Teksa sezoni i plazhit ka nisur, të paktën në dy fundjavat e fundit, zona të tjera turistike të vendit, siç është ajo e Thethit janë të izoluara edhe sot nga dëbora.
Dje, që data shënonte 1 maj, në Theth, trashësia e dëborës arrinte në 2 metra. Tonini, Gjergji dhe Mirashi janë tre banorë të kësaj zone, të cilët duhet të ecin 14 kilometër në këmbë për shkak se rruga është e bllokuar.
Gjin Logo, shoferi që e bën rrugën e Dukagjinit prej shumë vitesh, ka lënë mjetin e tij te kthesa e Qafë Thores. Pasagjerët e tij zbresin aty për të vijuar rrugëtimin në këmbë për rreth 2 orë e gjysmë deri 3 orë për në Theth.
14 kilometër janë të pakalueshme nga çdo lloj mjeti. Për këtë shkak, banorët nuk kanë asnjë zgjidhje, ndaj ushqimet dhe gjithçka tjetër të nevojshme duhet që t’i mbajnë në shpinë me orë të tëra.
BANORET
Banorët tregojnë se për ta është shumë e vështirë jetesa në këtë zonë. Sipas tyre, shteti nuk po i ndihmon, që ata të paktën të sigurojnë të ardhura nga turizmi. Mjaft turistë të huaj kthehen pas kur ndeshen me rrugën e bllokuar. Janë të paktë ata më guximtarë, të cilët marrin një iniciativë të tillë për të bërë 2 orë e gjysmë në këmbë në mes të dëborës, ku në mjaft vende arrin në 2 metra.
“Rruga është e bllokuar prej disa muajsh. Një fadromë ka ardhur prej disa ditësh. Por veçse duhej të kishte ardhur shumë më përpara, nuk mjafton vetëm një e tillë për zhbllokimin e zonës. Kjo situatë na dëmton shumë ne dhe turizmin. Jetojmë me turizëm. Unë kam 6 anëtarë në familje dhe të gjithë jetojmë atje në Theth, mes këtyre vështirësive.
Rruga më shumë qëndron e bllokuar sesa e hapur gjatë vitit për shkak të borës. U bëj apel institucioneve shtetërore, që të hapin rrugën dhe ta mbajnë gjithmonë hapur”, shprehet Tonin Rrazna, banor i Thethit. Gjergj Milani dhe Mirash Logo janë dy banorë të tjerë, të cilët deklarojnë se shteti për ta është inekzistent, ndërsa e ndiejnë veten totalisht të harruar. Si pas banorëve, me këtë situatë, këtu rruga hapet vetëm më 1 gusht.
TURISTET
Rreth 20 turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës janë kthyer mbrapsht drejt Shkodrës. Ata nuk kanë mundur që të shkojnë deri në fshatin turistik për shkak se rruga është e bllokuar. Duke mos e njohur mirë zonën, kanë zgjedhur që të kthehen. Disa turistë të tjerë, të ardhur nga Spanja, vendosin të mos kthehen mbrapsht.
Ata janë detyruar që të lënë mjetet e tyre në Qafë Thore dhe të ecin për 14 kilometër në këmbë deri në Theth. Ai që bën guidën turistike, është një shtetas nga Kosova. “Unë jam nga Deçani i Kosovës dhe po shoqëroj turistët spanjollë. Është hera e parë që vij këtu.
Nuk mund që të ecim me makinë deri në Theth për shkak se rruga është e bllokuar dhe zgjodhëm të ecim në këmbë. Në Kosovë, zona të tilla të bjeshkëve janë të hapura që në muajin shkurt. Ne deshëm që të shkonim me makinë, por plani na u prish dhe lamë makinat në Qafë Thore. Tashmë do të ecim në këmbë për 14 kilometër”, shprehet ai.
Senad Nikshiqi