Gazetari dhe studiuesi Armand Plaka ka publikuar sërish një risi në faqen e tij personale në ‘FB’. Këtë radhë bëhet fjalë për një karikaturë të sjellë në vëmendje për publikun shqiptar për herë të parë, ndërsa ajo mban datën 11 maj 1913, kur Shkodra sapo ishte çliruar nga
malazezët, falë ndërhyrjes së fortë e të paekuivoke të Austro-Hungarisë.
Karikatura mbart diçiturën: Nikolla: Nga firmat kam frikë, kështu që më mirë po e dorëzoj sërish mbrapsht orën, që ma dhuroi Zoti im, atje ku e mora! – dhe na jep të kuptojmë në
mënyrë shumë artistike dhe humoristike një moment të historisë sonë kombëtare, nga e cila, nëse do kish ndodhur ndryshe, sot Shkodra nuk do ishte një qytet shqiptar.
Vetë studiuesi Plaka, i cili vazhdimisht ka sjellë risi në këtë fushë dhe njihet gjerësisht si një njohës i apasionuar i botës gjermanike, duket se ka dashur të nxjerrë në pah kontributin e
ish-Perandorisë Austro-Hungareze, duke theksuar se karikatura nuk duhet të na bëjë thjesht të qeshim, por të kujtojmë edhe kontribute të harruara.
Më konkretisht, ja se ç’shkruan ish-gazetari i gazetës “Shqip” në postimin e tij në “Facebook” me këtë rast:
“Në fakt satira politike, në një kohë kur nuk kishte as radio e televizion, ishte shumë e përhapur në atë kohë dhe problemet e Ballkanit papritur po zinin titujt kryesorë të gazetave e revistave të ilustruara austro-hungareze.
Shqipëria zinte jo pak vend ndër to, ndërsa Shkodra e pushtuar nga malazezët po përjetonte ditët e saj të tmerrit. Por, pas stuhisë, fati e desh që ajo të mbetej sërish shqiptare, falë ndërhyrjes së fortë e të vendosur të Austro-Hungarisë, ultimatumi i së cilës bëri që Knjaz Nikolla t’ua kthente sërish qytetin të zotëve të shtëpisë.
Në këtë kuadër, është bërë edhe kjo karikaturë, e cila vjen për herë të parë pas më shumë se 100 vjetësh (saktësisht 103 vjetësh) për publikun shqiptar, duke na bërë jo thjesht të
qeshim, por të kujtojmë historinë tonë shpesh të hidhur dhe angazhimin e atyre vendeve apo kombeve që kontribuan për të mbajtur më këmbë shtetin shqiptar. Karikatura nxjerr më në pah presionin që iu desh t’i nënshtrohej pa kushte Knjaz Nikolla i Malit të Zi, i cili në
karikaturat austriake të kohës me qesëndi njihej si “Nikita” ose “Niki”, e që në mënyrë figurative është i detyruar ta dorëzojë orën, dmth. Shkodrën, atje ku e mori.
Në krah të tij, në mënyrë shumë domethënëse shfaqet ushtari austro-hungarez, simbol i forcës që posedonte Perandoria dualiste në atë kohë, dhe në anën tjetër Esad Pasha, që
njihej për rolin e tij shumë kontrovers në lidhje me dorëzimin e qytetit në duar të malazezëve, pasi e kishte mbrojtur atë më parë me heroizëm.
Karikatura është marrë nga arkiva e një reviste të njohur satirike vjeneze të kohës, më 11 maj 1913 dhe poshtë saj është shënuar diçitura: Nikolla: Nga firmat kam frikë, kështu që më mirë po e dorëzoj sërish mbrapsht orën, që ma dhuroi Zoti im, atje ku e mora!