Famullitar, mësues në Shkup dhe pagezues i Gonxhe Bojaxhiut – Dom Zef Ramaj (1882-1914)

Për fëmijërinë e Dom Zef Ramaj kemi shumë pak informata. Dom Zefi u lind më 08.01.1882 në Stubëll të Epërme (Komuna Vit) dhe vdiq më 25.12.1914 në Shkup, prindërit e tij ishin i ati Pali dhe e ëma Çila kishin 6 djem dhe dy vajza.

Zefi ishte fëmija i pestë i tyre. Në vitin kur u lind Dom Zef Ramaj, Stublla Epërme kishte 24 shtëpi, dhe 149 shpirtra (banorë), shumica katolikë shqiptarë, përveç 2 shtëpive që ishin kritpokatolikë me 10 shpirtra.

Stublla i përkiste në këtë kohë famullisë së Cërngorës – Letnica apo siç quhej Montenegro di Scopia. Zefi duhet të kishte vizituar vitet e para të shkollës në Prizren.

Kurse 9 vite tjera vizitio në Shkodër, 5 vite të shkllës noramle dhe 4 vite tjera në kolegjin Ksaverian filozofi dhe teologji, deri në vitin 1905.

Kërkesës së Imzot Trokshit, që kandidatët e Ipeshkvisë së Shkupit të shkolloheshin, të studionin në Innsbruck, Austro-Hungaria iu përgjigj pozitivisht. Në këtë universitet studiuan dhe studentë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare.

Njëri nga ta ishte edhe Zef Ramaj. Ky, më 26.09.1905, bashkë me katër shqiptarë të tjerë, nën përcjelljen e Dom Nikollë Ashtës, arriti në Innsbruck. Shpenzimet e udhëtimit dhe qendrimit i kishte paguar Austria. Studentët, përveç rrobave në trup, nuk kishin gjë tjetër me vete kur arritën në Innsbruck. Vendi prej nga vjen Dom Zef Ramaj shënohet „Albaniae“.

Ndër studentët shqiptarë që kishin studiuar atje janë edhe Martin Berisha nga Peja, Françesk Karma nga Tivari, Shtjefën Kurti nga Prizreni, Marjan Glasnović nga Janjeva, Lazër Shantoja nga Shkodra etj. Këtu do të shënojmë edhe disa nga dokumentet që gjenden në arkivin shtetëror e që kanë të bëjnë me studentin e atëhershëm, Zef Ramaj nga Stublla.

Më 24 prill 1906, rektori i konviktit P. Michael Hofmann, informon për katër studentët shqiptarë: Berishën, Gjergji, Ramajn dhe Karmën. Ai thotë se këta po përparojnë jo vetëm në gjuhën gjermane, por edhe në studime.

Rektori i seminarit në Innsbruck, P. Michael Hofmann S. J, datë 25 korrik 1907, njofton se tashmë Berisha, Karma, Ramaj e Gjergji i kishin përfunduar studimet dhe se ishin kthyer në Prizren ku dhe do shugurohen për meshtarë. Më tej, rektori flet për ndarjen, që siç thotë, ishte e rëndë për ta, por që shpreson të mos shkëpusin lidhjet dhe për raporte të mira të të sapo kthyerve me përfaqësuesit austro-hungarez ne vendlindjen e tyre.

Rektori kishte paguar shpenzimet e udhëtimit për kthimin e tyre në vendlindje, sikundër edhe për gjërat e nevojshme për meshë të parë për katër kandidatëte për gjëra të tjera që kishin kërkuar vetë studentët shqitparë.

Një dokument që kemi marrën nga arkivi i konviktit teologjik, „Canisianum“ të Innbruck shënohet se nga aty dom Zef Ramaj kishte shkuar në Prizren më 8 korrik 1907. Më tej, shkruhet për të se ishte „shumë i gjallë, fisnik”. Sipas të njëjtit burim, mësojmë se dom Zefi ishte shuguruar për meshtar ne Prizren në muajin korrik 1907.

