Një qytetërim mesjetar në Koman

Kalaja e Dalmacës, e njohur ndryshe edhe si kultura e Komanit ka bërë lidhjen mes shqiptarëve si pasardhës të arbërve dhe ilirëve

Një vend me histori të rrallë dhe që tregon prejardhjen tonë është pikërisht zona e Komanit. Një nga trashëgimitë më të mëdha, të cilën kemi mundësi ta shijojmë edhe në ditët e sotme është kalaja e Dalmacës në Koman, e cila po klasifikohet si qendra e qytetërimit të Shqipërisë në Mesjetën e hershme.

Zona po kthehet në një pikë referimi për studimin e qytetërimit të Ballkanit Perëndimor kontinental në periudhën e Mesjetës së hershme, shekuj të cilët quhen edhe si periudha e errët e historisë.

Zbulimi i një sërë vendbanimeve prej guri, përdorimi i metalit, ndërtimi i shumë kishave dhe varrimet e të vdekurve të cilat kryheshin me veshje e stoli, si dhe gjetja e monedhave, flasin qartë për zhvillim ekonomik tejet të lulëzuar, një zhvillim i cili nuk është hasur më parë në asnjë vendbanim të hershëm në Shqipëri,

madje as në Ballkanin Perëndimor. Kalaja ndodhet rreth 600 metra mbi nivelin e detit gjë që i ka dhënë dhe një shtysë zhvillimit shumë të madh të zonës.

Shumë objekte janë nxjerrë në dritë gjatë gërmimeve arkeologjike të cilat janë të shumta dhe përveç disa monedhave të shekullit XI të Komanëve, janë zbuluar edhe disa shtëpi prej guri, objekte metali dhe një territor me rreth një mijë varreza.

E gjithë sipërfaqja me banesa mendohet të jetë rreth 20 hektarë, e cila është e rrethuar nga pesë kisha e shumë ndërtime të tjera të gjetura, të cilat ruajnë teknikën romake të ndërtimit.

“Jemi mësuar ta njohim përciptas kulturën e Komanit, por tani ky rajon po kthehet në një referencë për studiuesit dhe arkeologët, sepse jep informacion të bollshëm dhe me tepër vlerë për periudhën e errët të historisë që ka mungesë të plotë informacioni.

Kjo zonë ka vlera të rralla arkeologjike dhe historike dhe puna do vazhdojë edhe në vitet në vijim. Për gjithë këto vlera, kjo zonë duhet të ruhet nga shteti, pasi është një thesar për qytetërimin e Mesjetës”, shprehet studiuesja Etleva Nallbani gjatë një ekspedite.

Nga ana tjetër, prezenca e toponimeve të katër kishave në kalanë e Dalmacës në Koman, si ajo e Shën Gjergjit, Zonja e Mirë, Shën Mihllit dhe e Shën Nikollit, tregon jo vetëm për shtrirjen e madhe të këtij qytetërimi, por dhe zhvillimin kulturor e kishtar të zonës, që njihej si krahina e Pultit të Sipërm.

Zona e Pultit të Sipërm, që korrespondon me kalanë e Dalmacës, në bazë të fakteve dhe toponimeve të mbledhura ka qenë një ndër qendrat më të mëdha të krishterimit. Pamja nga ku gjenden rrënojat është madhështore.

 

Nga njëra anë shihet rrugëtimi i Drinit që vjen nga malet e larta të Tropojës dhe vazhdon rrugën drejt Shkodrës, ndërsa nga ana tjetër malet. Largohemi nga kalaja e Dalmacës, poshtë këmbeve të së cilës vazhdon rrugëtimin Drini i gjatë.

Gërmimet arkeologjike në Koman janë bërë fillimisht që në vitin 1898 nga Konsulli i Francës në Shkodër Degrand dhe kanë vazhduar dhe me ekspedita të arkeologëve shqiptarë më 1961 nga Hana Spahia e deri në ditët e sotme.

Nga ato gërmime arkeologjike u gjetën varrezat e Mesjetës së hershme, ku në bazë të atyre u bë ndërtimi shkencor mjaft i rëndësishëm, i njohur si kultura e Komanit që bënte lidhjen e shqiptarëve si pasardhës të arbërve dhe ilirëve.

Komani, i cili ndodhet 80 kilometër në lindje të qytetit të Shkodrës, është një zonë e thellë malore mes Pukës, Tropojës dhe Shkodrës. /konica.al/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME