Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, 1912-1913, është lufta më e vështirë e popullit shqiptar për sigurinë e tërësisë tokësore.
Ajo ka qenë tërësisht një luftë moderne dhe e mirorganizuar, që për nga kohëzgjatja në një rrethim gjashtëmujor serbo-malazez, përbën rastin më unikal të qëndresës heroike të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike e më gjerë. Rrethimi i Shkodrës ka filluar më 20 tetor 1912 dhe ka përfunduar më 23 prill 1913. Por për këtë ngjarje historike është shkruar shumë pak në tekstet bazë të Historisë së Shqipërisë, në dy botime akademike, si në atë të vitit 1965, edhe në atë të vitit 2002.
Në këtë vështrim, qartazi mund të themi se historiografia shqiptare i ka një “borxh” kësaj ngjarjeje historike. Sakaq, duhet t’u jemi mirënjohës disa autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë lënë ditarë dhe vepra të lavdërueshme për këtë qëndresë titanike.
Vlen të përmendim këtu disa prej tyre, si veprën “Brenga e Ballkanit” e Edith Durham, “Rrethimi i Shkodrës” e Zambuar, “Rrethimi i Shkodrës” i G.Berri, e veçanërisht librin “Mbrojtja e Shkodrës” të autorit Përparim Rexhepi, një ish-ushtarak vlonjat që ka shërbyer e jetuar për disa vite në Shkodër etj.
Për të risjellë tablonë e atyre ditnetëve lufte në rrethim, është e rëndësishme të rikujtojmë kontekstin historik të rrethimit të Shkodrës që përkon me një mori ngjarjesh të rëndësishme jo vetëm për Shkodrën.
Kryengritjet e përgjithshme të popullit shqiptar kundër Turqisë dhe xhonturqve në vitet 1910-1912, janë pararendëset e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 nëntor 1912, nga Plaku i Vlorës, Ismail Qemali. Ushtria turke kishte marrë
goditje të rëndë nga forcat kryengritëse shqiptare. Nga ana tjetër, edhe shtetet e tjera të Ballkanit i kishin shpallur luftë Turqisë. Ishte rritur tensioni në Ballkan e më gjerë, pra kishte
nisur Lufta Ballkanike. Serbia e mbështetur nga Rusia u bë inisiatorja e një aleance të re ballkanike kundër Turqisë. Në pranverë të vitit 1912 u arrit marrëveshja serbo-bullgare, në të cilën hynë në aleancë edhe Mali i Zi e Greqia. Aleanca u quajt “antiturke”, por për Shqipërinë
dhe shqiptarët ajo ishte një plan i ri sulmi, pushtimi dhe copëtimi. Këta “aleatë” nuk vinin si çlirimtarë te ne, por si pushtues, ushtria serbe pushtoi Luginën e Vardarit, Sanxhakun, Novi-
Pazarin, Rrafshin e Dukagjinit dhe iu drejtua Adriatikut. Grekët pushtuan Himarën dhe arritën
në Qafë të Llogorasë. Ndërkohë ushtria malazeze nisi luftimet dhe rrethoi Shkodrën, sikurse po këtë synim kishin Rusia, Austria, Italia, dhe veçanërisht sllavët e jugut, që përpiqeshin të vendosnin pushtetin e tyre, deri në Adriatik.
Mbret Nikolla e kushtëzonte ekzistencën e Malit të Zi me Shkodrën, të cilën e “ëndërronte” si kryeqytetin e shtetit të tij. Ushtria malazeze ndërmori e para sulmin kundër Turqisë, me shpresën se do të arrinte objektivat e veta, para se të reagonin fuqitë e mëdha, e në radhë
të parë Austro-Hungaria. Kështu, Mali i Zi, pa ndonjë traditë luftarake, u fut në Shkodër me 30 mijë trupa, më 8 tetor 1912. Lufta filloi si një grotesk gazmor, e shoqëruar me një të shtënë me top në drejtim të Shkodrës, nga princi Mirko. “Kjo e shtënë sinjalizoi fillimin e
luftës së Malit të Zi kundër Turqisë, por edhe atë të Luftës së Parë Ballkanike”. (P.R.).
Brenda javës, armatat e ushtrisë serbe dhe të Malit të Zi, në “sinkron” të plotë, filluan të pushtojnë tokat e Shqipërisë së veriut, me pikësynim Shkodrën. Në krahun e ushtrisë
malazeze u vendosën edhe mbi 3000 malësorë shqiptarë, të blerë apo të gënjyer, që Mali i Zi nuk i ka njohur asnjëherë si aleatë në luftën kundër ushtrisë turke. Në këtë situatë të rëndë
pushtimi, u ngritën në këmbë shqiptarët nga e gjithë Shqipëria, për të shpëtuar ekzistencën e Atdheut të tyre dhe armët i drejtuan kundër pushtuesve të rinj. Nga burime serbe dhe turke,
në mbrojtjen e Shkodrës, kanë marrë pjesë 24 mijë forca të Korpusit turk, nën komandën e Hasan Riza Pashës të dislokuara në 5 rajone: Rajoni Shtoj, Bardhaj, Berdicë, Tarabosh, Tepe. (P.R.).
Në ndihmë të tij, nën drejtimin e Esat Pashës, rreth qytetit ishin vendosur më shumë se 15 mijë mbrojtës rezervistë shqiptarë, të ardhur nga rrethet Lezhë, Dibër, Mirditë, Krujë, Tiranë, Shijak, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Peqin, Pukë dhe Shkodër (5 mijë veta). Shtabi turk
kishte parashikuar çdo gjë që duhej për mbrojtjen e Shkodrës. Shqipëria ishte në pragun e agimit të ri, kur mbi Shkodër u derdhën mijëra predha e tonelata me hekur e zjarr. Në dhjetor
1912 dhe janar 1913, mali i Taraboshit, kodrat e Beltojës, Berdicës dhe Bardhajve u bënë
arenë luftimesh të përgjakshme që deri në atë kohë nuk i kishte njohur historia. Në këtë teatër lufte, për të mbështetur Malin e Zi, u fut në lojë Serbia, që më 10 nëntor 1912 urdhëroi 2 divizionet: “Shumadija” me efektivë 6500 trupa dhe “Drina 2” me efektivë 9219 trupa, të niseshin njëri nga Prizreni për në Durrës dhe tjetri nga Gjakova për në Shëngjin, për
të pushtuar Shqipërinë. Të dyja njësitë serbe u ndeshën rrugës në qëndresën e shqiptarëve.
Ndërkohë, trupat malazeze të komanduara nga mbreti Nikolla, kishin shpallur se do të luftonin deri në fishekun e fundit për të marrë Shkodrën. Por, megjithëse në mbështetjen e tyre ata kishin shumë forca serbe, dështuan sa herë që e provuan.
Kjo ndodhte sepse trupat turko-shqiptare ishin më të përgatitura në fushën ushtarake, të armatimit e fortifikimit, si edhe ishin më qëndrestare. Qindra qytetarë shkodranë, burra dhe gra, punonin për prapavijën, në hapjen e llogoreve, vendosjen e telave me gjemba,
mbledhjen e rezervave ushqimore dhe lëndëve djegëse, transportin e materialeve luftarake,
si dhe në hapjen e rrugëve të reja. Të tjerë merreshin me transportin dhe mjekimin e të plagosurve, qepjen e veshjeve për luftëtarët e lirisë etj. Komanda turko-shqiptare kishte vendosur raporte të mira me parinë e qytetit. Shkodra u mbrojt në dy vija mbrojtëse: Njëra
nga shpatet e Taraboshit, kdrat në Berdicë dhe Vukatanë, kurse e dyta nga kodrat e Tepes, Bardhajt, bregu i Kirit, Golem e Dobraç etj. Artileria ishte vendosur në Tarabosh, Berdicë, Tepe, Bardhaj dhe Shtoj. Kyçi i mbrojtjes së Shkodrës është vlerësuar mali i Taraboshit, kush
mbronte Taraboshin, kishte në dorë Shkodrën. Luftimet për mbrojtjen e saj ishin të lidhura me fortifikime të tipit fushor me vija e hendeklidhje, çka i dha siguri qëndresës së qytetit. Zonat më të sigurta ishin: Shtoji, Bardhaj, Taraboshi, Tepja dhe Berdica. Garnizoni i Shkodrës. (P.R).
Ishte organizuar mirë edhe sistemi i ndërlidhjes, nga centrali kryesor në kala, deri tek ato të rajoneve të mbrojtjes. Qëndrestarët e Shkodrës ishin furnizuar me armatim, ushqime e
veshmbathje për një kohë të caktuar, por që shumë mungesa u plotësuan me kontributin e shkodranëve, të cilët ndanë edhe kafshatën e fundit me mbrojtësit e tyre gjatë rrethimit serbo-malazez. Më 3 dhjetor, midis ushtrisë turko-shqiptare dhe aleatëve ballkanikë u bë një
armëpushim. Mbret Nikolla urdhëroi ndërprerjen e luftimeve, por Hasan Riza Pasha u përgjigj se: “Tashmë Shkodra është një qytet shqiptar që nuk mund të marrë urdhra nga një komandë turke dhe se qyteti dëshiron të mbrojë pavarësinë e vet, kundër malazezëve”. (G.B.M.).
Për të shpëtuar Shqipërinë dhe siguruar pavarësinë e saj, duhej të mbrohej Shkodra. Prandaj gjenerali turk deklaroi në atë kohë: “Shkodra mund të rezistojë edhe për 6 muaj të tjerë’. Më 5 dhjetor 1912, malazezët ndërmorën sulmin në shkallë të gjerë nga Bardhaj deri në breg të
liqenit. Në errësirën e natës u zhvilluan përleshje trup më trup, me thika, bajoneta. Fusha e luftimit u bë tym e flakë nga zbrazja e pushkëve, mitralozave dhe topave që godisnin pa
pushim. Kur zbardhi dita, në fushën e betejës kishin mbetur shumë malazezë të vrarë dhe të varur në tela, llogore dhe transhe. Edhe në këtë rast, fatin e luftimeve e vendosi artileria turke, që sulmoi me breshëri shrapnelësh në të gjitha pozicionet.
Hasan Riza Pasha e fitoi bastin, sepse Shkodra qëndroi heroikisht në një rrethim më se të plotë. Më 9 dhjetor, ai i sulmoi papritur serbët në Shirokë, Bushat, Bardhaj e më pas në
Oblikë. Më 16 dhjetor rimori Pistullin, Paqramin, Hajmelin, Shelqetin. Më 29 dhjetor u bë sulmi
i fundit për 1912-n në të gjitha frontet e luftimit, ku shqiptarët u dalluan si mjeshtër të pathyeshëm në kushtet e rrethimit të plotë. Giani B. Macario shkruan: “Qyteti i Shkodrës u mbrojt kryesisht nga shqiptarët…”. Prandaj Hasan Riza Pasha, duke parë se Shkodra për Turqinë ishte e humbur, deklaroi se krahas flamurit turk, duhej ngritur edhe flamuri shqiptar në
kala, për të lidhur Shkodrën me qeverinë e Vlorës, duke i vënë serbo-malazezët para një fakti të kryer. Njëkohësisht, Valiu mori edhe mbështetjen e malësorëve shqiptarë, të cilët, pasi e kishin kuptuar “lojën” e Malit të Zi, deklaruan se do të luftonin për liri e pavarësi dhe jo për Malin e Zi, si dhe u njoftua edhe Vjena për planin e tij.
Më 31 janar ishte caktuar dita e ngritjes së flamurit shqiptar mbi Rozafë, si edhe sulmi i forcave të Garnizonit të Shkodrës mbi ato serbo-malazeze. Por një ditë më parë, pas takimit të Valiut dhe kryeipeshkvit të Shkodrës për njohjen e këtij plani, për fat të keq, Hasan Riza
Pashën e vranë në derën e shtëpisë së tij. Ai ishte oficeri më i kompletuar dhe më inteligjent, si dhe një komandant i madh i shtabit turk, që e deshi Shqipërinë. Riza Beu, pak para se të
ndërronte jetë, u tha oficerëve që i rrinin pranë: “Betohuni se do ta ruani Shkodrën deri në vdekje”. Ministri turk i Luftës, Mehmet Pasha, kur mori vesh lajmin e vrasjes së Hasan R. Begut, tha: “…na e vranë në të pabesë një hero të madh”. Mis Durham shkruante: “Osman Bali dhe Mehmet Kavaja, dy shërbëtorë të Esat Pashës, lavdëroheshin më vonë për veprën
që kishin bërë”. Nga burime të ndryshme, eliminimi i Hasan Riza Pashës është cilësuar si vrasje e organizuar. Pas tij, komandën e Garnizonit të Shkodrës e mori Esat Pasha, i cili nuk e njohu shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe qeverinë e I. Qemalit, si dhe nuk e vazhdoi qëndresën kundër serbo-malazezëve.
Më 2 shkurt 1913, me anë të një letre, dërguar mbret Nikollës, ai kërkoi armëpushim, ndërkohë që pala malazeze zgjodhi alternativën e përdorimit të forcës. Por edhe në këtë rast, sulmi i Malit të Zi dhe Serbisë mbi Berdicë dhe Bardhaj, përfundoi në një kasaphanë të
vërtetë, pasi ata u goditën rëndë duke lënë në fushën e betejës mbi 2500 ushtarë. Më 10 prill 1913, kryeministri serb Pashiç urdhëroi forcat serbe të linin rrethimin e Shkodrës. Kështu, pas 6 muajsh të një mbrojtjeje heroike të Shkodrës, u tha se si rezultat “i mbarimit të ushqimit” për njësitë turke dhe popullsinë civile, Esat Pasha i kërkoi komandës malazeze për të vendosur kushtet e dorëzimit të kalasë.
Dhe vërtet, më 23 prill, ai nënshkroi marrëveshjen e dorëzimit të Shkodrës mbret Nikollës. Pra, Esat Pasha u tërhoq, Shkodra u tradhtua, iu shit armikut. Në këtë rast, faktori ushtarak i dorëzimit të saj është i përjashtuar, sepse Mali i Zi, në analizë të fundit, e pati të pamundur
pushtimin me armë të Shkodrës. Shqiptarë dhe turq, së bashku, krenarë dhe superiorë në qëndresën historike, i mundën armiqtë e tyre, duke lënë mijëra të vrarë në fushën e betejës. Këtë fakt e kanë pranuar edhe autoritetet serbo-malazeze. E me gjithë vështirësitë e rrethimit, bombardimit, mungesës së ushqimeve e ilaçeve, shkodranët asnjëherë nuk pranuan që të dorëzohej qyteti i tyre.
Ndërkohë Esat Pasha e harroi shumë shpejt amanetin e fundit të Hasan Riza Pashës. Ai nuk e mori në konsideratë qëndrimin e parisë shkodrane për të mos e dorëzuar qytetin, e në kundërshtim me të, firmosi dorëzimin e Shkodrës te malazezët. Pavarësisht dritëhijeve të Esat Pashës, dorëzimi i Shkodrës nga ana e tij është quajtur atentat kundër pavarësisë së
Shqipërisë. Prandaj, Garnizoni i Shkodrës duhet dhe mund të kishte vazhduar qëndresën e tij edhe tri javë të tjera, sepse faktori ndërkombëtar, e veçanërisht Austro-Hungaria, e kishin dhënë verdiktin e vet, që Shkodra t’i mbetej shtetit shqiptar.
Madje, ata kishin dërguar edhe Flotën e tyre Luftarake në brigjet e Adriatikut. Dhe vërtet, më 4 maj, mbret Nikolla deklaroi: “Duhet të tërhiqemi”, e më 9 maj, ai nënshkroi marrëveshjen e
dorëzimit të Shkodrës, sipas së cilës, ajo i kaloi për administrim Komisionit Ushtarak Ndërkombëtar. Kjo u finalizua më 14 maj 1913 me largimin e trupave malazeze nga rrethimi i Shkodrës që në ikje. Dogjën dhe plaçkitën gjysmën e pazarit të Shkodrës, morën arkivat e qytetit dhe grabitën koleksionin e armëve në kala. Pas një viti administrim ndërkombëtar, qyteti verior u bashkua me Shqipërinë e pavarur.
Mbrojtja e rrethimi i Shkodrës, për historiografinë shqiptare, letërsinë, artet e më gjerë, do të jenë një pikë e fortë referimi dhe frymëzimi për të gjithë ne. Ato përbëjnë një ngjarje kulmore në historinë e Shqipërisë drejt afirmimit si komb e si shtet. Edhe Hasan Riza Pasha mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për shqiptarët. Atë Gjergj Fishta për këtë rast
ka thënë: “Hasan R. Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve… Ai meriton të kujtohet baras me heronjtë e kombit shqiptar”.(H.B.) (marrë nga Panorama)
ALI HASANI
IRFAN DOMNORI