Konsullata austriake në Prizren, përmes zëvendëskonsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Trokshi i kishte shuguruar Dom Zef Ramaj nga Stublla e Dom Martin Berishën nga Peja dhe informon edhe për caktimin e dom Zef Ramaj-t „Cooperator“ në famullinë e Shkupit, pra, ndihmës i famullitarit të atëhershëm (të Shkupit), Dom Ndue Bytyqit.

Sipas burimeve austriake, dom Zefi fillimisht ishte emëruar “cooperator” (ndihmës famullitar) e më vonë famullitar i Shkupit. Ai ishte edhe mësues në shkollën shqipe pranë famullisë së Shkupit, sikundër edhe në shkollën e Hekurudhës (një shkollë elitare për kohën, ku mësonin edhe fëmijët e diplomatëve të huaj)

Shkolla shqipe (për meshkuj dhe femra), pranë kishës katolike në Shkup, kishte ekzistuar qysh para vitit 1889. Prej vitit 1893, me kërkesën e Gjon Kajtazit, mësues i kësaj shkolle, atë e ka përkrahur financiarisht Austro-Hungaria, me një shumë vjetore prej 500 frangash.

Mësues në këtë shkollë ishin: Gjon Kajtazi, Nikollë Rrota, Mate Logoreci, një mësues për gjuhën turke, Gaspër Beltoja, Gapsër Mikeli, dom Zef Ramaj, dy motra, murgesha nga Zagrebi, njëra prej të cilave ishte Protegjena Bekes (Bekaj) nga Stublla (Protegjena Bekaj është tezja e babait të autorit të këtyre rreshtave).

Më 31 janar 1911, konsullata austriake e Shkupit, njofton se një grup ortodoksësh nga Maqedonia, më saktë nga Kumanova, kishin shkuar tek argjipeshkvi Lazër Mejda, tek Dom Pashk Krasniqi, famullitari në Ferizaj, por edhe tek Dom Zef Ramaj në Shkup, për t’iu treguar se dëshironin të kalonin në katolicizëm dhe se për këtë kërkonin mbështetjen dhe ndihmën e tyre.

Të sqarojmë se fjala është për besimtarë ortodoksë maqedonas dhe jo për komunitetin katolik të ritit bizantin, i cili jeton edhe sot e kësaj dite në territorin e Maqedonisë (sidomos në Jug të Maqedonisë, në Strumicë). Në raportin e datës 24.03.1911, konsulli Heimroth njofton se dom Zefin e kishte vizituar një nëpunës për t’u informuar nëse pas kërkesës së ortodoksëve maqedonas për konvertim në katolicizëm fshihej ndonjë interes a përfitim material.

Më 8 mars 1914, kishin shkruar edhe një letër shumë interesante në gjuhën italiane lidhur me rastin e konvertimit të 60 familjeve ortodokse maqedonase në katolicizëm.

Më 1 dhjetor 1913, raportohet për problemet që kishin besimtarët katolikë në Shkup, e sidomos ata që ishin në Kryesi të Këshillit të Kishës. Kështu, Rrok Prenk Berishën, një arpunues, pasi e kishin dënuar me shumë të mëdha në të holla, organet lokale serbe e kishin kërcënuar që ta lëshonte vendin, përndryshe do ta burgosnin. Këtë e bënin nën pretekstin kinse të aktivitetit e të intrigave politike të Rrok Berishës.

Do thënë se Rrok Berisha (i një familjeje 14 anëtarësh), besimtar i Dom Zefit, atëbotë ishte një figurë në zë në Shkup. Po ashtu, ai kishte miqësi dhe bashkëpunim edhe me Alandro Kastriotin, pretenduesin e fronit shqiptar të asaj kohe, që jetonte në Paris. Me deportimin e Rrok Berishës dhe të njerëzve në zë, siç njofton konsullata e Austro-Hungarisë, organet serbe dëshironin dobësimin e elementit katolik shqiptar në Shkup.

Famullitari, Dom Zef Ramaj informon konsullatën se Rrok Berisha, me familjen vet 14 anëtarësh, do largohet së shpejti nga Shkupi në drejtim të Durrësit.

