Më 15 qershor 1878, me largimin për në Pejë të komandantit të garnizonit ushtarak osman në Guci, të binbashit Ejup Beu, tue marrë me veti edhe forcat ushtarake të vijës së kufinit me Malin e Zi, kazaja e Gucisë mbeti “krahinë autonome” me qeveritar Ali Beg Gucinë (ma vonë e mori titullin Pashë).
Kjo krahinë tashma nuk ishte në varësi as të Vilajetit të Kosovës dhe as atij të Shkodrës dhe as të Principatës së Malit të Zi.
Asokohe krahina e madhe e Plavë-Gucisë u thirr nga krejt Shqiptaria: “Arbnija e Vogël”
Në nahijen autonome të Gucisë, qeveritari i saj, Ali Beg Gucia, gjatë viteve luftarake 1878-1880 po përgaditej aktivisht në bashkërendim me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e forcat e saj ushtarake, për të mbrojt krahinën nga pushtimi i Malit të Zi dhe “kur ecte në kalë mbante një flamur të vogël të kuq me shqiponjë dykrenare”.
Këso kohe u zhvillue epopeja legjendare e Nokshiqit (dhjetor 1879 – janar 1880), ku morën pjesë 12.000 forca shqiptare nga të katër vilajetet shqiptare: Kosovës, Shkodrës, Manastirit e Janinës, duke iu kundërvu vendimeve të Kongresit të Berlinit, duke u përballë me “Shtatë Krajlitë” e kohës.
Në Luftën e Nokshiqit fisi i Hotit (ai i Vendit dhe ai i Rrafshit në bregdet) ka një rol të veçantë, veçanarisht Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës në Betejen e Dytë të Nokshiqit në janar 1880.
Dervish Pasha në një telegram dërgue Portës së Lartë nënvizon: “Fjala është për flamuj shqiptarë, të cilat Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh (1879-1880) për ushtrinë shqiptare, të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse u
informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamujt shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci”
Ky Flamur Kombëtar Shqiptar u ngrit për herë të parë në Plavë-Gucinë e pavarur qysh në qershor 1878, por kjo nuk ndodhi në Mbledhjen e krerëve të LSHP për Jugun e Shqipërisë në
Janinë më 24 korrik 1878, veçse aty u tha publikisht “…është e rëndësishme dhe e nevojshme që për këtë punë, që në krye të ushtrisë, që do të grumbullohen nën flamurin ngadhnjimtar dhe i dashur për atdheun”.
Ambasadorët e Fuqive të Mëdha më 18 prill 1880, miratuan propozimin italian për “Vija Korti” për t’i dhanë principatës së Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Këta nënshkruan Protokollin e Stambollit, i njoftun si “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej më 22 prill 1880.
Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat efektiv për me hjekë dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit për Plavën e Gucinë, përbante një fitore të re diplomatike që arriti Lidhja Shqiptare e Prizrenit në
arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni 23 i Traktatit të Berlinit për
Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës ishin pjesë etno-historike e Malësisë së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës.
Të nesërmen, më 19 prill 1880, u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor, me 1.500 – 2.000 vetë, i cili mori përmasat e një manifestimi patriotik kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Në emën të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit foli Hodo Beg Sokoli, i cili e ngriti zanin kundër dhanies Principatës së Malit të Zi dy krahinat etno-historike shqiptare: Hotin e Grudën.
Historianët paraqesin dëshmitë e tyne historike:
“Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës Smajl Marku i Hotit, trupmadh, me fytyrë të pjekur nga dielli, I cili me një të qëlluar të jataganit, e theu shtizën ku ishte varur flamuri i gjysmë hënës. Flamuri i Sulltanit ra perdhe, ne pluhur.”
Bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, midis brohoritjeve të papërmbajtura valëviti Flamurin e Kuq Kombëtar”
Në këtë manifestim të jashtëzakonshëm e morën fjalën e tyne edhe shumë atdhetarë të tjerë nga Shkodra dhe malësitë e saj dhe nga krahina të ndryshme të bregdetit e të maleve shqiptare.
Bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, e ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në Shkodër më 19 prill 1880, po “një miting i tillë u planifikue edhe në Korçë ku ishin në gadishmëri 1.000 burra, por u vra organizatori për ngritjen e Flamurit Kombetar Shqiptar, Athanas Themeli”.
Më 22 prill 1880, pasi forcat otomane e lëshuan Tuzin shqiptar, aty u venduan mbi 5.000 forca shqiptare (në disa burime flitet për rreth 8.000 luftëtarë), të cilat luftuan e fituan për mbrojtjen e Hotit e të Grudës kundër ushtrisë së Malit të Zi, që kishte rreth 10.000 ushtarë
të mobilizuem në luftime dhe gëzonte përkrahje ndërkombëtare në frymën e vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane.
Krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër e malësitë e saj, u mblodhën në Tuz, më 16 korrik 1880, për çështjen e Hotit e të Grudës dhe dolën me kërkesa konkrete, ku – ndër të tjera deklaruan: “…ne shpallëm luftën për pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut”
Hoti i Rrafshit në bregdet në vitin 1881 numronte 405 shtëpi me 2500 banorë, të përqëndruar kryesisht në shtatë fshatra dhe i shtrirë në 120 km2 sipërfaqe tokëse e liqenore (Liqeni i Hotit).
Ndërkohë, ushtaraku i lartë turk, që erdhi me e shtyp Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Dervish Pasha, më 12 nëntor 1881, e njofton Portën e Lartë se në treva të jugut të Shqipërisë nuk kishte të tilla luftëra masive si në Plavë-Guci (Beteja e Nokshiqit), në Hot e në Grudë: “…
Abdyl Frashëri qysh moti ishte zotuar , që të shkojë dhe t’i viziotjë të gjitha viset e Toskërisë, për të nxitur popullsinë në kryengritje”.
Diçka duam të nënvizojmë përfundi këtij ravijëzimi historik: Evenimenti i ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) dhe në mitingun e Shkodrës nga bajraktari i Hotit, Çun Mulaj (19 prill 1880) duhet të meritojnë vlerësim më të lartë nga
historiografia shqiptare dhe nga politika kombëtare shqiptare në Ballkan.