At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm i Shqipërisë

Ndriçim Kulla

Se cili është Valentini mund ta kuptosh duke e vëzhguar në jetën e përditshme. Unë fillova ta njoh në gushtin e vitit 1967, kur në një vilë të vogël të Bergamos, punova si asistent i tij.

Me të arritur, ai filloi të më fliste menjëherë për dorëshkrime, arkiva, dokumente të pabotuar, për paleografinë, etj., të gjitha gjëra që kishin lidhje me kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, që ne po përgatisnim… Ja, siç do te shprehej ne kujtimet e tij “Shënime bibiografike mbi Valentininin”, albanologu tashme i njohur, profesor Injacio Parrino, për të, përmbledhur si më poshtë:

“Duke studiuar rreth 10 orë në ditë, unë besoja të bëja mjaft, aq më tepër që të vazhdoja me 12 deri 14 orë studim, nuk mendoja se qëndresa do të më vazhdonte gjatë. Mirëpo 10 orë në ditë atij i dukeshin pak, e ndonjëherë më jepte ndonjë punë për të bërë edhe natën,

pa përmendur që ditë pune ishin të gjitha ditët e vitit, pa përjashtuar as të djelat, as ditët e festave e as pushimet verore apo dimërore… 14 orë ishte orari i tij i punës së përditshme… Nuk e kam dëgjuar kurrë të thoshte “u lodha”, madje lodhej menjëherë kur diçka e pengonte

të punonte në këtë mënyrë. Dukej se tyashmë qe mësuar me këtë metodë pune. I kish disiplinuar madje edhe lëvizjet, për t’i eliminuar ato të padobishmet, e për të mos humbur as edhe një grimë kohë…”

Në 10 vitet e fundit të jetës, Xhuzepe Valentini, për të bërë realitet një plan shkencor të një përmase të jashtëzakonshme, që kishte për objekt studimi kapjen dhe evidentimin e të gjitha dokumentacioneve në lidhje me Shqipërinë Mesjetare dhe në veçanti me Shqipërinë e Skënderbeut e gjen të nevojshme të “rekrutojë”

forca të reja me rastin e festimeve në të gjithë Europën të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Në “shkollën“ e re të Albanologjisë që kishte si pikë referimi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare dhe Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, vërshoi një numër shumë i madh materialesh dokumentare.

U mendua atëherë, në ndarjen e tyre nëpër tri koleksione burimesh: “Akte shqiptaro-vatikanase”, “Akte shqiptaro-venete” dhe “Akte shqiptaro-mediolanensia”. Siç do të shohim më poshtë, nga tri iniciativat e projektuara, vetëm dy të parat patën një fund, kurse për kodet e dorëshkrimeve dhe botimeve të shekullit 10-të dhe 11-të (ç’ka përbëjnë “Aktet Mediolanensia”) nuk kemi ndonjë shenjë.

Do të fillonte kështu, një periudhë e dytë hulumtimesh, ajo që mund të quhet finalja e madhe e gjithë sinfonisë së tij kërkimore shkencore, sidomos për periudhën e historisë së Skënderbeut dhe studimeve venedikase.

Studimi i parë, një monografi e shkurtër me titull “Statusi Personal në Shqipëri në epokën e Skënderbeut” (1967) është frut i një kërkimi të imtë e të lodhshëm nëpër Arkivat e

Republikës Venete. Përshkrimi jep së pari një përmbledhje mbi ndarjen shoqërore dhe politike të shoqërisë shqiptare në periudhën e Skënderbeut. Autori tregon diferencimin klasor, trajton familjet fisnike në qytetet e veçanta shqiptare, flet për dhënien e së drejtës qytetare dhe pozitën ligjore të fshatarëve dhe bujkrobërve. Megjithatë ai kufizohet në posedimet venedikase në Shqipëri.

Veç kësaj trajtohen mbetjet e thjeshta të vetë-administrimit qytetar, organet e administrimit lokal, të drejtat qytetare dhe e drejta për ushtrimin e lirë të fesë, që gëzonin të krishterët ortodoksë në territorin venedikas. Kushtet e pronës, liritë politike, shërbimi ushtarak dhe vendimi i gjyqit janë tema të tjera të përshkrimit. Në mënyrë të përmbledhur Valentini thekson se administrata venedikase bëri gjithçka që ishte në duart e tyre dhe për aq kohë sa e lejuan rrethanat për të mënjanuar dhe shmangur mangësi dhe çrregullime.

Punimi, nga ana tjetër, bazohet në konceptin juridik të sistemit të qeverisjes të zotërinjëve lokalë shqiptarë, të qyteteve dhe të vetë Venecias në këto zona, të rregulluara për secilin prej

këtyre regjimeve. Për t’u shënuar janë shqyrtimet e imta mbi origjinën dhe karakteristikat e Kanunit të Skënderbeut, kryesisht nën dritën e krahasimit dhe përballjen me Kanunin e Lekë Dukagjinit, Ligji Antik i Maleve Shqiptare. Ja si do të shkruuante për këtë vepër Peter Bartl: “Për historinë shoqërore të Shqipërisë veriore që vështirë të njihet deri më sot, ky punim përbën një pasurim të jashtëzakonshëm”.

Hulumtimi i tij vijon më pas sistematikisht me “Shënime mbi rregjimin e vend-qendrimeve venete në Shqipëri në shekullin XIV–XV”, ku jezuiti u ofron studiuesve një histori të imtë të natyrës së këtyre vend-qëndrimeve, duke u ndalur në një dokumentacion shterues e të mjaftueshëm për ndërtimin pothuajse të vërtetë të realitetit të kohës.

Autori analizon si kërkesat nga pala shqiptare (autonomi, statute lokale, funksionarë lokalë, gjyqtarë lokalë, etj.), në funksion para së gjithash të interesave të përbashkëta dhe të respektimit të normave të caktuara në statut, ashtu dhe të Princërve a komuniteteve të pavarura ose atyre që përballë Venecias ishin në pozicionin e klientëve. Ky kërkim duket të jetë plotësim i studimit të sipër-përmendur.

Dy artikuj të tjerë që sjellin tematikën e mësipërme qoftë në pikëpamje të përgjithshme, qoftë në detaje të veçanta, e që janë po njësoj fryt i kërkimeve të bëra nëpër arkivat venete, kanë të bëjnë me ekonominë bujqësore në zonën e Shkodrës përgjatë qeverisjes venete të shekullit XV, si dhe me disa të dhëna mbi mënyrën e administrimit venet në Shqipëri (shekulli XIV – XV) (191).

Të dhënat e studimit të parë janë nxjerrë nga “kadastra shkodrane” (1416 – 1417) të ribotuar edhe në vëllimin VIII te “Akte shqiptaro – venete” (192). Bëhet fjalë për njuë listë jo të fondeve të tokës së gjithë Drishtit, por vetëm të tokave të shtetit dhe atyre që paraqiten si subjekte të taksave të veçanta. Bujqësia dhe agrikultura konstituonin në atë kohë një kapitull të rëndësishëm të ekonomisë publike dhe private.

Studimi i dytë (“Mbi administrimin venet në Shqipëri”), (194), bazohet mbi një dokumentacion përjashtimisht arkivor, që shkon nga viti 1386 deri në vitin 1417; për çdo pjesë të dokumentacionit të cituar tregohet data, vendosja në arkiv dhe numri progresiv i këtij dokumenti të dhënë në vëllimet e “Akte shqiptaro–venete” (të botuara asokohe deri në numrin 1219, ndërkohë që ishin gati dokumente të tjerë deri në numrin 2221). Për një tablo

historike të argumentit, ndoshta ndoshta do të qe e dobishme të sillnim këtu atë ç’ka jezuiti sqaron si një premisë historike për tipin e sundimit qëndror dhe lokal, që Serenissima ushtronte në Shqipëri.

Këtu është e nevojshme të bëhet një saktësim goxha i rëndësishëm. Epoka e lavdishme e shqiptarëve me në krye Gjergj Kastriotin përkoi në ambjentin evropian me epokën e Venecias, ndaj në raportin midis tyre, lipset të kristalizohet mirë një qëndrim, ai i përcaktimit, në mënyrën më thellësisht të dallueshme, të diferencës radikale të qëndrimit dhe sjelljes së Skënderbeut përballë Turqisë dhe Venecias;

Me turqit, Skënderbeu s’pranoi kurrë një paqe të vërtetë, nuk pranoi kurrë pakte, nuk pranoi kurrë t’u japë atyre ndonjë lloj vendqëndrimi në vendin e tij; gjëja më e madhe që lejoi me ta ishte armëpushimi. Në të kundërtën, me venecianet ai ka pasur vërtet periudha të një lufte të

hapur, periudha krize, por edhe periudha të një bashkëpunimi miqësor e të një pranimi të vazhdueshëm e pa ndonjë vërejtje të veçantë të vendqëndrimeve (stabilimenteve) të tyre në territorin shqiptar.

Po si është e mundur diçka e tillë? Sipas të gjitha gjasave, për shkak se ai mendonte se kjo do të qe jeta ideale për kombin shqiptar, kushtet e së cilës mund të respektoheshin nga venecianët, kurse nga turqit jo, asnjëherë. Në këtë analizë, duhet njohur dhe duhet bërë e ditur se Perandoria Turke, shumë më tepër se Perandoria Bizantine lejonte në brendinë e vet

forma të ndryshme autonomie të regjimeve dhe kulturave, të cilat edhe në përballje me imperializmat e sotëm të llojeve më modernë, të organizuar në disa lloj forma qeverish të centralizuara apo edhe të ndonjë lidershipi ekonomik e kulturor, do ta bënin të dukej një perandori liberale. E Skënderbeu një gjë të tillë ishte në gjendje ta kuptonte.

Nga ana tjetër, është për t’u nënvizuar se në mes të atyre vlerave ideale që ai mendonte, nuk mungon, por, përkundrazi, shërben si një arsye mëse evidente, koncepti i atdheut shqiptar (pavarësisht shpërndarjes në hapësirë, edhe në Greqi, të njerëzve që i përkisnin këtij kombi). Por, gjithsesi, arsyeja më e madhe e gati kyçe duhet të ketë qenë koncepti i jetës kristjane; të gjitha vlerat e tjera janë të amalgamuara e të fuqizuara nga një kontekst i tillë.

E kjo është një dëshmi pa të cilën nuk mund të bëjmë dot. Rregjimi turk mund ta lejonte, ndoshta liberalisht, zëvendësimin dhe pasimin në një lloj mënyre të njërës apo tjetrës nga këto vlera, por duke i shkundur, dobësuar e ç’integruar këto komunitete! Ja, përse ky regjim u gjykua si i papranueshëm.

Në lidhje me studimet e marrëdhënieve me fuqitë e huaja në epokën e Skënderbeut, në veçanti për raportet e këtij të fundit me Papatin, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes, Papas Mateo Shambra (1914–1967) ideoi një fushatë mbledhje burimesh për përgatitjen e një

vëllimi të posaçëm. Një kërkim i tillë, që do ta përfundonte Xhuzepe Valentini dhe Injacio Parrino, pas vdekjes së parakohshme të të ndjerit Papas Shambra (196), kishte për subjekt

planin e përgjithshëm të veprimit të Kryqëzatës së Madhe të inkurajuar nga luftaraku Papa Kalisti III (1455–1458), përballë shumëfishimit të sulmeve turke, ndaj venedeve të ndryshëm kristianë që do të organizohej në bazë të bashkimit të forcave të Europës, duke pasur për portë hyrëse Shqipërinë.

Kjo vepër e titulluar [“Liber Brevium” e Kalistit të tretë, Kryqëzata, Shqipëria dhe Skënderbeu”], është plotësuese e një përmbledhjeje tjetër të rëndësishme burimesh “të

shkurtëra” të të njëjtit papë, të botuar po nga i njejti autor. Më vonë, dmth. më 1971, në kolanën “Studime dhe Tekste”, shfaqet një vëllim i tretë, i përpiluar vetëm nga Injac Parrini me titull “Akte shqiptaro–vatikanase”, interesant nga pikëpamja historike, sepse është i pasur me rreth 563 dokumente papnore që kanë lidhje me Shqipërinë gjatë viteve 1328–1482, të ruajtura në Arkivën e Vatikanit (198).

Një aktivitet i fortë dhe i vijueshëm diplomatik midis Selisë së Shenjtë dhe Venecias kronologjizohet (me anë të regestëve) nga viti 1442 deri më 1458, në lidhje me organizimin e Kryqëzatës nga Eugjeni IV deri tek Kalisti III, nga vetë Valentini në një botim të këtyre dokumenteve të Arkivit të Venecias, të përfshirë në “Akte shqiptaro–venete”. Përgjatë një aktiviteti të tillë, në një moment të parë, nën Eugjenin IV (1431–1447) dhe Nikollën V

(1447–1455), duket të mbizotërojë Venecia, meqënëse ajo ndihej më e rrezikuar, kurse përgjatë papnimit të Kalistit, pozicionet u përmbysën dhe raportet diplomatike Veneto–Turke u intensifikuan, parasëgjithash për shkak të pabarazisë së forcave midis tyre në favor të turqve, në perspektivë të një armëpushimi ose paqeje të qendrueshme.

Angazhimi shkencor i Valentinit u drejtua edhe drejt aktivitetit të Piut II (1458–1464) dhe raporteve të tij diplomatike, veçanërisht në lidhje me Serenissimën, për ta pasur aleat në luftën anti-turke. Me vdekjen e Piut II, Kryqëzata e ideuar prej tij u pezullua. Vitet në vazhdim (1464–1468) njohën angazhimin në luftë kundra turqve si të Venecias ashtu dhe të Hungarisë e Shqipërisë, me sakrifica të shumta financiare, siç tregohet në dokumentet e

studiuara me një rigorozitet të spikatur kritik, aftësi kjo që e dallonte historianin jezuit. Ja si do të shprehej ai në një artikull përmbledhës:

“Nuk âsht qênë e vogël ndihma qi Selija Shêjte u dha Skanderbegut e çashtjes shqiptare. Ndoshta përpjekja e Piut II mund të çmohet mâ tepër se ajo e Papve tjerë sepse mâ e organizueme dh’e sajueme në nji pámje të gjanë, por gjithëherë tue u përqendrue në

Skanderbegun dhe në dobí të Shqipnís. Ky Papë, në letërshkëmbimin e tij të dendun mbi gjendjen kritike t’Aragonezvet të Napolit, ndërron papritmas vendim e qendrim tue u sjellë në favor të Ferdinandit, porsa Skanderbegu me 1461 zbarkon n’Italí për t’a ndihmue. Skanderbegu aty nuk përmendet por kuptohet qartas se miqsija e Skanderbegut për Ferdinandin i fitoi këtij mbështetjen e Piut II”.

Megjithatë, Jezuiti i njohur ishte më se i ndërgjegjshëm për nevojën e një rregullimi dhe koordinimi modern e të vazhdueshëm të të dhënave historiografike mbi heroin shqiptar. Problemet e lidhura me burimet dokumentare dhe traditën biografike dhe popullore, me

metodologjinë e kërkimit të tyre për epokën e Skënderbeut, për marrëdhëniet e tij me Venecian, Napolin dhe familjet e fuqishme shqiptare, vihen në qendër të trajtimit në një artikull të botuar në “Shejzat” më 1966, me titull: “Probleme historiografike Kastriotiane”.

“Nuk ushqejë shpresa të mëdha për ndonjë furnizim të madh dokumentesh të panjohur, nga ana e arkivave deri më sot të eksploruara apo të paeksploruara, besojnë më tepër në mundësinë e gjetjes së raporteve speciale, dokumentarë apo orientues; e akoma më tepër, në prurjet e një analize të vëmendshme, të plotë e inteligjente të të gjithë materialit të gjetur,

duke pasur parasysh, për shembull, problemet e nënvizuara më sipër. Mjafton të shohim, për

shembull, rivlerësimin e parakohshëm, të paktën nga një lloj i caktuar këndvështrimi, i besueshmërisë së njërit prej biografëve më të mëdhenj të Skënderbeut, Marin Barletit, të realizuar falë kërkimeve të çmuara topografike dhe onomastike të historianëve shqiptarë dhe

nga ne vetë, nisur që te shënimet e mbledhura e të papritura në dy dokumente të botuara në revistën “Leka”: “Përfundime historike të nji dokumenti” dhe “Shkodra dhe Shqipërija ndër dokumente të Farlatit”, e më vonë në një seri artikujsh të botuar në revistën “Drini” nën titujt “Shëtitje historike në Shqipërinë e Veriut”.

Në një shkrim të shkurtër të vitit 1968 në revistën arbëreshe “Zgjimi” (“Skënderbeu në kontekstin Europian”), At Valentini përtej konsiderimit të Kastriotit si një personazh të madh, origjinal, me përmasa europiane, nga ndonjëherë i pakuptuar, nëse e vlerëson të ndarë nga ambjenti i tij dhe nga konteksti europian, dënon orvajtjen qesharake të historiografisë

zyrtare të Republikës Popullore të Shqipërisë për ta shndërruar atë në një pionier të socializmit modern. Në ligjeratën hapëse të “Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve shqiptare” kushtuar Skënderbeut dhe mbajtur në Palermo më 1968, albanologu i shquar komunikonte

rezultatet e mundshme dhe qëllimet e arritura nga kërkimet, bashkë me nevojën që studiuesit të mbledhin sa më shumë material dokumentar, për një njohje sa më të imtë të kontekstit historiko-juridik dhe politik në të cilin veproi Skënderbeu.

Ndërsa në një intervistë të marrë me këtë rast ku ai do të paraqitej nga ana e redaksaisë së revistës “Shejzat”, si “sot për sot historjani mâ i thelluem në periudhën historike ndriçue nga shkëlqimi i epopés së Kruetanit të Madh”, në lidhje me raportin dhe vlerën e veprës së Skënderbeut për Europën, ai do të përgjigjej:

“Edhe mos të kishte qênë Skanderbegu ngadhnjyes në nji serí luftimesh të vishtira, por gjithmonë i thyem në 25 vjet qindresë kundra Turqvet, prap se prap admirimi i em e i çdo Europjani të ndritun do t’ishte ai qi âsht; Skanderbegu e Shqiptarët u flîjuen për qytetnimin europjan. Nuk mund të thuhet, si ndëgjojmë shpesh tue thânë, qi ai fitues në shum luftime humbi në fund luftën. Sulltanat nuk synojshin me zaptue Shqipnín, por me kalue përtej

Adriatikut n’Italí e n’Europë. Mbraparoja e ushtrís europjane e përbâme prej Shqiptarve t’udhëhjekun nga Skanderbegu u shkrî dhe bâni me deshtue qellimet e Muratit II e të Mehmetit II. Europa shpëtoi e prandej lufta u fitue për hír të Skanderbegut e të popullit

shqiptar. Randësí të prekëshme ka fakti se, mbas vdekjes së Gjon Hunyadit, tue qênë i biri i

këtij Mati Korvini i ndaluem prej vishtirsinave së mbrendëshme të mbretnís së vet, mos të hynte në luftë me Turq Skanderbegu me Shqiptarët e tij, nuk dij si Europa do t’ia kishte shmangë vetes rrezikun e nji vershimi t’ushtrive aziatike në tokët e saja qandrore. Vetë Venediku, qi nuk duronte kend me çue krye n’afërsí të zotnimeve të tija, herë mbas here e në

fund kryekëput iu mbështet Fatosit shqiptar, të cilit id ha edhe komandën e përgjithëme të forcave të veta toksore në të tânë Balkanin, tue shkelë traditën politike qi kishte mos me u dhanë kurr të huejve vendas as sundim as komandë”.

Kurse i pyetur se cili është mendimi i tij mbi veprën e një autori të tillë si Biemmi, që “thuhet se e ka sendërgjue veprën e vet mbi dokumenta kallpe”, ai do të jepte një përgjigjie sa kurioze aq edhe shteruese.

“Rezulton se Biemmi ka qênë nji ndër asi historjakësh gjenjalë, qi s’i kanë mungue kurr Italís, të cilët, tue pasë maje gishtave njoftimet e historís, me sigurí kanë mujtë me hartue tregime historike tansisht të besueshme edhe pse të mbështetuna mbí êmna auktorësh të çpikun.

Asnji auktor si Biemmi nuk dishmon njoftje të përpikët mbi topografín dhe mbí toponomastikën e krahinave të Shqipnís, mbrenda e jashta jurisdikcjonit të Venedikut”.