Më 3 prill 1914, konsullata austro-hungareze raporton për vizitën që iu kishte bërë dom Zef Ramaj, në fakt ai po këshillohej me ta për gjendjen e re politike. Konsulli njofton edhe për interesimin e dom Zefit se si duhej të vepronin shqiptarët katolikë për çështjen e shtetësisë e të shërbimit ushtarak, meqë besimtarët e tij do të ballafaqoheshin me kërkesën e organeve zyrtare për t’u deklaruar nëse përcaktohen për shtetësi turke apo serbe.

Konsulli i shpjegon mom Zefit se me Marrëveshjen e paqes mes Serbisë e Turqisë, të datës 09 mars, nuk ishin të rregulluara çështjet në fjalë për shqiptarët katolikë, por vetëm për myslimanët (të cilët nuk obligohen për të shkuar shërbimin ushtarak serb). Dom Zef Ramaj, njofton se shumica e shqiptarëve katolikë të Shkupit, të gjendur në këto rrethana, po e mendojnë largimin nga vendi i tyre.

Më 11 prill 1914, konsullata austriake informon për marrjen peng të trenit të linjës Prizren-Shkup. Në këtë tren kishte qëlluar edhe dom Zef Ramaj (që po kthehej nga Prizreni), i cili dëshmon për vrasjen e një personi. Sipas dom Zefit, në tren ndodhej edhe inspektori i policisë, Cerovic (i njohur për kohën), i cili pyetjes së Dom Zefit se pse ndodhej në këtë tren, Cerovic kishte përgjigjen: “rastësisht”.

Dom Zefi njofton se për ngjarjen në fjalë i ngarkuan shqiptarët, më saktë Jusuf Tabian nga Tetova me njerëzit e tij dhe se organet e shtetit kishin dërguar 200 xhandarë për t’u marrë me rastin. Meqë Dom Zefi kishte udhëtuar me këtë tren, për konsullatën e Austro-Hungarisë ishte krejt e qartë se kush e kishte bërë rrëmbimin e trenit. Më vonë, pikërisht ky inspektor Cerevic kishte kërcënuar dom Zef Ramaj dhe disa meshtarë tjerë për shumë gjëra, bile edhe largimin e dom Zef Ramaj nga Shkupi.

Konsulli i Austro-Hungarisë në Shkup, lajmëron se kishte marrë pjesë në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit në Ferizaj. Meshën, me urdhër të ipeshkvit Lazër Mjeda, e kishte udhëhequr Dom Zef Ramaj, në kocelebrim me Atë Zadrimën. Konsulli kishte marrë pjesë me uniformë zyrtare në meshë, të cilën e cilëson shumë të denjë, sikundër edhe pjesëmarrjen dhe paraqitjen e popullatës shqiptare katolike.

Dom Zef Ramaj kishte shërbyer në Shkup prej vitit 1907 deri më 25 dhjetor të vitit 1914, kur dhe kaloi në amshim. Kishte jetuar dhe vepruar në Shkup, në një kohë shumë të vështirë, në kohën e Perandorisë Osmane, me të cilën kishte probleme jo vetëm administrative, sidomos më 1910, kur organet lokale dëshironin që në pronën e kishës katolike të ndërtonin rrugën.

Pas rënies së Perandorisë Osmane, problemet vazhdojnë me serbët, gjatë luftërave ballkanike, kur gjendja e shqiptarëve, sidomos e atyre katolikë në Shkup, ku kishte shërbyer si meshtar e mësues, ishte tej mase e rëndë.

Organet lokale turke provonin ndërtimin e një rruge në Shkup, e cila po u ndërtua, prek dhe një pjesë të oborrit të kishës. Dom Zefi i kishte shpreh shqetësimin dhe i kishte kërkuar ndihmë për këtë rast edhe konsullatës së Austro-Hungarisë. Dom Zefi, më 20.06.1910, kishte parashtruar ankesë edhe pranë organeve turke, që rruga të mos ndërtohej siç kishin planifikuar ata, meqë rruga prekte edhe diku 570 metra katror të Kishës, ndërkohë që autoritetet lokale turke nuk kishin paraparë ndonjë kompensim. Konsullata e Austro-Hungarisë e sheh të arsyeshme kompensimin e pronës së kishës nga ana a organeve lokale turke.

Argjipeshkvia e Shkupit kishte fat të madh me emërimin e Imzot Mjedës në krye të saj. Ai ishte një prijës i vërtetë shpirtëror në kohëra mjaft të vështira për popullin e Argjipeshkvinë, siç ishin Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike, si dhe Lufta e Parë Botërore. Gëzimin e madh për emërimin e Mjedës në krye të Argjipeshkvisë Shkup-Prizren e tregon edhen jë shkrim i Dom Zef Ramaj, botuar në Elçija e Zemres s`Krishtit më 1910, ku shkarun ndër të tjera edhe këtë: „Ishte nji vjet e gjysë qi kishim mbetë paa Barii, pa Priis, e sakt qi fort t`vshtiirshme kiene per nee kto dit vorfnimit.

Por i Lumi Zot ne e mram na ngushlloi, tui na zgjedhë per Argjipeshkëv nji njeri qi e kishte per zemer, e i cili prandei s`muite mos me ken edhe per zemer t`onë. Po, i Lumi Zot na ngushlloi tui na çue per Argjipeshkëv Emzot Lazer Mieden. Veç na diim se saa kemi dishrue me pasë nji Barii, e saa na u knaq zemra kuer ndieme se ky do t`ishte Emzot Lazer Miedia e me saa dishiir e kemi pritë!

Te tan Meshtarija me popull mbarë a gzue kuer kaa ndije se njimend do t`na vite. Famullija e Shkupit e pat nafak me kenë e para me e pritë ket Zotnii çuemun prei Zotit per me na rregullue, e kio famullii tui ja diit Zotit per nderë u mundue me e pritë saa maa mirë qi t`muite.

Prei Sarajevet i Shndritshmi Zotnii me tel na baike me diitë diten qi do t`mriite, e at herë, nji ditë perpara t`ardhunit, me pushtlla t`posaçme u dha fiala t`tanve shpii per shpii` si shqyptarve si t`hujve, (t`tan bashkë janë 140 shpii) se me 4 ndanorit kishte per t`ja mrii Argjipeshkvi i rii Emzot Lazer Miedia, e qi t`urdhnoishin me dalë me u pritë n`Stacion t`udhes hekrit. Njimend burrnimi mar duel; graat e fmija ishin mledhë n`oborr t`Kishës.“

I Nderueshmi Zotni D. Nikoll Mazreku, Prifti i famuliis t`Pezrendit, bashkë me D. Pashko Krasniqin, kishin dalë me e pritë n`Kumnov, per me i thanë n`emen te tanve : “Mirë se po t`bie Zoti” I nderushmi Zotnii D. Nikoll Glaznoviç, D. Mikel Glaznoviç, Viçe-Korclla i Nemces (Zotni Korclla nuk ishte ktu), Gjergj Adamkievitz, Viçe-Korclla i Italies Zotni Galanti, Viçe-Korclla i Frances, bashkë me popullin mbarë, sikuer thaçë, ishin mledhë n`Stacion t`udhes hekrit.

Qe ja mrrini ai ças i bardh, n`t`cillin i Shndritshmi Argjipeshvi i rii do t`shkelte n`Arkidioçez t`vet. Mbasi t`tanë ja murne doren, gjithmbarë u ndisne kah Kisha, ku kumont i baishin me diit gjytetit mar se katolikt kishin nji gzim t`posaçem. Prej deres t`oborrit deri n`derë t`Kishes ishte stolisë me bush, me lule e me bairaqe e para ders t`Kishes nji qemer i bukur e n`të shyti (stemma) i perndritshmit Zotnii Emzot Lazer Miedes…

Luftërat ballkanike, më 1912 e 1913, për popullatën shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë ishin shumë të rënda. Kjo gjendje e rëndë pasohet me Luftën e Parë Botërore, më 1914. Popullata shqiptare në Kosovë e Maqedoni kishte mbetur më shumë nën mëshirën e shteteve evropiane dhe të personave të caktuar sesa në diçka tjetër.

Në këto rrethana, një rol shumë pozitiv (për këtë popullatë) e ka luajtur dom Zef Ramaj dhe kleri katolik shqiptar i Argjipeshkvisë së Shkupit në krye me Imzot Lazër Mjedën.

