Ajo ka qenë koha e komandantëve të lagjeve, e çetave të fëmijëve, që pasditeve i gjeje nëpër qoshka e rrugica, duke luajtur në grup. Ishte koha, kur mamaja nuk të ndiqte pas me pjatën e ushqimit, por me bukë në dorë ti rendje pas shokëve, për të mos humbur lojën e radhës.
Atëherë nuk ka pasur kanale televizive të dedikuar me filma për fëmijë, por një program disa minutësh në një orë të kufizuar të ditës dhe javës.
Përpara viteve ’90, një fëmijë as që e imagjinonte të kishte një koleksion superheronjsh e barbish në shtëpi, por dukej se edhe lodrat e bukura nuk ishin privilegj i të gjithëve… Një
fëmijëri pa “Playstation”, por aksioni e gara merrte udhë në hapësirat e përbashkëta, ku fëmijët formonin grupet e tyre duke krijuar gjithëfarë lojërash…
Petsa e litarë për vajza; kala dibrançe, futboll e topa djegësi për djemtë; kanë qenë lojërat më të përhapura për fëmijët e para viteve ’90. Një fëmijëri, që po ta krahasosh me atë të
ditëve të sotme, ishte shumë më e paktë në mundësi, por e mbushur me energji.
Ndërsa sot, pamja e fëmijërisë është tërësisht e ndryshme. Të vegjlit kanë gjithnjë e më shumë mundësi, që mbretërinë e lodrave të tyre ta ngrejnë brenda shtëpisë. Përpos lodrave,
që janë të panumërta, teknologjia ka çelur një shteg të ri në zhvillimin e hapësirave argëtuese të fëmijëve.
Shumë pak të rastis të ndeshesh sot, poshtë pallateve, turma fëmijësh që vrapojnë të organizuar në lojëra të ndryshme. Aty-këtu, djem që tentojnë të zhvillojnë një lojë futbolli,
në trotuarin e ngushtuar dhe rrugën e zënë prej makinave. Ndërsa vajzat, disi më vetmitare, rreken të zhvillojnë ndonjë lojë në cepin e pallatit…
Dëshira e tyre për argëtimin nuk e detyron mendjen e fëmijëve të sotëm të zhvillojnë e krijojnë lojëra të reja, pasi zhvillimi e ka bërë edhe më të lehtë mbushjen e hapësirave të tyre të lira.
Top Channel