Tano Banushi, legjenda e teatrit shqiptar

Një nga të mëdhenjtë e skenës shqiptare që nuk do të vdesi kurrë është edhe aktori, humoristi, Artisti i Popullit, Tano Banushi. Banushi u lind më 4 Shkurt 1927 në Shkodër.

Ai ka interpretuar mbi 1000 role në jetën e tij të gjatë skenike. Janë mbi 1000, fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike.

Fillimet i ka pasur në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit në 1945 “…në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi”, do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku, Miho Gjini.

Për të vijuar më pas në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik. Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”.

Dhe me pas do dallohej në rolin e marinarit në “Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë “Prefekti” të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te “Fejesa” e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia “Hej moj babë” të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave”, të Sh.Mitës.

Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj., të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit. Tano Banushi është një figure komplekse. Realist.

Brenda një shfaqjeje, e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj.

Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë. Për të ka folur edhe i madhi Fadil Kraja, i cili ka shkruar edhe disa rrjeshta me titull “I madhi Tano Banushi”

“Një ditë, kompozitori i shquar Prenk Jakova, (Nder i Kombit) takoi në rrugë aktorin Tano Banushi dhe i tha: – Tano, mbrëmë më kanë treguar një barsoletë. Po ta tregoj ty dhe të lutem ma trego pastaj mua që të qesh!

Ka ngelur proverbiale në Shkodër kjo thënie e sinqertë e Prenkës. Nuk është e lehtë t’i argëtosh njerëzit, t’u shpalosësh atyre gazin dhe buzëqeshjen. Kjo është një dhunti, një privilegj i artistëve të mëdhenj të humorit.

Shkodra prej shekujsh është njohur si qytet i humorit, sepse ka nxjerrë dhjetëra e dhjetëra figura të shquara të këtij arti kaq human dhe kaq fisnik, këtij balsami për shpirtrat e trazuar. Një ndër ta, ndoshta më i shquari i të gjitha kohërave, është Tano Banushi, Artist i Popullit, Mjeshtër i Madh. Mund të themi pa droje, se historia e humorit dhe humoristëve shqiptarë në përgjithësi dhe të Shkodrës në veçanti, do të ishte e varfër pa emrin e Tano Banushit.

Sepse galeria madhështore e interpretimeve të tij, e roleve të tij të pa fund në estradë dhe në teatër, është një visar i paçmuar, është një pasuri kombëtare. Vrojtues fenomenal i tipave dhe karaktereve njerëzore, ai i mëshironte ata dhe i paraqiste aq bukur dhe aq natyrshëm jo vetëm në skenë, por edhe në tubime familjare, mbrëmje dhe festa gazmore, duke u bërë strumbullar i tyre, “qershia mbi tortë” e tyre. Kjo e bëri popullor, të dashur dhe të lakmueshëm…Figura e tij, mimika, batutat e tij unikale dhe të papërsëritshme, hynë natyrshëm në çdo familje, siç hyn një gaz dhe një gëzim i sinqertë.

Edhe sot e kësaj dite jetojnë anekdotat e tij dhe shprehja: Siç ka thënë Tano Banushi. Me atë fytyrën e tij topolake, me qafën paksa të mënjanuar, vështrimin e tij si të trembur, shtrembërimin origjinal të buzëve, zërin herë metalik herë të përvajshëm, i aftë për të imituar çdo dialekt dhe zhargon, Tano Banushi të mahniste në rolin e babaxhanit, naivit, gjysmë budallait që si një kalamit qas dhe bart shuplakat e të tjerëve, romuzet dhe kritikat, deri te dënimet.

Por, ndërsa ata që i suleshin atij iknin shpejt nga kujtesa, roli i Tanos mbetej në kujtesë, sepse njerëz si ai ishin aq të shumtë për kohën, njerëz që kishin zgjedhur apo preferuar këtë rol në një shoqëri të ngurtë, meskine, të ashpër e plot paragjykime, deri në shtazore. Spektatori, këtë rol të preferuar të Tanos, të papërsëritshëm do të thosha (Ndoshta Agroni i “Portokallisë” meriton t’i afrohet), e donte sepse shihte në të një lloj oponence të përvuajtur, të stërholluar ndaj një klase politike ku bënte ligjin diktatura dhe injoranca e veshur me pushtet, dhuna e përligjur si “mjet edukues”.

Në skenë, në ata mbi njëmijë role të tij në gjysmë shekulli si aktor profesionist, spektatori shihte te Tano Banushi shefin, drejtorin apo brigadierin e paaftë dhe gjysmë analfabet që e katranosnin punën aq sa viheshin edhe vet në siklet, dhe duke ngjallur qeshjen e të tjerëve, ngjallnin edhe ironinë, shpotinë… keqardhjen e heshtur për gjendjen ku jetonin. Dhe naivi, babaxhani, gjysmë budallai dhe gjysmë analfabeti Tano, me interpretimin e tij, sikur u thoshte njerëzve:

– Qeshni, nëse nuk mund të qani! Dhe njerëzit qeshnin me pahir. Qeshnin dhe meditonin. Intelektuali dhe punëtori hamall, politikani dhe lypësi, gjykatësi dhe polici, i dehuri dhe i çmenduri, kapadaiu dhe frikacaku, gënjeshtari dhe servili, rrobaqepësi e bojaxhiu, fotografi dhe këpucari… fanatiku dhe liberali, babai rrezikzi dhe gjyshi finok… gjer dhe gruaja e pispillosur e llafazane… deri dhe fëmija i llastuar dhe me vese… Ja, kjo është galeria e roleve të Tatos.

Tipat, karakteret njerëzore në fytyrën e tij me mimikë të jashtëzakonshme, në lëvizjet e trupit, në stërhollimin e zërit, belbëzimet, gafat, shikimin zhbirues… ishin qytetarët e Shkodrës, ishte koha që mishërohej dhe shpalosej nga ky aktor i madh. Sepse, siç shprehej ai vetë:

– I kam parë këta njerëz që fëmijë, kur hynin në mejhanen e babait tim… Aty hynte gjithë Shkodra dhe unë u shërbeja atyre… dhe i studioja… i ngulisja në mendje…

Ai ishte i madh, sepse nuk shquhej vetëm ndër skeçe, por dhe në komedi brilante, bile dhe në tragjikomedi. Janë brilante dhe të pashlyeshme në kujtesë interpretimet e tij në komeditë “Këshilli i Ndrikullave”, Çështje familjare”, “Fundi i një komedie”, “Luani i shtëpisë”, “Dasma Shkodrane” etj.

Por jo vetëm kaq. Tano Banushi ishte edhe këngëtar i shquar, ishte edhe kitarist, ishte dhe kërcimtar e skenograf.

E jo vetëm kaq… Ai ishte edhe shkrimtar i shquar i humorit… Janë qindra skeçet e shkruara prej tij, komedi dhe parodi, kupleta dhe tekste këngësh… Shkruante për t’i interpretuar vetë, por edhe për shokët e tij, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë estradat e vendit.

E jo vetëm kaq… Tano Banushi ishte një koleksionist i rrallë. Një ndër numismatët më të shquar të vendit. Ishte ndoshta i vetmi koleksionist i një fushe të veçantë. Që nga dita e parë e çlirimit të vendit dhe për mbi tre dekada më pas… ai grumbulloi me pasionin e një sqimëtari, gjithë afishet artistike të qytetit, për çdo shfaqje apo koncert, disa prej tyre edhe me firmat e regjisorëve, aktorëve interpretues…

Në këtë koleksion të rrallë është historia tridhjetëvjeçare e lëvizjes kulturore dhe artistike të një qyteti, siç ishte Shkodra artistike e atyre viteve. Dhe jo vetëm kaq… Tano Banushi ishte edhe regjisor i talentuar, ishte edhe didakt dhe mësues i palodhur e dashamirës për një plejadë aktorësh të rinj, që u rritën dhe u bënë të njohur falë ndihmës dhe përvojës së tij.

Ky ishte i madhi Tano Banushi, që më 4 shkurt mbushi 80 vjetorin e lindjes, një jubile që duhet kujtuar me nderim dhe respekt nga gjithë bota e artit dhe skenës shqiptare, edhe pse nuk e kemi më në mes nesh.

Sepse, figura të tilla i kemi të pakta. Sepse figura të tilla nuk vdesin kurrë. Janë yje që nuk rreshtin të rrezatojnë dhe të frymëzojnë.”

Fadil Kraja, 07/02/2007

/konica.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME