga Raguza për në principatën e tij.
1481 Mendohet vdekja e Lekë Dukagjinit, pinjolli më i fundit i Principatës së Dukagjinëve. Asnjë dokument nuk flet për vendvarrimin e tij. Gojëdhëna thotë se iku duke bekuar lirinë e viseve shqiptare dhe duke mallkuar robërimin e tyre, derisa të zotët të kthehen në trojet e veta.
Kjo profeci e Lekë Dukagjinit, materializuar në Kanunin që mban emrin e tij, ka vepruar mrekullisht ndër banorët e Principatës së Dukagjinëve, të cilët kanë ruajtur gjuhën e tyre shqipe, traditat e të parëve, besimin fetar të kishës perëndimore (me disa përjashtime) dhe lirinë për t’u vetadministruar (relativisht) deri në ditët e sotme.
Përmbledhje
Kanuni i Lekë Dukagjinit është një vepër unikale me frymë humaniste e periudhës së Rilindjes Evropiane në gjuhën shqipe, e cila, megjithëse u përfol dhe vazhdon të përflitet edhe sot e kësaj dite, është vlerësuar nga studiues seriozë, vendas dhe të huaj, si një “vepër monumentale” (A.Buda), “kontribut në thesarin e kulturës botërore” (Schwerin) dhe autori i saj, Lekë Dukagjini, është cilësuar “një personalitet imponues” (Durham) e “Hero Kombëtar” (Hahn) i popullit të vet.
— marrë nga Lezha.net