Edi Rama ka pasur natyrisht arsye të bëjë propagandë politike në inagurimin e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, për të cilin ka ndërhyrë me forcë për ta rindërtuar, edhe pse ka pasur kundër banorët që banojnë përreth stadiumit dhe bashkinë Shkodër.
Për shkodranët, stadiumi është më shumë se një objekt i rëndësishëm; “Loro Boriçi” përbën ndoshta një nga të paktat gjëra që i bashkon banorët e Shkodrës, por dhe përbën një dëshmitar “par exellance” i historisë së qytetit kryesor të veriut.
Që kur u ndërtua në vitin 1952, ky stadium ishte “oazi” ku pasioni për Vllazninë krijoi në Shqipëri atë që quhet “tifozeri ultra” por që nuk shan “me libër shpie”.
Janë të paharrueshme pantonimat e Gëzim Krujës në vitet e diktaturës duke profilizuar tifozin pasionant që thërriste: “Gol për ner të familjes, gol!”.
Stadiumi u bë kur Loro Boriçi i ndjerë ishte gjallë dhe figura numër 1 dhe e pakundërshtueshme e futbollit shqiptar.
Edhe pse aksionin guerril, ku i hipi tankut përsipër me një bombë dore, Vojo Kushi e bëri në Tiranë, regjimi komunist i vuri emrin e tij stadiumit të Shkodrës, të vetëdijshëm se duke qenë një objekt adhurimi, emri që mban do të përmendet shumë më shumë se në një ndërtesë tjetër.
Vojo Kushi kishte pak lidhje me Shkodrën. Familja e tij kishte ardhur nga Struga dhe ishte vendosur fillimisht në këtë qytet pasi ndodhej një komunitet i madh struganësh që kryesisht kishin biznesin e furrave të prodhimeve prej brumi.
Kështu, me emrin e të fortit nga Struga, më 1 maj 1953 kur po zhvillohej ndeshja ndërmjet skuadrës “Puna” (ashtu quhej Vllaznia për disa vjet) dhe Dinamosm u inagurua stadiumi i Shkodrës, që për kohën ishte ndër më të mirët pas “Qemal Stafës”.
“Vojo Kushi” u kthye në një institucion për qytetin. Për 15 vitet e para, stadiumin e mbushnin dhe gratë që brohoritnin si burrat për golin që shënonte Vllaznia.
Bashkë me kolektivat e ndërmarrjes, tifozeria mbushte shkallët e çdo fundjave.
Në fillim të viteve ‘80 filluan të përhapen në gjuhën masive “të sharat”.
Në vitin 1979 Vllaznia arrin të fitojë në “Vojo Kushi” me Austrinë e Vjenës.
Stadiumi qytetit u tejmbush dhe njerëzit nuk kishin ku rrinin.
Muho Asllani që u emërua pak vite më pas si Sekretar i Parë i PPSH-së, vendosi që me punë akordi të mbarojë stadiumin e qytetit ku u arrit të ndërtohet vetëm 2/3-ta e tij që u la për ta përfunduar qeveria e radhës.
Muho Asllani nisi të bënte llogari, por nuk kishte kohë që ta mbyllte deri në fund veprën që u vendos si objektiv në Kongresin e 9 të PPSH-së.
Por pasi Muho Asllani u largua nga pushteti, asnjë prej qeverive nuk e vazhduan projektin e “Vojo Kushit”. /tesheshi.com