Rishtarja stigmatine Maria Tuci (Rrëshen-Mirditë, 12. 03.1928-Shkodër, 24. 09. 1950): u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e Martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme. Mbasi përballoi një burrë
mizor, në emër të një Zoti! Duke ardhur nga prova e madhe, mes nesh, e papërlyer.
Kush ka lexuar veprën Gjauri të Bajronit, nuk mund të mos e kujtojë fundin e tmerrshëm, që turku Hasan zgjodhi për gruan e vet të pabesë, Lejlanë. E ngujoi në një thes, me një maçok të egër. E, si ia mbylli mirë e mirë grykën, e flaku në det. Lexuesit të kohëve tona, ky fund
romantik i duket ose ireal, ose një nga ato mizoritë e neveritshme, fryt i fantazisë tepër të begatë orientale, kur është fjala për të sajuar tortura të reja.
E gati-gati nuk e beson se ngjarja e përshkruar nga Bajroni, në sfondin e grykave të egra të Greqisë, do të përsëritej edhe më egërsisht në ndërtesën e degës së punëve të brendshme në Shkodër, ku dikur ishte Kolegja françeskane, e sot është streha e Klariseve të klauzurës.
Jo pse oficerët e degës e kishin lexuar Bajronin. Ata, të zënë siç ishin me krijimin e njeriut të
ri, nuk kishin nevojë për kurrfarë leximi. Kur vinte puna për të kryer krime të shëmtuara, bëheshin sakaq autorë kryeveprash krejtësisht origjinale. Duke arritur deri aty, sa të gatuanin nga njerëzit e zakonshëm zvaranikë. Ose shenjtorë!
Kur përmendim fjalën ‘shenjt’, jemi mësuar të përfytyrojmë një figure, një pikturë, një ikonë, një shtatore. A një njeri të jashtëzakonshëm, të paarritshëm, gati-gati qiellor! Ne, shqiptarët,
që për 50 vjet prekëm fundin e ferrit, në një vend ku fjala shenjt ishte krim e shenjtërimi kalonte nëpër Udhën e Kryqit, na duket çudi kur mendojmë se shenjtorët ishin e janë mes nesh. Se shenjtorë pati e ka edhe në Shqipëri. Se komunizmi, në vend që t’i zhdukte aradhet
e shenjtorëve, u shtoi edhe disa emra shqiptarësh. Një prej tyre është edhe Maria Markatuci, rishtarja stigmatine 18 vjeçare, që e pagoi me gjak përkushtimin ndaj Jezu Krishtit dhe hijeshinë e rrallë, dhanti e Dhëndrrit Hyjnor.
Maria ishte shtatgjatë, hollake, fytyrëmbël, me sy të kaltër, të mëdhenj, të mirë. Ballin e lartë, të bardhë, ia kurorëzonin flokët e dendur, të butë, të ndritshëm, që i derdheshin valë-valë mbi supe, deri në përmjetin e hollë, delikat.
Po ta kishte parë Mikelanxhelo, Leonardo ose Rafaeli, do ta kishin marrë si model për Madonat e tyre.
Po, për rrezik të saj, e pa kryesigurimsi i asokohshëm, emri i të cilit ishte sinonim i zvetënimit. E, natyrisht, duke shfrytëzuar faktin se vasha ishte probandë e filiz i ri i fisit të lashtë të Gjomarkajve (pra dy herë kriminele), e arrestoi. Jo pse i vinte për doresh piktura.
Pashai i kuq kishte një prirje krejt tjetër: kur vashat shkodrane, që i zgjidhte për ‘haremin’ e tij nuk e kapëcenin vullnetarisht atë prag, e kapërcenin të ngarkuara me pranga. Ashtu si
Maria! Vajza kundërshtoi. Premtimet nuk e joshën e torturat s’e thyen. Sa herë e morën në pyetje, pati guximin e jashtëzakonshëm, në atë mjedis bishash, të përgjigjej vetëm me Fjalët e Dhëndrit Hyjnor.
Kryesigurimsi, që dridhte Shkodrën, u drodh para probandës së vogël stigmatine. E u betua se do ta dërmonte aq, sa të mos e njihte më as e ëma, që i kish bërë kokën. I sigurt se Vasha do të pranonte më mirë të shëmtonte shpirtin, sesa korpin. Në qelitë e sigurimit u vunë ballë për ballë krimineli-e Zoti.
Maria u bëri ballë torturave, der u dërmua aq, sa nuk e njohën më as shoqet e qelisë. Ndërmjet tyre, probanda korçare, Gjorgjina Bulgareci, që do të dëshmonte, më pas, për atë
që ndodhi në qelitë e sigurimit, ku sot luten e kundrojnë Klariset e klauzurës. Kryesigurimsi e mbajti fjalën. Por, duke mos u kënaqur me këtë vepër, sajoi, më tej, edhe kryeveprën e krimeve të tij. Ndonëse nuk ia kishte dëgjuar kurrë emrin Gjaurit, e as Bajronit.
Ishte viti 1947. Ngjarja ndodh në Qytetin e Shkodrës. Në Ballkan. Në Evropë. Në Kontinentin, që bënte sehir si kthehej, në një skutë të trojeve të tij, koha e Neronit, e amfiteatrove. Arena, tejet të përshtatshme për zbatimin e marksizmit në praktikë. E për fundin e Marisë. Vashën, kthyer në skelet, e mbyllën picak në një thes, së bashku me një maçok të egër. Si
Lejlanë, në poemën ekzotike të Bajronit. Po nuk e hodhën në liqen. Tepër e lehtë, një vdekje e tillë. U dëfryen duke i rënë me shkop thesit, derisa u kthye në një masë gjaku të mpiksur.
Marjeta, Maria Goretti shqiptare, ishte vetëm 18 vjeçe kur u arrestua. 22 vjeçe, kur u shua, duke e falur me gjithë zemër atë, që i kishte dhuruar Palmën e Martires. E kaloi provën e madhe, për të na lënë trashëgim aromën e mrekullueshme të jetës së saj të papërlyer.
Jo shumë kohë pas saj, kryesigurimsi do ta mbyllte jetën me një fund misterioz, në një vend ku diktatori, ulur mbi fronin e Shqipërisë, i hante njëlloj ‘bij’ e ‘thjeshtër’.
Tani, kur kanë kaluar kaq vjet, kur Vasha është kandidate për nderimet e elterit, e kryesigurimasi është harruar, mund t’i vlerësojmë më mirë këto dy vdekje. E, duke vlerësuar vdekjet, vlerësojmë edhe jetët e dy krijesave. Maria ishte krijesë e Fesë në Krishtin. Një
vajzë si ajo, do të kishte qëndruar si martirët e kohëve të para, edhe në amfiteatrot e perandorëve romakë, armiq të krishterimit. Po ndoshta jeta e të krishterëve të atyre kohëve tragjike ishte më e lehtë, sesa jeta e martirëve modernë, salvuar në koloseun e komunizmit shqiptar! / Radio Vatikani