Por mbi të gjitha bota jonë kulturore (pse jo dhe ajo shtetërore) lipset t’i kushtojë nderimin dhe respektin e vet më unikal, këtij hulumtuesi të jashtëzakonshëm me ndërgjegjje dashurore dhe shkencore për Shqipërinë, që ajo sot ka në dorë një material të bollshëm për të shkruar faqet më kryesore të historisë së vet, sidomos ato të periudhës para dhe pas-skënderbegiane.

Vit pas viti, me një zell vërtet të pashoq, me një durim të mrekullueshëm e me një dashuri e kopetencë shkencëtari, aktiviteti i tij i drejtoi energjitë e veta kah asaj që do të ishte projekti më madhor i gjithë jetës, korpusit gjigand prej 30 vëllimesh, të mbledhura e të dokumentuara mes mijëra e mijëra skedash biblioteke, të titulluar “Akte shqiptaro-venete të shekullit XIV-XV”, një kompleks ky sa monumental aq edhe i gjithanshëm, e rigorozisht shkencor.

Do të qe goxha e gjatë të analizonim këtu çdo vëllim në veçanti, megjithatë duhet të nënvizojë se në tërësi vepra është themelore për këdo që merret me studime albanologjike. Ndaj, ia vlen të sjellim këtu atë çfarë shkroi Karmelo Kapici menjëherë pas botimit të 12-të

vëllimeve të para; “Kush shfleton 12-të vëllimet e botuara deri tani shtyhet të besojë se kemi

në duar “veprën e jetës” së Valentinit. Kjo parandjenjë përforcohet kur mësohet nga V. Malaj se vepra do të përmbajë 24 vëllime dhe që tre të tjerët (XIII-XIV-XV), ashtu siç na siguron vetë Valentini, janë në proces botimi. Megjithatë, parandjenja kthehet në siguri, në se i kushtohet pak studim kritik vëllimeve të botuara “

Bëhet fjalë, pra, për tekste në të cilat janë botuar dokumente historikë të nxjerrë nga “Arkivi i Shtetit” në Venecia. Ai ka arritur të përfshijë në to, sipas traditës më të mirë shkencore, temat më origjinale të kulturës të së drejtës shqiptare dhe të historisë epiro-shqiptare të

Epokës së Mesjetës, duke i filtruar ato me saktësi, mprehtësi dhe angazhim serioz shkencor; një përmbledhje burimesh të pabotuara më parë me vlerë të padyshimtë historike që lejon njohjen e imtë të historisë së vendit gjatë shekujve XIV-XV (1384–1463), nga pikëpamja

politiko– administrative, sociale, tregtare, juridike, marrëdhëniet me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën e Shën Markut (Venecian). “Aktet shqiptaro – venete” në këtë këndvështrim, janë një instrument i pashmangshëm për njohjen e një periudhe historike në të cilën Shqipëria qe një udhëkryq interesash politike dhe tregtare, në mbrojtje të gjithë asaj zone nga invazioni musliman.

Po kjo vepër është e një rëndësie kapitale edhe për dy arsye të tjera. Së pari, ajo shënon kulmimin e një studimi kapilar dokumentacionesh mbi historinë e periudhës së Skënderbeut dhe veçanërisht mbi lidhjet shqiptaro-venedikase. Së dyti, ky korpus monumental vëllimesh

hedh mjaft dritë rrezatuese mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me perëndimin, që shkojnë përtej këtyre shekujve, thellë gjer në historinë e Romës, duke i ngritur kështu një përmendore madhështore këtij profili të kulturës shqiptare, për të cilën Valentini shpjegon se është

ndoshta kristjane që nga koha e Shën Palit. Në këtë pikë, do të qe me vend të citonim pasazhe nga letrat e dy profesorëve të njohur të Universitetit të Mynihut, në lidhje me vlerën e saj; kështu, profesor Stadmüller shkruan se këto vëllime janë “… dëshmi mbresëlënëse e

këmbënguljes së tij të shquar për erudicion”, ndërsa doktor Martin Camaj shprehet se “botimi i këtyre dokumenteve po bën mjaft bujë në rrethet shkencore gjermane duke bërë që At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm i Shqipërisë, por njeri nga

më të mëdhenjtë e gjithë Gadishullit Ballkanik”. Edhe studiues te fusha te specializuara do t’i

theksonin më vonë vlerat e kësaj serie.Kështu, Prof. Giovan Battista Pellegrini, nga Instituti Glotologjik i Padovas, në “Shënime leksikore në fundshkrimet e ACTA ALBANIAE VENETA” do të shkruante:

“Pavarësisht interesit themelor të përmbajtjeve historike, juridike e të historisë të së drejtës zakonore që ato afrojnë për fusha të ndryshme studimi, nuk duhet të anashkalojmë kurrësesi prurjet e rëndësishme që këto tekste i afrojnë disiplinave filologjiko-linguistike e në veçanti historisë së gjuhës shqipe, qoftë edhe nëpërmjet zbulimit dhe shqyrtimit të një grupi

të konsiderueshëm fjalësh, antroponimesh dhe toponimesh të ndërfutura në kontekste të ndryshme. Aq më tepër që, duhet të kihet parasysh, së bëhet fjalë për një periudhë të gjatë përpara shfaqjes së scripta_s shqiptare (që zë fill me një formulë të shkurtër pagëzimi më 1462, por me një libër të plotë, vetëm më 1555)”.

Prof. Antonino Guzzetta, në “Gjurmë të gjuhës shqipe të shekullit XV përmes dokumenteve venete të epokës”, do të shpjegonte: “Në këtë vëllim jam munduar të jap e të zhvilloj saktësime të ndryshme në lidhje me elementët e bollshëm leksikorë, por akoma dhe më tepër onomastikë, shqiptarë, që përmbajnë “Aktet Shqiptaro-Venete”; Prej tyre mund të nxirren tregues parësorë, qoftë fonetikë ashtu dhe morfologjikë, për gramatikën historike të gjuhës sonë…

Në listën e paraqitur unë ndalem të ilustroj parasëgjithash antroponimet (mbiemrat), të cilat, edhe pse në formë pak a shumë të venetizuar, zhvellojnë një origjinë qartësisht shqiptare, pa anashkaluar të ndërfus edhe vërejtje fonetike dhe morfologjike, veçanërisht në formimin e fjalëve. Gjatë këtij shqyrtimi kam mundur të bazohem kryesisht në të dhënat e afruara nga një specialist I gramatikës dhe leksikologjisë siç ishte F. Cordignano dhe nga këshillat e vyera të botuesit të këtyre dokumenteve, mësuesit tim G.Valentini”.

E si përfundim edhe Prof. Carla Marcato, Eksperte e leksikologjisë dhe etimologjisë, në “Shenime leksikore në fundshkrimet e ACTA ALBANIAE VENETA”, e shpjegon kështu punimin e vet mbi këto vëllime.

“Studimi synon të ilustrojë përmes një shqyrtimi akoma dhe më të thellë një rradhë lemash të përmendura nga Valentini në këto “Akte” ose disa shprehje të caktuara që shfaqen shpesh nëpër tekstet e shumtë shqiptaro-venetë…

Në radhë të parë, do të doja të nënvizoja se përmbajtja që vijon lemën është ajo që është dhënë nga Valentini në indekset e secilit prej vëllimeve; të tijat janë edhe pikëpyetjet (ose pikat e dyshimit) për zëra të caktuar…

Nuk mungojnë gjithashtu në punim, shqyrtimi i disa zërave që Valentini i ka lënë veçan përgjatë Indekseve të tij, fortësisht të saktë. Të shumta janë edhe riprodhimet semantike e sintaksore të tekstit latin të “Akteve” që botuesi u ka përbri-vënë, në shënimet e tij të ngjeshura e precise, shehjet analoge të shqipes…

E gjitha kjo është fortësisht e dobishme për t’i afruar kryesisht dialektologut dhe historianit të gjuhës materiale të interpretuara me sa më shumë detaje hermeneutikë…

Për sa i përket përmbajtjes, doja të theksoja praninë dhe rëndësinë linguistike të këtyre akteve, që përmbajnë kryesisht përshkrime të procesece për vrasje, vjedhje, etj, duke

pasqyruar kështu gjuhën e folur të popullit, e duke të sjellë nëpërmend të famshmet “Akte të Podestas së Lio Mazor-it”, të botuara nga U.Levi (Venezia, 1904).” /Shqiptarja/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME