Një nga qytetet që është kërkuar më shumë dhe që ndër shekuj ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm është pikërisht Shkodra, qyteti verior i betejave të forta.
Nëse e shohim Shkodrën që në antikitet, kemi për të kuptuar shumë më mirë edhe arsyen se pse ajo ka qenë kaq e kërkuar nga forcat më të mëdha të kohës siç ka qenë Vendiku apo më
vonë edhe Perandoria Osmane. Goditja më e madhe që ky vend ka marrë kanë qenë dy rrethimet e saj nga Perandoria më e madhe e kohës, ajo Osmane.
Si fillim le të shpjegojmë dhe hedhim një sy rrethimit të parë të saj, çfarë ka ndodhur dhe dështimet e pësuara.
Shkodra ishte një nga kështjellat më të rëndësishme të Shqipërisë nga ato që kishin mbetur akoma pa u pushtuar nga turqit, por njëkohësisht një nga më të mbrojturat si nga natyra, ashtu edhe nga dora e njeriut.
Pas zotërimit të kësaj kështjelle dhe të krejt Shqipërisë, turqit do t´i kishin duart të lira për t´u hedhur në bregun tjetër të Adriatikut për të pushtuar Italinë. Sulme spontane kundër
qytetit të Shkodrës ishin bërë shpesh nga turqit, por rrethimi i parë iu vu në maj të vitit 1474. Për pushtimin e Shkodrës u dërgua bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, me një ushtri prej 80.000 vetësh dhe me 1.000 gamile të ngarkuara me bronz.
Popullsia e fushës ishte strehuar në vende të mbrojtura, ndërsa në qytet ndodheshin 6.000 banorë në numrin e të cilëve përfshihej dhe garnizoni prej 2.000 luftëtarësh.
Përpjekjet e venecianëve, për të ndihmuar të rrethuarit me anë të flotës, nuk pati rezultat. Për të penguar flotën e tyre, turqit ndërtuan një urë përmbi Bunë, ndërsa në pjesët më të ngushta të lumit, gjatë rrjedhës së poshtme të tij, hodhën trarë, duke prerë pemë nga të dy
brigjet. Nga ana e tyre, mbrojtësit kishin marrë masa për të përballuar një rrethim të gjatë.
Përpara fillimit të sulmit turqit përgatitën disa topa të një kalibri shumë të madh dhe me to filluan të godasin muret e kalasë, derisa rrafshuan për tokë një pjesë të tyre. Por mbrojtësit, që kishin grumbulluar si më parë lëndë druri për një rast të tillë, morën një grumbull trarësh
dhe pasi i ngjeshën në pjesën e brendshme me dhè e me balte, krijuan një pengesë të fuqishme kundër sulmit të armikut. Rrethimi zgjati tre muaj dhe turqit me gjithë armët dhe mjetet që përdorën nuk mundën të futen në qytet.
Historiani Gjerak Karaiskaj në studimin e tij rreth kësaj teme shprehet “Ndërkaq, të rrethuarve filloi t´u mungojë uji, pasi gjatë gjithë atyre ditëve nuk ra asnjë pikë shi.
Qyteti furnizohej me ujërat e shiut, që grumbulloheshin nëpër stera. Uji filloi të racionohej, duke i dhënë secilit dy gota ujë në ditë. Më vonë u jepej vetëm atyre që ishin të aftë për luftë.
Kur më në fund u pastruan dhe llumrat e fundit të sterave, mbrojtësit vendosën të hidhen në një sulm të përgjithshëm mbi armikun.
Ata i kishin vënë vetes si qëllim ose të hapnin rrugë ose të vdisnin me armë në dorë, pasi t´i kishin vënë zjarrin qytetit.
Ky plan nuk u realizua, sepse, duke humbur shpresën për të marrë kalanë e Shkodrës dhe për shkak të etheve të malarjes që ishin përhapur në radhët e ushtrisë, më 17 gusht 1474, bejlerbeu i Rumelisë e hoqi rrethimin e pasi dogji kështjellën e braktisur të Danjës, u largua me gjithë ushtrinë.
Gjergj Marula shkruan se nga mungesa e ujit dhe e ushqimeve vdiqën rreth 3.000 qytetarë shkodranë. Turqit u larguan me humbje të mëdha, që llogaritën me rreth 20.000 vetë.
Pa u larguar mirë armiku, qytetarët u derdhën drejt lumit të Bunës, për të pirë ujë. Shumë prej tyre pasi kishin qëndruar një kohë të gjatë pa pirë, ranë për tokë pa ndjenja. Historiani Hammer, lidhur me qëndresën heroike të Shkodrës, shkruante: “Qëndresë trimash, që nuk e gjetën ushtritë grabitqare osmane në Kroati, Karnie. Korinti, Stiri dhe Slavoni, e gjetën në Shqipëri, përpara mureve të Shkodrës”.
Rrethimi i parë dështoi dhe shkodranët ditën shumë mirë si ta mbronin veten e sigurisht mos të binin në duar e krajlit të Rumelisë.
Por osmanët nuk kishin për ta lënë me aq, kishin nevojë për ta pasur nën pushtetin e tyre këtë qytet të pabindur sepse vetëm kështu do të mund të siguronin daljen e plotë në det dhe pushtimin e shumë kërkues, bazilikës së Shën Pjetrit në Romë.
Për të pushtuar Shkodrën dhe disa qytete të tjera shqiptare, Sulltan Mehmeti II vendosi të vinte vetë në krye të së gjitha forcave të Rumelisë dhe Anadollit. Më 14 maj 1478, para Shkodrës u duk një pjesë e forcave turke me në krye bejlerbeun e Rumelisë, Daut Pashën. Pas disa javësh arriti me forcat e veta bejlerbeu i Anadollit dhe me l korrik vetë sulltani.
Kodrat dhe fushat rreth kalasë u mbushën me çadra deri në një largësi prej disa miljesh. Barleti dhe disa bashkëkohës japin një shifër prej 350.000 ushtarësh turq.
Një numër shumë i madh devesh sillnin furnizimet, pajisjet e ushtrisë si dhe metalin për të derdhur topat. Në kalanë e Shkodrës ndodheshin 1.600 burra, që përbëheshin kryesisht nga qytetarët, një repart i vogël venedikas dhe një grup të rinjsh fshatarë. Kishte edhe gra e të reja të familjeve, që banonin brenda në kala.
Kuartieri i përgjithshëm i Mehmetit II u vendos mbi Kodrën e Pashës, sot Tepe, ndërsa ushtria i vendosi çadrat në rrëzë të kodrës dhe në fushë.
Mbi kodrën e Pashës u ngrit një kullë e lartë druri për të drejtuar qitjen e artilerisë dhe për të parë luftimet, sidomos nga ana e portës kryesore ku ishte dhe terreni më pak i pjerrët dhe për pasojë më i lehtë për të sulmuar.
Për rrënimin e mureve u derdhën 11 topa të mëdhenj, gjashtë nga të cilët u vendosën në kodrën e Pashës, përballë hyrjes kryesore; një nga topat më të mëdhenj hidhte gjyle prej 1.200 librash dhe e quanin “Artileri e Sulltanit”, sepse, shkruan Barleti, “e kishin ndërtuar në emër të tij me zell e me mjeshtëri të radhe”.
Mbrojtësit, nga ana e tyre, duke parashikuar se muret do të rrafshoheshin nga artileria e rëndë e turqve, punonin pa pushim për të fortifikuar qytetin me ledhe trarësh e dheu.
Përveç sulmeve të vogla të përhershme turqit ndërmorën kundër qytetit dy sulme të përgjithshme. Më 22 korrik u krye sulmi i parë dhe më 27 korrik sulmi i dytë, i cili zgjati pa ndërprerje deri të nesërmen.
Por të dy sulmet përfunduan me humbje të madhe dhe me disfatën e turqve, derisa ata hoqën dorë nga mendimi se mund ta merrnin Shkodrën me një sulm të drejtpërdrejtë.
Përpara fillimit të sulmit të parë, turqit i rrahën disa ditë rresht me topa muret e kalasë, derisa ato u rrënuan në shumë vende. Barleti llogarit deri në këtë kohë rreth 2500 të shtëna artilerie dhe 120 të shtëna mortajash, prej të cilëve 10 predha me zjarr.
Mortajat ishin një armë tjetër e fuqishme, që përdorën turqit në këtë rrethim. “Këtë lloj topi, thotë Barleti, mund ta quajmë më tepër njëfarë mortaje, sepse është e gjerë dhe e shkurtër, me zgavër të thellë, me grykë të drejtuar lart dhe me bisht të ngulur në dhè, edhe lëshon një shugullim ose një ushtimë tamam si gjamë deti me stuhi…”.
Gjatë gjithë sulmit që ushtria osmane dërgoi ndaj mbrojtësve të kështjellës dhe artileria që vazhdonte e qëllonte pa pushim, po dëmtonte gjithmonë e më shumë barrierën e ngritur nga ana e shkodranëve dhe humbjet sa vinin e shtoheshin. Për të treguar se sa e fuqishme ishte ajo, mjafton të përmendim faktin se nga një gjyle guri gjetën vdekjen 18 vetë.
Sulmi i dytë i përgjithshëm i turqve, më 27 korrik pati të njëjtin fat, dështimin e plotë të tyre. Ai vërtetoi gjithashtu se Shkodra nuk mund të merrej me forcën e armëve.
Pasi po afrohej vjeshta dhe stina nuk lejonte që një ushtri kaq e madhe të kalonte dimrin në fushë të hapur, sulltani me një pjesë të ushtrisë u largua, pasi kishte pushtuar më parë kalanë e Drishtit dhe të Zhabiakut. Për të vazhduar bllokimin dhe për ta detyruar qytetin të dorëzohej me anë të urisë, u la një forcë e mjaftueshme.
Përpara largimit të sulltanit u përdor dhe një mjet tjetër për të mposhtur të rrethuarit: 300 robër të zënë në Drisht u therën para mureve të kështjellës, por edhe kjo masakër nuk e mposhti guximin dhe trimërinë e shkodranëve.
Rrethimi vazhdoi dhe për një kohë të gjatë, derisa, më 25 prill të vitit 1479 u ratifikua në Venedik paqja e nënshkruar në Kostandinopojë midis Perandorisë Otomane dhe Venedikut.
Sipas kushteve të kësaj paqeje, Venediku detyrohej t’i njihte sulltanit zotërimin e Krujës, Shkodrës dhe qyteteve të tjera, që kishte humbur gjatë kësaj lufte, ndërsa banorët e Shkodrës do të liheshin të lirë të largoheshin, po të donin, me gjithë pasuritë e tyre.
Gjatë muajve të fundit të bllokimit, të rrethuarve filloi t’u mungonte ushqimi. U përdor për ushqim çdo gjë e gjallë që ndodhej në kështjellë, deri dhe lëkurët ziheshin dhe haheshin, por edhe kjo torturë nuk i mposhtte të rrethuarit.
Nga të 1600 burrat që morën pjesë në mbrojtjen e qytetit, kishin shpëtuar të gjallë vetëm 450 dhe përveç tyre 150 gra. Asnjëri prej tyre nuk pranoi t’i nënshtrohej armikut, por më parë preferuan rrugën e hidhur të mërgimit.
“Kur armiqtë, – shkruan një kronist i kohës, – armiq të vërtetë e të pashpirtë, panë grumbullin e qytetarëve që në heshtje të zymtë po merrnin rrugën e mërgimit ashtu edhe gjendjen e mjerueshme të grave shkodrane, të cilat, përmes radhëve barbare tërhiqnin si shokë mërgimi fëmijët e vet që vajtonin, s´patën se si të mos mahniteshin dhe të mos çuditeshin për atë besnikëri e qëndresë…”.
Përtej interesave të hapësirave ndërluftuese, përtej hapësirës Ballkanike apo Adriatike, zhvillimet në Shkodër ndiqeshin me kuriozitet të madh në të gjithë Evropën. Dokumentet e fundit të gjetura në arkiva, thonë se në këtë kohë lufta në Shkodër ndiqej me kujdes deri në Spanjën e largët.
Sipas të njëjtëve dokumente, mbretëresha e Spanjës, Isabella, gruaja e hekurt që financoi udhëtimin e Kristofor Kolombit, ishte përfshirë nga paniku për fatin e mëtejm të Shkodrës së rrethuar dhe kërkonte informacione të freskëta për të gjitha zhvillimet.
*Sipas M. Barletit. Rrethimi i Shkodrës. Tiranë 1967, bot. II, dhe M. Beçikemit në të njëjtin botim.
*M. Beçikemi. Nga fjalimi panegjirik
Sipas relacionit “Lufta e Shkodrës” të Gjergj Marulës të dt. 10 shtator 1474 dhe fjalimit panegjirik të Marin Beçikemit. Botuar tek M. Barleti. Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1967, (botim II).