Një rol të rëndësishëm për „shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë“ do të luante edhe argjipeshkvi i Shkupit, Imzot Lazër Mjeda bashkë me dom Zef Ramaj

Para nisjes për në Vlorë, Ismail Qemajli ndodhej në Vjenë. I gjendur pa para në xhep, më saktë me një çek bankar të pavlefshëm (asnjë nga bankat vjeneze nuk e merrte parasysh), I. Qemajli s’kishte se si të udhëtonte për në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. I njohur me situatën, Imzot Mjeda mobilizoi miqtë që kishte pranë qeverisë së Austro-Hungarisë, dhe i mundësoi I. Qemajlit, që me një anije ekstra të financuar nga Vjena, të arrinte në Durrës. Mjeda duhej të merrte po ashtu pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

Nëpunësi austriak i konsullatës në Shkup, më 29 nëntor 1912 i dërgon një letër qendrës me çka njofton se mësuesi i shkollës së famullisë katolike vendore, Logoreci bashkë me famullitarin dom Zef Ramaj, e kanë informuar se Logoreci dhe argjipeshkvi Imzot Mjeda, sot kishin pranuar një letër nga Durrësi, dërguar prej të deleguarve shqiptarë të Kosovës Veriore.

Atyre u kërkohej që të dërgonin një delegat nga Shkupi, për mbledhjen e planifikuar në Vlorë, të organizuar nga krerët (paria) e gjitha anëve të Shqipërisë, që kishte të bënte me shpalljen e autonomisë së Shqipërisë. Ata, do të konsultohen edhe për marrjen e masave eventuale varësisht prej situatës që do krijohet pas shpalljes së autonomisë së Shqipërisë.

Nga Logoreci kërkohet që, në rast se i deleguari nuk mund të udhëtojë, të paktën për këtë çështje të dërgojë një letër përkrahëse në emër të shqiptarëve të këtushëm, të ndërmjetësuar nëpërmjet entit të këtushëm konsullor të monarkisë.

Në lidhje me këtë, Heimroth thotë se u ka shpjeguar (Logorecit dhe dom Ramajt) se për momentin nuk është i sigurt nëse ka mundësinë për një gjë të tillë.

Nga një telegram i konsullit austro-hungarez në Shkup dërguar Vjenës, në nëntor 1912, mësojmë se delegatët shqiptarë kishin lutur argjipeshkvin L. Mjeda, famullitarin e Shkupit dom Zef Ramaj dhe mësuesin Logorezi që të përbënin një delegacion për pjesëmarrje në Vlorë, për të biseduar për gjendjen e shqiptarëve dhe mundësisht edhe të shpallet “autonomia” e Shqipërisë.

Nganjëherë thuhet se shkrimet e dërguara nëpër gazeta të atëhershme austriake janë të Lazër Mjedës. Do thënë se disa nga informacionet për gjendjen e popullatës shqiptare ishin dërguar edhe nga Dom Zef Ramaj e Dom Pashk Krasniqi, siç njofton vetë L. Mjeda, kur i shkruan Vatikanit (më 24 janar 1913) letrën e njohur për gjendjen në Argjipeshkvi.

Në këtë letër shihet shumë qartë se Dom Zef Ramaj e dom Pashk Krasiniqi raportonin sidomos për ato vende që ishin afër famullisë së tyre. Dom Zefi, raportonte për gjendjen në rajonin e Shkupit, Kumanovës, Kisela Vodës, Tetovës (Kalkandele) e Gostivarit, kurse Dom Pashk Krasniqi raportonte për Prizrenin, Pejën e vende të tjera përreth.

Do thënë se Dom Zefi kishte informacione të mira edhe për Karadakun në Kosovë, meqë vinte nga ajo pjesë, nga Stublla. Një raport i konsullit austriak në Shkup, informon për tmerret e masakrat ndaj popullatës (shqiptare pa dallim religjioni) të zonës së Karadakut. Raporti njofton mbi bazën e informacioneve që konsullit ia kishte dhënë Dom Zefi, e këtij të fundit Mitat Aga nga Gjilani.

Heimrot, konsull austriak në Shkup, i përmend ministrit austro-hungarez, Leopold Berchtold, më 9 shkurt 1913 , një letër të Mjedës dhe shton se informacionet (që përmbante ajo) ishin dhënë nga Dom Zef Ramaj. Se Dom Zef Ramaj kishte raportuar vendet evropiane për gjendjen e shqiptarëve, tregon edhe botimi i letrave private të teologëve shqiptarë (të universitetit të Innsbruck-ut) në gazetën austriake “Allgemeiner Tiroler Anzeiger” të datës 28 mars 1913, mandej se vendi prej nga vinin shkrimet ishte Shkupi, ku tashmë, Dom Zefi ishte me shërbim, ku shkruan ndër të tjera kështu:

“Për momentin nuk kam mundësi që t`ju dërgoj një raport të detajuar. Ju duhet të keni parasysh se gjendemi në gjendje lufte…. nuk mund të paramendoni atë se çka është mëkatuar ndaj bashkatdhetarëve tanë në këtë luftë…. zemra ime është përplot, për atë se çfarë mund t`ju shkruaj më tutje. Më mirë do të vdisja se Shqipërinë ta shihja në këtë gjendje, në të cilën gjendet”.

Në artikullin e gazetës Reichspost, jepen në detaje masakrat e bëra ndaj popullatës shqiptare (pa dallim feje) në territorin e Kosovës e Maqedonisë, duke filluar prej Shkupit, Kalkandeles, Ferizajt, Prishtinës, Prizrenit, Gjeneral Jankovicit, Tërstenikut, Pejës etj. Reichspost i jep rëndësi kësaj dosjeje dhe shkuan 3 faqe, në numrin e 17 janarit 1913.

Në këtë shkrim ceket se dosja është autentike dhe nga një personalitet shqiptar dhe se ka dëshmitar për gjithë atë çfarë ka ndodhur në Shkup.

E ky, pa dyshim, është Dom Zefi, famullitar në Shkup, ndërkohë që Imzot Mjeda gjendej në Vjenë, në kontakt me qarqet diplomatike të atjeshme, por edhe me media, për çështjen shqiptare në Kosovë e Maqedoni dhe se Leo Freundlich, në librin e tij Golgota shqiptare përshkruan vrasjet në rajonin e Karadakut, si në Lubishtë, Smirë, Komogllavë, Shashare – të gjitha këto vende në afërsi të Stubllës, vendlindjes së Dom Zefit, të cilën ky i fundit e vizitonte shpesh edhe për të qenë mirë i informuar me gjendjen e përgjithshme.

Ngjarjet e paraqitura në libër, autori i kishte marrë prej gazetës së sipërpërmendur, të datës 17.01.1913. Në raportet e 24 janarit 1913, Mjeda tregon se informacionet e dhëna aty për gjendjen e shqiptarëve, i kishte nga Dom Zefi e Dom Pashk Krasniqi. Më 9 shkurt të vitit 1913, konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth i shkruan Vjenës zyrtare se Imzot Mjeda, raportonte duke u thirr në informacionet e Dom Zefit.

Edhe vetë Heimroth, në një rast shkruan: “Ashtu siç shkruan Mjeda në letrën mbi tmerret (ndaj shqiptarëve) më kanë ardhur edhe mua në vesh. Famullitari i Shkupit, Dom Ramaj më tregoi se ai ishte dëshmitar dhe përmend një ushtar serb me emrin Ciceric.

Konsulli vazhdon tutje duke thënë se këto gjëra i kishte parë edhe murgesha katolike që vepronte në spitalin e Shkupit e që ishte edhe mësuese e subvencionuar nga Austro-Hungaria.

Fjala është për murgeshën Protegjena Bekes nga Stublla, bashkëvendëse e Dom Zefit. Ajo kishte parë shumë kufoma të shqiptarëve myslimanë në lumin vardar.

Më vonë, konsulli shkruan se burim informacioni i Dom Zefit, ishte edhe Luigi Neraci që njihej shumë mirë me Dom Zef Ramaj. Konsulli, në këtë raport përmend jo më pak se shtatë herë emrin e Dom Zefit, për grumbullimin e informacioneve mbi masakrat ndaj shqiptarëve.

Edhe vicekonsulli anglez, W. D. Peckham, njofton Londrën zyrtare për tmerret ndaj shqiptarëve. Ai shkruan se raporti është i bazuar në të dhënat që kishte ofruar famullitari i Shkupit, Dom Zef Ramaj.

Të dhënat që jep ky raport përkojnë plotësisht edhe me ato informata që kishte dhënë edhe konsulli Heimroth, ato përkojnë saktësisht edhe me kohën e publikimi të të dhënave në shtypin austriak (të cekur dhe më lart), datë 28 shkurt 1913 Memorandumi i famullitarit të Shkupit, që Peckham i kishte dërguar Londrës, titulluar „Memorandum on Massacres of Albanians-Statements of Catholic Cure of Uskub“

Dom Zef Ramaj, familja Bojaxhiu dhe pagëzimi i Nënë Terezës

Falë përkushtimit të Nënë Terezës për më të varfrit e botës, familja Bojaxhiu u bë e njohur në botë. Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910, ndërsa një ditë më vonë (më 27 gusht) u pagëzua, të cilën e pagëzoi Dom Zef Ramaj.

Siç duket, familja Bojaxhiu ishte shpërngulur nga Prizreni në Shkup, para vitit 1903. Në një foto të bërë, me rastin e shugurimit të katedrales së Zemrës së Krishtit në Shkup, më 1903, e shohim edhe Kolë Bojaxhiun.

Familja Bojaxhiu ishte një ndër familjet e vjetra të Prizrenit, siç dëshmojnë disa nga dokumentet e arkivit të famullisë së Prizrenit. Edhe në arkivin shtetëror në Luzern, ruhen dokumente të shumta për këtë familje. Vetë Lazër Bojaxhiu, i kishte dërguar zviceranit Eugen Vogt, të dhëna, ndër të tjera, për babin Kolë e nënën Dranë .

Dom Zef Ramaj jep disa të dhëna mbi familjen Bojaxhiu, të jetës së tyre në Shkup, siç njoftojnë burimet austriake. Në Arkivin Shtetëror të Austrisë ruhen dokumente mbi figurën e Kolë Bojaxhiut. Këtu po cekim njërin nga dokumentet që posedojmë: Më 26 korrik 1911 konsullata e Austro-Hungarisë në Shkup, konkretisht zëvendëskonsulli Lejhanec, ndër të tjera, qeverisë së tij i shkruan:

“Siç njoftojnë njëzëri famullitari i këtushëm, Dom Zef Ramaj, dhe jezuiti patër Genovizzi, disa katolikë të këtushëm – në krye me Luigj Naracin dhe Kolë Bojaxhiun, që janë të njohur si miq të italianëve – këto ditë iu kanë drejtuar me një kërkesë Konsullatës italiane, ku e lusin që të ndërtojnë një shkollë të veçantë italo-shqiptare.

Si arsye ata theksojnë, se shkolla famullitare (pranë Kishës Katolike, vër. ime) për shkak të mungesës së kuadrit mësimdhënës funksionon në mënyrë të pamjaftueshme dhe nuk mund t`iu ofrojë nxënësve një shkollim të nevojshëm…” Më tutje në këtë dokument thuhet se, këta të dy (Luigji dhe Kola), do të tubojnë nënshkrime nga popullata vendore katolike.

Duke u mbështetur në burimin në fjalë, përveç asaj se Kolë Bojaxhiu dëshironte ngritjen e një shkolle të veçantë, një shkollë që do të financohej nga qeveria (e atëhershme) italiane, e jo

nga ajo austro-hungareze (si ajo pranë famullisë së Shkupit), vërtetohet se Kolë Bojaxhiu ishte katolik dhe njëkohësisht i angazhuar shumë për shkollimin e popullatës shqiptare në Shkup.

Shkupi në atë kohë nuk ishte vetëm një qendër tregtare më e madhe se Prizreni, por ishte edhe një qendër e kulturës shqiptare.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME