‘Deformimi i Kanunit na ka prishur imazhin në botë’

Ashtu siç e definon dhe Kadare flamën epidemike që po pushtonte Shqipërinë nga Jugu në Veri për shkak të të ashtuquajturës “gjakmarrje”, ku vrastarët e gjenin “bekimin” tek Kanuni, edhe studiuesi Ndue Dedaj, në qasjet e tij studimore vazhdon të theksojë se është deformimi dhe jo vetë Kanuni që ka sjellë aq viktima në pak vite gati-gati me bilanc lufte.

Ai thotë se nëse Kanuni nuk mund të funksionojë si ngrehinë juridike, porse ligjbërësit mund t’i ndërkallin disa nyje të tij në legjislacionin e ri.

Nga ana tjetër studiuesi Dedaj thekson në intervistën e tij për ‘Shekullin’ se Kanuni nuk është vetëm verior por mbarëshqiptar sepse identiteti shqiptar është një, në gjuhë, doke, folklor, besëtytni, migrime, emblema etj. dhe se ai mbijetoi si një nocion perëndimor, në një realitet shqiptar të tjetërsuar nga sundimi otoman, çka tregon dhe fuqinë e tij.

Dedaj është i ashpër me nxjerrjen e “namit të keq” të vendit përmes cilësimeve të padrejta të Kanunit si “Fantazma e gjakmarrjes që shëtit nëpër kontinente”.

Është për të bërtitur me të madhe, thekson ai, pse jo, në radhë të parë ambasadat, atashetë kulturorë, konsujt e të tjerë njerëz që paguhen nga shteti për imazhin e Shqipërisë në botë e të tjerë. Është një spekulim total.

Z. Dedaj, Kanuni perceptohet të ketë vepruar në Malësitë e Veriut, a është kjo një e vërtetë historike?

Kanuni nuk është vetëm verior, por është mbarëshqiptar. Kanun ka pasur në Veri, por dhe në Jug e në Shqipërinë e Mesme, sepse identiteti shqiptar është një, në gjuhë, doke, folklor, besëtytni, migrime, emblema etj. Ndaj është gabim që Kanuni të lokalizohet vetëm si verior. Ishte Rrok Zojzi, një etnolog i spikatur, që shkoi në Labëri i pari për të gjurmuar kanunin e atjeshëm në vitet ‘50, punë që pastaj e vijoi me përkushtim Ismet Elezi.

Ne kemi pasur dijetarë mendje-hapur në të kaluarën, ndaj nuk na falet sot paragjykimi, ngushtimi, apo fryrja e një dukurie.

Droja se mos po biem në “kanunizëm”, dmth po e teprojmë me të, vjen nga mania që ka njeriu modern për t’iu larguar sa më shumë “arkaikes”. Kështu një gazetare e re përpiqej të më ndihmonte me pyetjet e saj të kujdesshme, që unë të mos rrëshqisja në arkaizëm, në këtë punën e Kanunit!… Teksa mund të thërrisja në ndihmë përnjëherësh Shtjefën Gjeçovin,

Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Ernest Koliqin, Zef Valentinin, shkrimtarë e dijetarë të kalibrit evropian, apo të tjerë autorë të sotëm po aq të vlefshëm, por nuk është kjo e rëndësishme.

Puna është që të mos paragjykohet Kanuni nga ata që e kanë për detyrim ta lartësojnë atë, si çdo vlerë tjetër themelore kombëtare. Ajo gazetarja dëgjonte analistë “modernë”, si njërin që Veriun e karakterizonte si “vendi i Kanunit dhe i kullave të ngujimit”(!) pa u ndjerë aspak në faj për atë që thoshte para miliona shqiptarëve. Kurse në një debat televiziv me disa të ftuar, thuajse vetëm njëri, publicisti Mark Marku, ishte i plotë në analizën dhe shtjellimet e tij rreth Kanunit.

Është e gabuar të thuash një frazë të “mirë” për Kanunin si vlerë historike, sa për të qenë brenda me shikuesit, kryesisht ata veriorë, dhe pastaj t’ia nisësh nga qortimet, kritikat, deri në rrëzimin e tij.

A mendoni dhe perse ngjet në kohën e sotme shpërdorimi i Kanunit?

Interesi i lexuesit në këtë rast lidhet me problematikën që shtron libri, pasi njerëzit janë mjaft të ndjeshëm ndaj dukurisë së sotme “kanunore”, se ndodh një vrasje dhe përnjëherësh shkaktohet konfuzion, për pak nxitohet të lajmërohet si një vrasje për gjakmarrje etj., kur ajo nuk ka asgjë të tillë. Ka sigurisht dhe raste kur ndonjë vrasje ka sfond të përhimë a të mjegullt “gjakmarrës”.

Për paradoks, një vrasje e tillë ndodhi kur sapo kishte dalë libri im për Kanunin, vitin e kaluar: një burrë 80 e ca vjeçar vrau për gjakmarrje të vjetër, buzë Autostradës Durrës- Kukës, që sapo i ishte prerë shiriti. As urbanizimi, as qytetërimi nuk e kishin ndalur dot atë plak për të shtënë mbi hasmin e tij, tridhjetë vjet më i ri, me të cilin ishin komshinj dhe shiheshin përditë, në rrugë, në arë, në takime të fshatit etj.

Sigurisht që nuk ishte ndonjë thirrje “biologjike” e gjakut, asgjë instinktive nuk kishte në aktin e plakut që nuk mund të shkonte në botën tjetër “pa e marrë atë gjak” të vjetër.

Thjesht ishte opinioni që e vriste në ndërgjegje, pra, që njerëzit e atij katundi (sigurisht disa gërgasës) të mos thoshin se filani nuk qe i zoti të merrte gjakun. Në Shqipëri opinioni vazhdon të mbetet shpesh përcaktues i sjelljeve dhe qëndrimeve të njerëzve, ti nuk bën atë që ndjen, por atë që mendon se të tjerët presin prej teje.

Ai njeri shkoi përkundër të gjitha vullneteve të tjera familjare, sidomos të fëmijëve të tij, që kishin punuar në emigracion dhe ndërtuar vila e bërë biznese dhe që tani ishin të detyruar t’i linin të gjitha për t’u mbyllur në kullën e ngujimit.

Ndërkohë ka një antologji të pashkruar historish kanunore, në pamje të parë të pabesueshme, ku hasmit e njëri-tjetrit, sa ç’ishin armiq për vdekje (detyra për të kryer shpagimin), aq ishin dhe miq për kokë, të virtytshëm, të besës e shkuar saj.

Një burrë në zonën e Matit, kur po jepte shpirt, la amanet që ceremoninë e vdekjes së tij ta drejtonte hasmi, nga i njëjti vend. Ky e kryen me nder detyrën mortore, duke pritur e përcjellë njerëzit, në fund cakton dhe të “zotin e shtëpisë” së hasmit, iu jep një muaj besë bijve të tij dhe pas një muaj merr gjakun.

Ku tjetër kund, veçse në një zonë të Kanunit, mund të ngjasë një histori si kjo, tejeskiliane e tejshekspiriane, me emër e mbiemër të personave, fshatit, krahinës, kohë-ndodhje të ngjarjes, diku nga në fillimet e shekullit të njëzet? Ndaj e kaluara as nuk mund të shahet, as nuk mund të paragjykohet,ajo vetëm mund të analizohet thellë.

Shteti modern dhe Kanuni, a mund të shkojnë bashkë dhe si zhvillohet historia e tyre, së paku nga shpallja e Pavarësisë, regjimi i Zogut e këndej?

Koha moderne, me disa korpuse kulturore të së shkuarës, ka raporte thjesht muzeore, përkujtimore, arkivore, si veshjet, veglat muzikore, folklori, por me disa të tjera, si gjuha, ka raporte “bashkëkohësie”, pasi gjuha është nga ato universe që nuk është asnjëherë e vjetër, pasi është po ajo.

Kanuni në këtë qasje është më specifik, është dhe nuk është muzeor, pasi kanuni është mënyrë të menduari, sjelljeje, që është kultivuar me shekuj dhe nuk mund të ndryshohet me ndryshimin e kohëve afatshkurtra, qoftë dhe brenda një shekulli. Problemi është gjithnjë tek paradoksi.

Njeriu i shtetit, zyrtari, funksionari, ai që e ka për detyrë të “bëjë” ligjin për të tjerët, në emër të shtetit, shtrëngohet të mbyllet vetë në kullën e ngujimit. Kemi parë të jenë në gjak: kryetar komunash, kryetarë rrethi, drejtor teatri, deputetë, shef policie, gjer prifti rezultoi në gjak, si rasti i pastorit në Shkodër, i cili u vra për këtë shkak.

Por të gjithë këta ishin ngujuar jo se kishin bërë vetë ndonjë krim vetë, porse kishin vrarë njerëzit e tyre të afërm. Kjo masë me Kanun ishte vetëm për 24 orë, domethënë mbyllja brenda shtëpisë e njerëzve të afërm të vrasësit, pastaj në gjak ishte vetëm doraci dhe jo më gjithë familja.

Kurse sot nuk ka limit kohor, pasi nuk ka kanun sipas rregullave. Pa thënë pastaj se sot ka shtet, polici, gjykatë, burg, institucione të ligjit dhe vetëgjyqësia është e pakuptimtë. Gjithsesi, për të ardhur te esenca e pyetjes tuaj, nga shpallja e Pavarësisë e këndej, ka ndodhur ajo që pritej, përherë e më shumë duke lëshuar terren Kanuni e përherë e më shumë duke fituar truall ligji.

“Fantazma e gjakmarrjes shëtit nëpër kontinente”. Mos keni parasysh manjakë ekzotikë, mosnjohës të realitetit shqiptar dhe Kanunit?

Është për të bërtitur me të madhe. Pse jo, në radhë të parë ambasadat, atashetë kulturorë, konsujt e të tjerë njerëz që paguhen nga shteti për imazhin e Shqipërisë në botë e të tjerë. Është një spekulim total.

Një inxhinier emigrant më tregonte për një film dokumentar të deformuar, që shfaqej në Torino, bërë në zonat tona veriore, për gjakmarrjen dhe Kanunin. Kisha parë dhe vetë në një qytet veriperëndimor një ekip të huaj, i një vendi ballkanik, që po xhironte si “personazh” pajtuesi, një ngatërrestar dhe kjo ishte më të vërtetë e hatashme.

Nuk ishte rasti i parë se dhe në rrethe të tjera kishte pasur “heronj” të tillë. Pra, një burrë që e kishte shitur me para gjakun e të atit, të para gjysmë shekulli, tani këtë burrëri (kinse faljen e atij gjaku) e trumbetonte në atë dokumentar si mirësi.

Për paradoks aty ishte dhe ai të cilit ia kishte “falur” atë gjak, njëri me shkollë dhe me kollare, po që i rrinte urtë atij plakut, se ku i dihej, ai kërkonte prapë parà për ata gjak!… “Regjisorët” e këtyre dokumentarëve “me Kanun” janë ca ndërmjetës që paguhen në mënyra të ndryshme, dhe pse shtirën si mirëbërës të mëdhenj para kamerave e podiumeve.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME