Xhelal Juka, lojtari dhe trajneri i madh i Vllaznisë

Xhelal Juka lindi në Shkodër më 5 prill 1926 dhe dëshira për të luajtur futboll i ka lindur që herët por filloi të aktivizohet në shkollën e mesme.

Prej këtu, emri i tij do të bëhej i njohur jo vetëm në futboll por edhe në volejboll, basketboll e hendboll.

Përveçse me shkollat, Xhelali rregjistrohet edhe me ekipet e Vllaznisë, sidomos kjo e theksuar pas vitit 1943.

E ndoshta në takimin e parë mes Vllaznisë dhe Tiranës që u fitua nga kjo e fundit 3-1, golin e vetëm të skuadrës shkodrane e shënoi ai, Xhelal Juka.

Pas vitit 1945, ky futbollist do të merrte pjesë edhe në takime ndërkombëtare sidomos me skuadrat jugosllave kryesisht të Prizrenit dhe Prishtinës.

Një tol të rëndësishëm luajti në kurorëzimin e Vllaznisë kampione në vitet 1945 dhe 1946.

Juka ka qenë pjesmarrës edhe në disa turne ndërkombëtare me skuadrën e Tiranës duke dhënë një kontribut të madh edhe në shënimin e golave.

Ai është grumbulluar në kombëtare edhe për Lojërat Ballkanike të vitit 1946 dhe në disa ndeshje stërvitore të luajtur në Shkodër me ekipe jugosllave.

Por pas organizimit të Kryengritjes së Postribës, Xhelalin e largojnë nga puna dhe më pas edhe nga sporti.

Pas shumë peripecish, riaktivizohet me Vllazninë në vitin 1948 dhe emri i Xhelal Jukës do dalë shpeshherë në skenë.

Në vitin 1953, ai aktivizohet me Partizanin, madje fiton edhe Kupën e Republikës me të, por nuk do të luajë për një kohë të gjatë sepse i këshilluar edhe nga mjekët largohet gradualisht nga futbolli.

Duhet thënë se gjatë karrierës së tij sportive, Xhelali pat patur edhe një ndërprerje gjashtëmujore ngaqë në një ndeshje Tirana-

Vllaznia, portieri Bonati i skuadrës kryeqytetase e pat goditur me grusht në nofull në përpjekje për të larguar topin.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, rikthehet në Shkodër me shpresë për të filluar punë në arsim por nuk e lejojnë.

Kalon në ofiçinën e automjeteve si normist. I kërkojnë që të stërvisë ekipin e të rinjve të Vllaznisë dhe ai e pranon me kënaqësi.

Ai do dallohej për disiplinën e lartë në stërvitje e shumë shpejt do përgatiste futbollistë të denjë për ta përfaqësuar atë në kampionatin kombëtar.

Të tillë janë Selami Dani, Esat Rakiqi, Ramazan Rragami, Paulin Ndoja, Medin Zhega, Sabah Bizi, Çesk Ndoja, Ismet Hoxha, Halil Puka,

Millan Vaso, Suad Durraj etj. Pra bërthama e ardhshme e Vllaznisë ishte përgatitur.

Duke parë rezultatet me ekipin e të rinjve, i ofrohet mundësia për të drejtuar një fazë (të dytën) ekipin e parë të Vllaznisë që po shfaqte dobësi.

Në pak vjet, ajo u bë një ndër ekipet më të forta të vendit falë elementit të nxjerrë nga duart e Xhelal Jukës.

Ndërkohë pas largimit të Skënder Jarecit për në Tiranë, drejtimi i Vllaznisë iu besua Xhevdet Shaqirit ndërsa ndihmës i tij ka qenë Xhelal Juka por

do ndodhte kështu vetëm deri në vitin 1972 sepse këtë vit Xhelali detyrohet t’i thotë lamtumirë futbollit i detyruar nga “lufta e klasave”.

Në vitet 1972-80 është trajner i ekipit të paratërinjve të Vllaznisë. Ka vazhduar të jetë pranë sportit derisa vdiq më 7 shkurt 2012.
Gjergj KOLA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME