Çdo Kuvend që është mbajtur në vendin tonë ka pasur përfaqësues nga të gjitha trevat dhe një prej atyre Kuvendeve që nuk do të largohen asnjëherë nga faqet e historisë sonë është edhe ai i Greçës i mbajtur në 23 qershor 1911. Figurat e këtij Kuvendi ishin shumë të mëdha pasi kishte nisur si me iniciativën e Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit, por një figurë tjetër e cila do të ishte po aq e vlerësuar sa ajo e dy të parëve është edhe Ded Gjo Luli, kreshniku i malësisë.
Ded Gjo Luli lindi më 1840 dhe ishte një nga kryengritësit më me emër në malësinë e veriut.
Udhëheqës i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e trojeve tona territoriale . Ai ishte hero i popullit, një burrë i ditur dhe me trimëri që njihej mbarë vendin në malësi. Deda qysh në moshë të re ishte martua me Prende Gjeloshin nga Selishta e Grudës, me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza të cilët i pati krah gjatë gjithë luftërave kombëtare për mbrojtjen e Atdheut.
Veprimtaria e tij patriotike është nga më të rrallat dhe më efikaset në luftë për të çliruar tokat e veriut nga Turqia osmane, por dhe për ti mbrojtur ato nga lakmitë e fqinjëve malazezë dhe serbë, lakmi të cilat ishin miratuar nga fuqitë e mëdha Anglia, Franca, Rusia.
Prova e parë trimërisë së tij përcaktohet pjesëmarrja në betejën, që u zhvillua në ndihmë të Oso Kukës. I cili pasi luftoi deri në frymën e fundit kundër malazezve, nuk u dorëzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës. U shkrumbëzua dhe la pas këngën – epope të trimave, këngë që mbajti gjallë jo vetëm emrin e trimit, por dhe vetë historinë e shkruar përmes vargjesh që rapsodët thurën për trimat. Epopeja që shkroi Oso Kuka, i mëkoi trimat e Dedë Gjo Lulit me më shumë
Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës që qarqet shoviniste malazeze kërkonin t’i aneksonin në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej ti zinin forcat e lidhjes shqiptare të degës së Shkodrës, para se t’i pushtonte ushtria malazeze duke u konfrontuar shpesh me ushtritë e tyre pushtuese. Dedë Gjon Luli kundër malazezëve, kishte luftuar edhe në vitet 1880-1881 dhe Ai tashmë i kishte bindur të gjithë se ishte mjeshtër i rrallë i luftës dhe shfrytëzimit të terrenit të cilin e njihte me pëllëmbë në ato anë, duke mos u koritur asnjëherë përballë armikut, e as atëherë kur u priu forcave shqiptare, me pushkë në dorë kundër ushtrisë së Malit të Zi. Ushtria malazeze kishte organizuar edhe disa sulme me 23 dhe 24 prill, që të pushtonte pozicionet e ushtrisë shqiptare, por pa sukses ngase Forcat e Hotit dhe të Grudës të udhëhequra nga Ismail Marku dhe Baca Kurti thyen sulmet e armikut malazez dhe me qëndresën në frontin e Hotit dhe të Grudës i cili zgjati për disa muaj, tendencat malazeze për pushtimin e Hotit dhe Grudës kishin dështuar. Siç dihet nga historia, në pranverën e vitit 1881, Hoti dhe Gruda ishin djegur nga turqit dhe Dedë Gjon Luli për afro tri vite, ishte detyruar ta linte malësinë dhe të strehohej në shtëpinë atdhetare të Qerim Binak Alisë së Krasniqes dhe të Mehmet Shpendit në Shalë të Dukagjinit.
“… në shtëpinë njohur atdhetare të Binak Alisë, te Mehmet Shpendi i Shalës e gjetiu. Pas kthimit në Malësi, disa kohë jetoi ilegalisht nepër shpella të Hotit e në vende të tjera të Malësisë.”
Ded Gjo Luli mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit së bashku me Çun Mulën. Në gusht 1878 Kongresi i Berlinit urdhëroi nëpërmjet një rezolute që të vendosej kufiri midis Turqisë osmane dhe Malit të Zi, duke përfshirë brenda kufirit të ri malazez Plavën dhe Gucinë, Dedë Gjo Luli bëri një rezistencë të armatosur kundër këtij vendimi gjatë viteve 1879-1880 sepse dihej që popullsia bregdetare përfshi dhe qytetin e Ulqinit banohej nga shqiptarë. Në letrën që iu çua ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin: “…Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo padrejtësi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…”.
Prirjet panislamike dhe propaganda anti-katolike e turqve osmanë si dhe qëndrimi jo i sinqertë i drejtuesve të Vilajetit të Shkodrës të asaj kohe ndaj Marrëveshjes së vitit 1910 i detyroi malësorët nën udhëheqjen e Ded Gjo Lulit, të rifillonin një kryengritje me karakter kombëtar, por për arsye taktike Ded Gjo Luli hyri në aleancë me Malin e Zi me Krajl Nikollën.
Ded Gjo Luli mori garanci edhe nga gjenerali italian Riçiotti Garibaldi. Kështu, duke u bërë komandant i një ushtrie prej 8.000 malësorëve dhe në 24 Mars 1911 e deri në gusht të po atij viti kryengritja vazhdoi pa reshtur kundër xhonturqve, të cilët jo vetëm kishin penguar çlirimin e tokave shqiptare, por edhe kishin lejuar që fqinjët të futeshin lirisht në tokat dhe trojet shqiptare sipas marrëveshjes së Kongresit të Berlinit. Ded Gjo Luli shpresonte ndihmë edhe prej austro-hungarezëve. Në këto moment, krajli Nikolla Petroviç i përkrahu kryengritësit dhe shtatmadhoria e Ded Gjo Lulit u bë Podgorica. Sigurisht, mbreti Nikolla i Malit të Zi kërkonte ti përdorte malësorët shqiptarë në luftë kundër osmanëve dhe për të zgjeruar kufijtë e mbretërisë së tij, por gjithashtu u përpoq që në aparencë përpara fuqive të mëdha dhe të Turqisë osmanllie të dukej neutral. Ded Gjo Lulit iu ofruan dhe para për të ndaluar kryengritjen, por ai nuk pranoi dhe e vazhdoi kryengritjen për të çliruar trojet shqiptare.
Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deçiç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911, ku u ngrit dhe Flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë me dy krena për herë të parë. Pas betejës së Deçiçit, qeveria osmane turke vendosi të shuante kryengritjen me mjete paqësore sepse kjo kryengritje kishte tërhequr vëmendjen e fuqive evropiane.
Me 6 prill 1912, ditën e djelë, pranë kishës së Traboinit në Hot, Kol Ded Gjoni me urdhrin e të atit Ded Gjo Lulit, shpalosi flamurin kuq e zi me shqiponjën me dy krena. Populli brohoriti dhe u qëllua me batare pushkësh për këtë eveniment të rrallë. Në betejën e 29 gushtit 1912 u vra i biri i Ded Gj Lulit, Gjergji 22 vjeç. Ded Gjo Luli nuk u paraqit në 28 Nëntor 1912, ditën e shpalljen e Pavarësisë. Si delegat nga Shkodra ishte paraqitur vetëm Luigj Gurakuqi. Shkaqet e mosparaqitjes nuk dihen, por dihet se Memorandumi i Gerçës ishte deklarata më e fortë e bërë ndonjëherë nga shqiptarët para shpalljes së pavarësisë dhe ngritja e flamurit në Deçiç,1 vit para ngritjes së Flamurit në Vlorë tregon për rëndësinë dhe trimërinë e këtij Heroi të Popullit.
Pas tre vjetësh do të vritej vetë Ded Gjo Luli 75 vjeçar, në 24 shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët. Ai, edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëroi vetë Nora, reja e tij, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb Gjura, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin : -“ … paskemi mbarue! Nuk e dha veten. as kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët”
Eshtrat e Ded Gjo Lulit, françeskanët i kishin ruajtur në varret e tyre për t’i bërë monument. Nga ana e saj, Shkodra e nderoi familjen e Gjo’ Lulit. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që bënë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën nga Oroshit eshtrat e Dedës dhe nga Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.
Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: “…due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo’ Luli…”
Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: “Gëzohem që u muar inisiativa për t’i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi.”
Ded Gjo Luli është dekoruar si Hero i Popullit dhe është i 24 në listën e Heronjve të Popullit nga 159 Heronj të Popullit dhënë nga Kuvendi Popullor.