Ishte një mëngjes i ftohtë janari. Si gjithmonë do të ndiqte ritualin e ditës, do të merrte bicikletën e tij të pasluftës dhe pasi do të bënte pak pazar do të kthehej drejt apartamentit. Askush nuk do e besonte më vonë që ky do të qe janari i fundit për Ndrek Lucën. Ishte ora 11:00 e vitit 1993, kur vdiq nga një goditje në zemër.
Ndrek Luca lindi në Shkodër më 1927. Pasioni për teatrin dhe operan e identifikuan që rini kur studionte në shkollën e Aviacionit në Beograd. Kështu, pasi kthehet, bëhet menjëherë pjesë e Teatrit falë talentit të tij nën dimensione shumëplanëshe ku kostumet heroike, komike, tragjike u bënë pjesë në gardërobën e fondit të pashtershëm të qindra personazheve jetësuar prej tij.
Një prej themeluesve të Historisë së Teatrit Shqiptar nga ku sinqeriteti, organiciteti dhe vërtetësia u lidhën drejtpërdrejt me njohjen dhe kuptimin e karaktereve konvecionale të lojës së tij.
Ndreka qe njeri i thjeshtë! Anadaj thjeshtëzimi bëri fole në topitjen e aftësisë transformuese të tij nga vetja/në rol. Ai tok me natyralizimin e çmpakte qëndrimin ideoemocional ndaj rolit, duke e shndërruar përfaqësimin e lëndës shpirtërore të figurës në një individualitet të ri.
Ndreka ishte mjeshtër! Ai mbetet ndoshta një prej ekzekutorëve me të rrallë të gjithë personazheve qe luajti. Na ka mallëngjyer, na ka bërë ta urrejmë, ta duam e ta kujtojmë me mall e brengë. E gjithë kjo gjendje pavdekësore, falë Ndrekë Lucës dhe vlerave të larta artistike të tij. Le të kujtojmë fjalët domethënëse të Deni Didëroit tek ‘’Paradoks i aktorit’’: ‘’ Mendoni për një cast për atë që në teatër quhet e vërtetë.
Mos vallë kjo do të thotë që t’i tregosh gjërat ashtu siç janë në natyrë? Aspak. E vërteta në këtë kuptim nuk është veçse e rëndomta. Qe të mos jetë e rëndomtë, duhet të jetë artistike’’.
Këtë fakt Ndreka na e dha. E bëri. E ktheu të rëndomtën në një peshë kuptimore me mençurine e rrallë të aktorit që si duket Zoti ia fali me bollëk.
Një tjetër tipar i tij është aftësia e imagjinatës aktoriale. Pra asosacioni emocional dhe përjetimi real i aktorit është një paralele që N. Luca e ka zbëthyer vetë në figurën e Bacës së Gjetajve, kur sjellin lajmin e vdekjes së nipçes së vogël në kullën e vet, në shfaqjen e teatrit ‘’Migjeni’’ në Shkodër:
‘’-Mua gjatë punës më ndodhi një fatkeqësi, që kur e mora vesh qëndrova dhe tronditjen e përmbajta. Ngjarja më zuri në befasi, shkova në shtëpi, mbarova disa punë. Pastaj dola, mora në telefon një shokun tim dhe arrita t’i them vetes vetëm çka më ndodhi. Nuk munda të vazhdoja më tej, m’u zu fyti, lotët më filluan e u largova menjëherë. E pse më ndodhi kështu?
Ishte hera e parë që unë përhapja me gojën time fatkeqësinë që më kishte ndodhur. Dëgjova veten duke shqiptuar ngjarjen e dhimbshme. Këtë ngjarje të jetës e lidha me figurën e Bacës, pikërisht në këto rrethana…’’
Duket se kujtesa emocionale bën sintezën poetike të emocioneve ekuivalente njerëzore, si në rastin e Ndrekës i cili ishte një natyrë shumë e ndjeshme dhe në situata të caktuara arrinte t’i bashkëlidhte natyrshëm ngacmuesit e jashtëm për t’ia dhuruar sërish artit. Atij që i kushtoi çdo vit jete.
Kadri Roshi shprehej gjithnjë se “Artistët e vërtetë gjithnjë i vënë veshin jetës. Njeriut.’’
Ndaj Ndrek Luca këtë realitet e mishëroi gjithë jetës në çdo rol. Ai vëzhgonte e regjistronte gjithçka pa u lodhur kurrë.
Ndrek Luca në shfaqjet teatrale ka spikatur gjithashtu në rolin e Jagos tek ‘Otello’ i Shekspirit, ‘’Arturo Ui’’ i Brehtit, prej ku në rolin e Xhirit ndërtoi një gjuhë shprehëse përkitazi parimeve brehtiane të teatrit, karakterin e spikatur e realist të Brung Trolit në dramën e K.Jakovës ‘’Përmbytja e madhe’’ etj. Gjithashtu, në filmin artistik shqiptar realizoi mbi 30 figura emblematike, të cilat dhe sot na ngjethin kur i shohim nën atë interpretim që kjo tokë nuk lind më.
Nga viti 1951 deri në vitin 1987, kohë kur doli në pension, realizoi mbi 100 role.
Detyrë e posaçme – 1963, Komisari Dritës 1966, Oshëtime ne bregdet- 1966, Duel i heshtur – 1967, Plagë të vjetra- 1968, Gjurma- 1970, Operacioni zjarri- 1973, Shtigje lufte – 1974, Rrugicat që kërkonin diell – 1975 , Udha e shkronjave – 1978, Nga mesi i errësirës – 1978, Çeta e vogël – 1979, Qortimet e vjeshtës – 1982, e shumë filma të tjerë.
Ky mjeshtër i formimit dhe skalitjes së personazheve dhe karektereve i përket asaj plejade artistësh nga ku nxori dhe karakterizimin e gjallë të tyre. Ai hynte deri në farfuritjet e brendshme, në ato përjetimet dhe ndjenjat më të thella duke vizatuar imtësisht çdo motiv psikologjik dhe përshtatur kështu procesit logjik të jetës apo ngjarjeve të kohës.
‘’Miqtë i kishe të paktë, kujton diku bashkëshortja e artistit të madh. Me Petro Markon ishin shumë të lidhur. Gjithashtu me Çesk Zadenë, Tish Dajinë, Tonin Harapin dhe Halim Gjakovën me të cilin çdo mëngjes hanin bukë misri me djathë. Nuk para i pëlqente alkoli dhe ishte natyrë shumë familjare’’.
Shteti vendosi ta nderonte atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, megjithëse për të gjithë ai qe i tillë.
Rikard Ljarja pas vdekjes së tij është shprehur:
‘’ Atij i plasi shpirti.
Vdekja e tij ishte një protestë kundër gjithë helmit e handrakut që gufoi e rridhte gjithandej e gjithkund, grykësisë, pseudokulturës, pseudodemokracisë, pseudoatdhetarisë e pseudofetarisë.
Edhe këtë radhë ai nuk kishte kohë, nuk kishte kohë dhe mundësi të merrej një i vetëm kundër gjithë asaj hipokrizie dhe shtiracakësh që e rrethonin, dhe iku. I la të gjithë. I përbuzi. Nuk i duronte, sepse i vetëm nuk mund t’i përballonte.
Por Ndreka është gjallë, është gjallë në gjithë veprën e tij aktoriale, edhe atë të shkruar, është gjallë edhe në të gjithë vdekjet e panumerta që ka interpretuar.
Fenomeni NDREK LUCA ishte madhështia e thjeshtësisë.
Duhet studiuar dhe duhet marrë shembull’’.
Dhe ashtu është! Ndrek Luca mbetet gjallë. I pavdekshëm në gjithçka krijoi, në çdo vlerë që portretizoi duke e lënë pikërisht harresën për në fund…