Para dy ditësh, historiani komunist Pëllumb Xhufi ka deklaruar publikisht se kampi i Internimit dhe burgimeve në Tepelenë, i vitit 1948, ishte kampi më i mirë. Aty “u dënuan familjarët e kundërshtarëve të partisë”, mirë e kanë- ka thënë ai
Nga: Aleksander Ndoja
Mirditë. Pas më shumë 55 vitesh, është bërë e mundur përcaktimi i vendndodhjes të dy vajzave të vogla, të cilat në moshën 3 vjeçare u varrosën në fshatin Turan të Tepelenës.
Prena dhe Dila Gjikola nga Kurbneshi i Mirditës, nuk mundën ta përjetonin për më tej gjendjen
e rëndë ku ndodhej familja gjatë viteve të internimit, ndërsa sëmundja e rëndë për kohën ajo e tifos, bëri që ato të mbeteshin për shumë vite të varrosura në afërsi të ish kazermave të të
internuarve të kohës. Ndërsa po punohet për proceduarat e levizjes së tyre në drejtim të vendlindjes, ngjarja e rëndë tregohet nga nëna e njërës prej vajzave që humbën jetën në atë zonë, Mrika Gjikola. Ajo dhe kunata e saj Gjela Gjikola sot në moshën 80 vjeçare, janë tepër
të angazhura në gjetjen e trupave të dy vajzave të vetme të tyre, për t’i dërguar ato pranë
të afërmve të tjerë në varrezat e kishës së Selitës në Kurbnesh. Dy kunatat Mrika dhe Gjela Gjikola, ashtu si 55 vite me radhë edhe sot vijojnë të tërheqin vëmendjen në zonën e Selitës, për faktin se gjithnjë kanë jetuar të vetme në atë banesë në afërsi të qytetit të Kurbneshit,
në një pritje të gjatë për një lajm për fëmijët e vetëm të tyre dhe bashkëshortët. Por nëse për fëmijët është mësuar vëndi i tyre dhe këto ditë do të bëhet lëvizja e tyre nga Turani i Tepelenës për në Kurbnesh, për bashkëshortët e tyre nuk dihet asnjë fjalë. Sipas disa zërave
thuhet se ato janë pushkatuar në Jugosllavi nga sigurimi shqiptar i kohës, por askush nga organet shtetërore, nuk e ka marrë mundimin për të dhënë një përgjigje zyrtare. Mrika Gjikola 80 vjeçare, me kujtesë të admirueshme, rrëfen për www.mirdita.net, gjithë historinë e trishtë të familjes së saj, që zë fill në muajin gusht të vitit 1948.
Pyetje: Çfarë kujtoni nga Gushti i vitit 1948?
Mu kujtohet shumë mirë se si bashkëshorti im Bib Gjikola, dy kunetërit e mij Prenga dhe Ndreka dhe shumë burra të tjerë të fshatit por edhe të zonës, u nisën në arrati në mal. Duhet
të them se ky ka qënë momenti i fundit që ata janë parë në Selitë dhe siç thuhet përfunduan në Jugosllavi për të mos u kthyer më kurrë.
Çfarë u bë me familjen tuaj në atë çaste!?.
Në shtëpi ishim unë, kunata ime Gjela dhe vjehrri ynë në një moshë tejet të thyer. Gjela kishte një vajzë të vogël vetëm disa javësh, ndërsa unë isha shtatzënë. Erdhi policia dhe na mori ashtu siç ishim, dhe për tre javë na mbajtën të mbyllur me çelës në një dhomë të vogël,
në çelën e priftit në fshatin Bardhaj. Pas kësaj, kur unë isha në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të shtatzanisë, na nisën në këmbë për në Përlat-Qëndër, ku do të na nisnin për në Burrel, ku ishte qendra për kohën. Pa bërë pak km. policët u detyruan të më lejonin të
futesha në një banesë në Përlat, ku edhe më lindi vajza, të cilës më vonë i vumë emrin Prena.
Të nesërmen në mëngjes, ashtu siç isha më morën me një kalë dhe më dërguan në Perlat dhe më pas në një karroceri makine, na dërguan në burgun e Burrelit. Aty na mbajtën për tre muaj dhe më pas na liruan. Me shumë mundime duke ecur në këmbë mezi mbërritëm të
gjallë në shtëpi në Kurbnesh, pasi rruga ishte vështirësuar nga bora dhe akulli. Ishim me dy fëmijë të vegjël vetëm pak muajsh dhe me një të moshuar siç ishte vjehrri ynë, Gjin Gjikola.
Pyetje: Po më pas si përfunduat në Tepelenë?
Vetëm një ditë qëndruam në shtëpi, pasi erdhi sërish policia dhe na dërgoi në Turan të Tepelenës. Në internim punuam në punët më të rënda dhe me një ushqim tepër të pakët. Për pasojë, tre vjet më vonë na u sëmurën rëndë dy vajzat e vogla, Prena dhe Dila. U tha nga
sëmundja e tifos. Vajzën time, Prenën, e dërguan deri në Gjirokastër për kurim, por u kthye e pa jetë. Ndërsa vetëm 3 javë më vonë vdes edhe vajza tjetër e cila sapo kishte mbushur tre vjet moshë. I morëm të dyja dhe i varrosëm pranë njëra-tjetrës, në afërsi të kazermave
tona. Si shenjë dalluese ishte një monument i një ushtari italian i vrarë aty.
Pyetje: Sa vite qëndruat në Tepelenë?
Qëndruam edhe një vit tjetër, pra gjithsej 4 vite deri në vitin 1952, më pas u lamë të lirë të iknim. Së bashku me vjehrrin dhe një grup tjetër mirditorësh që ishin në Tepelene, kemi udhëtuar për 8 ditë në këmbë deri në Kurbnesh. Mbeta vetëm me kunatën. Punuam në
kooperativë. Fillimisht unë u futa në punë shteti në Rruga-Ura, ku punova për 15 vite. Më pas
ja lashë këtë vend punë kunatës për 15 vite të tjera dhe unë u riktheva në kooperativë. Tash jetojmë të vetme me pension në shtëpinë që na la vjehrri atje në Kurbnesh. Më në fund pas
55 vitesh, po rikthejmë eshtrat e vajzave tona, ndërsa nuk dimë asgjë për dy bashkëshortët dhe kunatin tjetër që u largua me ta, në atë gusht të vitit 1948.
Pyetje: Si arritët të gjeni vendin ku i kishit varrosur dy foshnjat tuaja, pas 55 vitesh?
Nuk mund të vdisnim pa e gjetur atë vend. Për shumë kohë kemi menduar gjatë kohë nëse do të mund të shkonim pikërisht në atë vend i cili është shumë larg nga Mirdita. Por më në
fund ajo ndodhi. Së bashku me të afërm të mi, Preng Gjikolën etj, dhe me ndihmën e komunës së Kurbneshit, munda të që së bashku me kunatën të mbërrinim. E gjithë zona kishte ndryshuar, madje edhe lapidari ku kishim piketuar si shenjë, nuk ekzistonte. Por ama
vendin e kujtuam dhe e njohëm. Ju referuam shenjave të tjera por mbi të gjitha instinktit të nënës. Si mund tu afroheshim aq shumë bijave tona të vetme dhe të mos u a gjenim vendin?. Nuk mund tua shpëtonim jetën në atë ferr, por ama tash ato do të jenë në Qafë të kishës së Selitës, mes njerëzve të tyre të afërm.
Dy ditë më pas!
Organizohet ceremonia e varrimit të dy vajzave tre vjeçare të cilat u gjetën pas 50 vitesh në Tepelenë.
Ka marrë fund ankthi dhe pritja e gjatë, për dy nëna të cilat 55 vite më parë kishin qenë të detyruara tu kthenin shpinën dy vajzave të vogla të cilat nuk kishin mundur që të përballonin sëmundjet dhe mizerjen gjatë internimit të familjeve të tyre në Tepelenë.
Pjesëtarë të fisit Gjikola, sëbashku me dy nënat tashmë në një moshë të thyer Mrika Gjikola dhe kunata e saj Gjela Gjikola, kanë mundur të mbërrijnë pikërisht në vendin ku shumë vite
më parë kishin varrosur dy vajzat e tyre Prena dhe Dila Gjikola. Preng Gjikola, një afërm i dy nënave të pa fat, thotë se me të mbërritur në fshatin Turan të Tepelenës, gjetëm
mbështetjen dhe mirëkuptimin e banorëve të fshatit të cilët na drejtuan për në rrethimin e një reparti ushtarak i cili ishte vendosur pikërisht në vendin ku dikur kishin qenë vendosur të internuarit. Një fakt i tillë kishte bërë që për 50 vite, aty të mos kishin qenë bërë ndërtime, ndërsa lapidari një ushtari italian të vrarë i cili gjithnjë kishte mbetur në kujtesë të dy të
moshuarave, pasi shumë afër tij ishin varrosur dy fëmijët e vegjël, ishte i rrafshuar totalisht. Por sipas Preng Gjikolës, shënjat e tij ishin të dukshme mjafton të gërmoje pak me lopatë. Pas rreth gjysmë orë gërmimesh, është bërë i mundur zbulimi i mbetjeve trupore të dy
vajzave të vogla. Me kujdes të madh është bërë sistemimi i kockave dhe vendosja e tyre në qeska plasmani. Më pas është bërë sistemimi i tyre në arkivole të vegjël, dhe nënat e tyre kanë improvizuar veshjen etyre si nuse me kostume të vogla mirditore. Më pas është bërë transportimi i tyre në drejtim të Kurbneshit ku janë pritur nga një numër i madh banorësh.
Qindra banorë të Selitës të ardhur nga shumë anë të vendit, kanë mbërritur në Kurbnesh në ceremoninë mortore ndër më të veçantat në ato vise, por që është respektuar në të gjithë
detajet si të ishte një apo vdekje të momentit. Dy arkivolet të mbuluara edhe me flamurin kombëtar janë vendosur në oborrin e shtëpisë ku jetojnë të vetme dy nënat e tyre. E gjithë zona është derdhur për ngushëllime, ndërsa kanë udhëtuar nga Tirana edhe drejtues të
shoqatës të të përndjekurve politikë nën drejtimin e Lili Ndocit. Pjesmarrës në këtë ceremoni mortore kanë qenë edhe deputetët e parlamentit Pal Dajçi dhe Gjovalin Prenga, ndërsa kryetari i shoqatës të përndjekurve politikë të Mirditës z Gjon Nikoll Deda në përshëndetjen e tij, ka bërë prezentë të gjithë vuajtjet e kësaj familje por që sot do të kenë një vend ku do të
prehen dy vajzat e tyre. Ndërsa dy nënat e tyre Mrika dhe Gjela Gjikola kanë falënderuar të gjithë ata të cilët bënë të mundur që fëmijët e tyre të kenë një varr si gjithë të tjerët, pranë të afërmve të tyre.
*9 qershor 2006 – Botuar në shtypin e kohës: “Koha Jonë & www.mirdita.net