Genti bëri gjithçfarë mund të bënte në atë skenë të ethshme e gjigante dhe mua më gëzon fakti që ia doli aq denjësisht, jo për ne, por për vete.
Ne do vazhdojmë të hënën me “avazet” tona; me arrestin shtëpiak të Tahirit, me vëllain e Xhafajt, me postimet e Berishës, me njerëz anonimë që i bëjmë protagonistë, me peshq e cironka… Madje do vazhdojmë të dëgjojmë e promovojmë këngëtarët e “playback”.
Genti i mori gjithçfarë mund t’i merrte asaj skene e që s’ia merr dot kësaj copëz Shqipërie… Nëpër club-et tona të mëdha s’ka vend për Gentin se pronarët xhepambushur të tyre, i “zbrazin” paratë për mikrofonmbajtëse që i kap paniku kur dj. ul për pak sekonda muzikën e regjistruar dhe i le vetëm me zërin e tyre.
Genti as një album s’e ka bërë dot në këtë copëzën tonë Shqipëri që kushton “një djall e gjysmë”.
Por Gentit nuk duhet t’i vijë keq për të gjitha këto. Zëri i tij unik, forca dhe shpirti që i jep çdo note që këndon, sonte u shpërfaqën në sytë e gjithë botës.
Ai i ruajti Shqipërisë në skenën europiane elementin më identitar të saj: GJUHËN! Genti e këndoi të gjithën në SHQIP “Mall”. Tekstin bashkë me muzikën ai i ka shkruar vetë, e s’ka pranuar asnjë çast t’ia tjetërsojnë, t’ia “europianizojnë”.
Se Europën Genti e ka përqafuar me kohë dhe sot bëri çmos që Europa ta përqafonte me “Mall” Shqipërinë! Mirë ardhsh Eugent Bushpepa! Uroj që krenaria për ty të na zgjasë më shumë se ç’na zgjat zakonisht dhe mos na bjerë shpejt “Maska e Madhështisë”.