Ditarët e Luftës dhe ngjarjet që nuk i shkroi kurrë…Çfarë e lidhi dhe çfarë e ndau me miqtë e tij Qemal Stafa, Vojo Kushi, Kristaq Tutulani…
I trembej atmosferës së ’45. Tek shihte intelektualët e burgosur që i merrnin nga Shkodra thoshte: Shpejt do ta kena radhën na!”.
Mbështetur në Ditarët, biografët e studjuesit e ardhshëm do të kenë në dorë, krahas asaj që është shkruar deri më tani, materialin më autentik e më origjinal, për të bërë portretin më real e më objektiv të poetit Qemal Draçini .
”Rrëfimet” e tij kanë vulën e spontaneitetit dhe të sinqeritetit maksimal, sepse ato u shkruajtën për të mos i lexuar njeri, aq më pak për t’u bërë objekt leximi publik. Ato i zëvendësonin shokët intim që i pat të paktë; madje shumë herësh ai do të dialogojë me ta, sikur të ishin bashkëbisedues realë.
Sigurisht, përmes ditarëve ne na konturohet personaliteti i këtij autori kryesisht në dimensionin njeri, me eksperiencën jetësore të tij, me të mirat e me të metat, me ndjenjat më intime, me ëndrrat e me zhgënjimet, me marrëdhëniet me botën që e rrethon, me kujtimet e së kaluarës e me shqetësimet e ditës, me thellësinë e mendimit e aftësinë e analizës së dukurive. Jeta nuk i ofroi çfarë kërkonte e çfarë meritonte: në rradhë të parë, ai u rrit në një periudhë krizash ekonomike e politike që po kalonin Europa dhe vendi në prag të Luftës së Dytë Botërore, për tu përfshirë pastaj nga flakët e një lufte të gjatë e të përgjakshme. Vendi ynë pati fatin mjeran të kalonte nga një rregjim monarkik autoritar nën thundrën e pushtuesit fashist.
Në prag të këtyre ngjarjeve, duke qenë veç 15-16 vjeç, nën tundimet e euforisë që ngjallnin idetë revolucionare dhe nën ndikimin e shokëve, u përfshi në lëvizjen ilegale dhe pësoi arrestimin dhe internimin në kampin-burg të Mbreshtanit të Beratit. Për moshën fare të re dhe shpirtin shumë të ndjeshëm, kjo eksperiencë e hidhur, me kushtet e rënda të punës së detyruar e të jetës, në mes të dimrit, në një fshat malor të humbur, lanë mbresa të pashlyeshme: nga fletët e ditarit do të na përcillen momente trishtimi e dhimbjeje, sa herë kujtesa do të fiksojë këtë periudhë: kurdoherë një tabllo ku parakalojnë shokët e fatkeqësisë , aktorë, në fytyrat e të cilëve “ lexohej trishtimi”.
Kjo eksperiencë jo fatlume nuk preku vetëm ndjeshmërinë, por qe përcaktuese dhe në qëndrimin e tij të mëtejshëm ndaj veprimtarisë politike klandestine. Me moshën u rrit dhe pjekuria politike dhe ai filloi të mendojë ndryshe mbi situatat, çka i solli dhe fillimin e shmangieve nga ana e shokëve të mëparshëm, të cilët s’ia falnin ”devijimin”! Sinjalin e parë e dha S.Tr., shoku më i ngushtë i viteve të adoleshencës e të rinisë së parë. Qemali s’e thotë arsyen, por rrjedha e ngjarjeve do të sqarojë “misterin”.
Është momenti që të ndalemi gjatë te problemi i raportit të tij me luftën kundër fashizmit, një problem parësor që herë pas here pasqyrohet në ditar. Urrejtja e tij për fashizmin është fare e kuptueshme jo vetëm se ai ishte idhtar i lirisë dhe armik me çdo diktaturë, por dhe si bir i kësaj toke për të cilën ai përgjërohej me gjithë shpirt. Le t’i zëvendësojmë fjalët e përgjithshme me fakte konkrete: krahas rasteve kur përballë trimërisë e vetëflijimit të shokëve dëshmorë, ish- shokë ideali e ish-shokë burgjesh, vë barbarizmin e raprezaljet e pushtuesve fashistë, ai ka dy shënime të veçanta (gusht 1942 dhe 1943) ku s’kursehen as ironia e as sarkazma për të tipizuar “Impero”-n fashiste dhe Musolinin: aty kemi një pamflet të vërtetë e të fuqishëm . Në një rast tjetër, për të shfryrë mllefin e vet, ai s’kursen as robërit italianë që po kalonin afër një kishe nën shoqërimin e rojeve gjermane.
Pavarësisht se në dukje, sikur autori po kënaqej me mjerimin e tyre, nuk na shkon mëndja se kemi ndonjë shfaqje ksenofobie për popullin italian, duke shpërfillur dhe kulturën e qytetërimin e tyre. Retorika e rastit, me shumë indinjatë dhe urrejtje, ka nëntekstin e vet: nuk bëhet fjalë për të tërën, por për pjesën e indoktrinuar si dhe për hierarkinë fashiste, faktorët e vërtetë relevantë të tragjedisë së kohës. Që në vitin 1940, ai pat refuzuar ofertën e ish-profesorit të vet G.D. për të qënë bashkëpunëtor i një gazete të rinisë fashiste. Në ditar ka vënë shënimin: “refuzova për shumë arsye, ndonëse rroga ishte e majme!”. Në dosjet e kuesturës vazhdonte të figuronte “i majtë”, kështu që, krahas burgut të vitit 1941, kur po merrte maturën, iu desh të fshihej dy herësh për t’i shpëtuar arrestimit të mundshëm.
Megjithatë ai mbeti një adhurues i kulturës së vërtetë italiane, i traditave të mirëfillta në art e letërsi, një soditës i befasive të “bel paese”-s. Në kuadrin e qëndrimit të tij politik që po trajtojmë, ka një moment mjaft intrigues që duhet sqaruar, sepse krijon një lloj ekuivoku! Ndërsa me pikëllim të thellë e të sinqertë ai mallëngjehet për shokët e rënë, duke shprehur dhe nderim të veçantë për flijimin e tyre, me keqardhje ai vetëfajësohet dhe vetëqortohet për faktin që i ishte shmangur luftës.
E them me bindje e siguri të plotë që duhet të hidhet poshtë çdo hipotezë se kemi shfaqje kontradiktore në sjelljen e tij: duke lënë mënjanë përshtypjen e jashtme të çastit, le të thellohemi te sinqeriteti e luajaliteti i vërtetë i Qemalit. Pavarësisht divergjencave e kontradiktave me ish-shokët për problemet ideologjike, ai e vlerëson sakrificën e tyre në shërbim të idealeve të tyre, me besimin e tyre të verbër se ishte rruga e vetme për të mirën e vendit, një flijim i motivuar deri në çastin kur pushka u drejtohej pushtuesve e jo vëllezërve të një gjuhe e të një gjaku. Dihet se sa i kushtoi këtij vendi lufta vëllavrasëse pas Mukjes. Më shumë se një herë ndeshim në ditar pezmin e tij kur vë gishtin në këtë plagë që kullonte gjak e që atij i therte në zemër. Një hollësi që ka vlerën e vet: shokët dëshmorë, për të cilët Qemali derdh lotë ngashërimi të vërtetë, kanë rënë në përleshje të drejtpërdrejtë me pushtuesit italianë, pra para vjeshtës së ’43, para luftës civile. Dhimbja e Qemalit për shokët e rënë dhe nderimi për ta janë plotësisht të motivuara në rrafshin njerëzor: djelmosha që janë të ndërgjegjshëm,vdesin pa iu trembur syri, pra meritojnë respekt; ata kurdoherë do t’i rrethojë aureola e lavdisë.
Në këto momente homazhi ndaj këtyre heronjve autori domosdo do ta ndjente veten të vrarë shpirtërisht për pozicionin e tij prej “dezertori”. Do të ishte e tepërt të kërkohej këtu ndonjë përpjekje e tij për justifikim; vetëfajsimi dhe vetëqortimi qenë zgjidhja më e mirë në atë kontekst! Shkaqet e vërteta të “tërheqjes” së tij do të na i zbulojnë shënimet e tjera të ditarit si dhe dëshmi të tjera plotësuese të mëposhtme, duke na bindur se nuk kemi të bëjmë as me frikën, as me indiferentizëm, individualizëm etj.
Dëshmia e parë na vjen nga miku i tij i ngushtë, profesor Ramadan Sokoli, botuar në gazetën “Albania” (dhjetor 1995), ku deklarohet se, që pas Mbreshtanit, Qemali u shkëput nga veprimtaria klandestine, sepse e nuhati se pikësynimet e drejtuesve që fshiheshin pas frazave të sheqerosura për liri e barazi, në fakt synonin vetëm marrjen e pushtetit me dhunë dhe monopolizimin si të mirave materiale, por dhe të pasurive artistike e kulturore. Se sa i zhgënjyer ndihej Qemali, profesori kujton citatin e Mereshkovskit: “revolucioni i han fëmijët e vet si bisha këlyshët e saj”, që ai e përsëriste shpesh, sa herë ishte rasti.
Dëshminë e dytë na e sjell profesor Sami Repishti, përmes romanit “Në hijen e Rozafës” ( viti 2004) ku bëhet fjalë për një bashkëbisedim të autorit me Qemalin, kur ishin studentë në Firence. Dilemës së Repishtit, njëheri dilemë dhe e sa shokëve të tjerë studentë që ndiheshin mospërfillës ndaj atdheut të pushtuar, ia dhanë zgjidhjen fjalët e Qemalit. Midis të tjerash ai i tregoi se i njihte mirë “ata” dhe demagogjinë e tyre; se ai vetë me disa shokë s’ushqenin më iluzione, fashizmi ishte një kalë i zgjebosur që do ta shembte vetë populli italian, atdheu priste nga studentët që të studionin sa më shumë për të krijuar inteligjencien perëndimore aq të nevojshme.
Vetë Qemali, pasi ishte kthyer nga Italia, në shtator të 1943, në kaosin e krijuar këtu, pas kapitullimit fashist, pyeste me shqetësim: “…për gjthshka mendohet, por aspak për Shqipninë e vërtetë, Shqipninë që kemi trashëguem prej prindënve…”. Qemalin e shqetësonte mungesa e një perspektive të qartë, përtej parullave propagandistike të ditës si dhe rreziku që e ardhmja e vendit po futej në një qorrsokak. Pezmatimi u rrit më tepër, kur një fatkeqësi e re po e godiste vendin: vëllavrasja. Po vriteshin pikërisht studentët dhe të rinjtë, e ardhmja e vendit! Ja si shkruan në janarin e 1944-ës: “…prap prej nesh bien…Bien njëri pas tjetrit shpresat më të mira të atdheut tonë. Me ta bie dhe e ardhmja…Nuk është që po vdes një njeri….janë njëzet vite studimesh intensive, një vetëdije e formueme,një burim energjie konstruktive…ata bien…Tanët bien…bien…dhe lufta vëllavrasëse rrënon atdheun tonë…çfarë do të mbetet pastaj…çfarë…? Kjo ishte një vuajtje e dytë shpirtërore për Qemalin, duke pasur parasysh se ai ishte shumë i pakënaqur me fatin e tij, një shpirt tejet i trazuar, “i gatuar me tragjedinë”- sipas shokëve. Kështu pesha e trishtimit rritej dhe s’ka faqe ditari ku nuk ndihet kjo atmosferë mbytëse. Lexojmë në ditar: “ si jeta ime pa flamur, pa ideal…ose, ma mirë, si një flamur i shkyem në luftrat e jetës. Jam i mbaruem e në shpirt i falimentuem…”.
Ndërsa në qershor të 1944: “Nuk ka asnjë rreze drite…vetëm errësirë…” e më tutje: “ Po vdesim shpirtërisht para se të vdesim trupnisht. Pritje, ndërsa vdekja për rreth bën kërdinë!” Kurse në tetorin e po atij viti, shqetësimet shtohen: “ Kur do ta presim fundin e dhimbshëm? Sikur të kishte veç një siguri. Kjo pritje, ma e keqe se sëmundja ma e keqe!”
Pikërisht, kur po afrohej fundi i pushtimit, thënë ndryshe, i ashtuquajturi “çlirim” i vendit, intensiteti i shqetësimeve të Qemalit arrin amplitudat më të larta dhe ai, pa mëdyshje, zgjedh ekstremin, për të mos thënë ”absurdin”, duke sajuar skenën e vetvrasjes, e vetmja rrugëdalje e tërë dilemave vetjake( guxoj të them, për mua, një krijim letrar i mrekullueshëm). Pavarësisht retorikës së stisur për të justifikuar aktin, jemi të vetëdijshëm, sikur duhej të ishte dhe ai vetë, se ai s’i kishte asnjë borxh vetvetes, as vendit, sepse qe koherent e korrekt “ par exellence” me “vetëveten dhe të tjerët”. Viktimë e rrethanave që nuk vareshin prej tij, në subkoshiencën e tij e parandjente se i mbeteshin pak vite jetë. Këtë “profeci” na e përcjell ai vetë përmes prozës së tij “Vetvetes”. Profesor R.Sokoli, që e njohu aq mirë, mbështetur dhe te letër-këmbimi mes tyre, shprehej kështu më vonë: “Mendimi i vdekjes nuk e trondiste Qemalin, ndonëse e nxiste të thellohej në përsiatje” – duke e plotësuar më tej mendimin e vet :
“Ndonëse e donte dhe e çmonte jetën shumë, ai (Qemali- N.B.) thoshte se pa njohur të vërtetat e vdekjes, nuk njihen as vlerat e jetës. Jemi frymorë jo vetëm në trup; edhe shpirti, diçka e amshuar, është pjesë përbërëse e qënies sonë…Jeta e vdekja sikur plotësojnë njëra-tjetrën…”, dhe përfundonte me fjalët e poetit gjerman Reinel Maria Rilke-“ E madhe është vdekja, ne jemi të sajët buzagaz-!”
Në këtë kontekst ndeshemi me shumë shënime, por këtu do të ndalemi në ato pasazhe ku si nëntekst qëndron zhgënjimi i tij ideologjik, çlirimi i tij nga utopia e viteve ’38-’39. Sjellim citatin:”..Në një çast të qënies sonë jemi nisur në sigurimin e lavdisë…jemi ngjitur lart, shumë lart në sferën e iluzioneve, por realiteti ka rrudhë konceptet tona mbi idealen…Zoti im që më mbështeti për vite ka vdekur. E urrej zotin tim…më në fund dhe veten time! S’mbetet asgjë, gjithç
ka ikën!”
Që në fundin e vitit 1939 qe shprehur i revoltuar :” O liberalizëm i gënjeshtërt i shekullit tonë, ku e ke ti kultin tand? Ç’hipokrizi bastarde…ç’marri me e besue…Unë e besova, por u rrejta!..”. Ai, që me 1943 pat shkruajtur ”…jeta ime pa flamur, pa ideal! Ose ma mirë – me flamur të shkyem nga luftat e jetës-“, ka për të arritur në një përgjithësim, në shtatorin e vitit 1944, duke dalë me konkluzionin: “ Mungesa e një Besimi, e një Feje, asht karakteristikë negative e jetës sonë. Breznija jonë s’ka pasë Ideal. Ka qenë një brezni e baft, e padritë, e ndjekun, e robnueme. Në shprehjet e jashtme të këtij vullneti të ndrydhun ke dalluem një notë trishtimi të thellë…E tanë letërsia fragmentare e dhjetëvjetorit të fundit asht e shtrydhun nën këtë ndjesi çorientimi…jep përshtypjen e rrugës së hupun. Nuk asht indiferentizëm. Indiferentizmi që karakterizon jashtë botës sonë, krejt brezninë europiane të mbas luftës, tu na shndërrohet në fuqi aktive, por të një aktiviteti negativ. E mbetet qëndrues në vetvedi, pa qenë i zoti me dalë jashtë, tue u sjellë rreth vedit.” E në të vërtetë vendin tonë e kishte përfshirë lufta vëllavrasëse, një aktivitet i mirëfilltë i dënueshëm e antikombëtar, të cilit nuk po arrinin t’i gjenin rrugën e zgjidhjes e të shkëputeshin nga ai rreth vicioz. Ky shqetësim i fuqishëm do të jetë i pranishëm në të gjitha shënimet që u referohen ngjarjeve dhe situatës politike që nga ai fillim vjeshte. Ja çdo të shkruante një muaj më vonë: “…stuhia po përmbys gjithëshka, jemi në pragun e ngjarjeve deçizive për të ardhmen e atdheut tonë. Sa e ankthshme asht pritja…si pritje në terrin e natës, me zemrën që rreh…e një çapi të njohtun…”. Pra një çap i njohur nga Qemali që i fut drithmën në vend të ngazëllimit, që nuk premton kurrgjë të mirë. Tashmë ai i njeh mirë “shefat e përmbysjes së madhe të botës së vjetër”, kështu që nuk ka përse të lumturohet, sepse ai, ashtu si e pohon vetë “…e ndjej stuhinë që po vjen.- A jemi të zotët ta përballojmë?”. Dhe sa më shumë i afrohej fundi asaj vjeshte të ’44-ës, aq më e madhe bëhej frika, sepse jeta e përditshme ngjasonte me gjethet e kësaj vjeshte të pabaft e ogurzezë!”
Ja si e priti ai 28 Nëntorin, “ ditën e çlirimit” : “ Ngjan një agim tragjik, i përgjakun nga stërpikja e therorisë së një fisi të tanë. Asht agim i përgjakun i jetës së re shqiptare që po lindte në mjedis të zjarrit e të gjakut. Të gjakut të derdhun rrkajë të rinisë së përbuzun, të rinisë së tradhtueme arbnore…Këtu në fyt më lidhet si një ny vaji, përmallimi: Kiço, Emin, Nuro…Oh, sa e sa ushtarë të panjohun të Shqipnisë së vuejtun”.
Pas gjithë kësaj tablloje gjaku ( fjalë që përsëritet katër herë si refren mosmiratimi) ku tonin e japin fjalët: tragjike, e përbuzun, e tradhtueme, përmallimi -, kuptohet lehtë sa larg frazeologjisë euforike të pushtetarëve të rinj “ fitimtarë” qëndronte Qemali. Ky qëndrim bëhet më i qartë pas “festës”. Ja shënimi i dt. 13 dhjetor 1944: ” …Nervat janë zhgrehur dhe nuk ka asgjë për të pritur…ditët e kalendarit nuk i jetoj më. Ditët e mija nuk janë ditë, por një natë e pambarim, e zezë dhe e vazhdueshme, një natë e pa agim e pa perëndim, pa një fillim e pa fund për të pritur. Këto ditë më kujtohet shpesh fraza që E.M.Remark vuri në frontespicin e librit të vet “ Asgjë e re në frontin e perëndimit”: – Ky libër nuk do të jetë asnjë akuzë, asnjë rrëfim (konfesion). Kërkon të flasë për atë brez fatkeq që lufta e vrau, edhe në se granatat nuk e prekën…-“. Këto tone indiferentizmi të momentit do të ndërrohen në tone fatalizmi: (30 dhjetor 1944): “…jam ba fatalist. E le t’i shtrohem edhe unë fatit…Tani më asgjë s’ka kuptim. Përse të dëshiroj të kundërshtoj ende- (23 janar 1945) :”…trishtimi më pushton. Ndjehem i humbur si në një holl vdekjeje. Prej javësh nuk shoh më diell…Gjithshka e errët, e pasigurt…S’besoj më në asgjë!”.
Është një realitet që brezit tim i kujtohet fare mirë. Në të vërtetë ka qenë një “janar siberian”, por e keqja kryesore qëndronte tjetërkund: që në dhjetor e në vazhdim, gjithë janarin e ’45-ës, në qytetin e Shkodrës e në Malësi, Kelmend, Dukagjin u vendos një rregjim shtetrrethimi, me një terror që mori në qafë njerëz të pafajshëm. Duke lënë mënjanë viktimat e operacionit ushtarak, po ndalem vetëm te holli i ndërtesës së Prefekturës ku ishin grumbulluar të arrestuar sa nuk zinte më: nëpunës, intelektualë, studentë, universitarë, tregtarë, ish-oficerë, jo se kishin qenë bashkëpunëtorë me pushtuesit, por vetëm për të krijuar psikozën e frikës. Kësaj atmosfere i bën jehonë Qemali.
Jemi në vitin 1945. Pavarësisht atmosferës mbytëse të tunelit të ri pa ajër e pa dritë që krijuan në vendin tonë pushtetarët e rinj, ai gjet forca dhe me energjinë e tij karakteristike, ai u angazhua pa hezitim gjallërimit të jetës teatrore të qytetit, shprehje e qartë e vullnetit të tij për punë të frytshme. Ka një shënim në anglisht ku shprehet i kënaqur për suksesin që korri në Tiranë teatri shkodran me dramën “Bujtina e të vorfënve” e Gorkit, përkthyer nga ai vetë.
Veçanërisht angazhimi i tij në arsim e përtëriu moralisht, çka e shprehu dhe në ditare: satisfaksionit do t’i shtojë dhe përkushtimin e tij maksimal për tu përgatitur në lartësinë e duhur. Është folur dhe është shkruar se me ç’profesionalizëm e me ç’përgatitje të veçantë e kreu ai detyrën e mësuesit si dhe me çfarë adhurimi e kujtojnë atë ish-studentët e tij.
Duhet theksuar se shënimet për vitet ’45- ’46 reduktohen shumë dhe kjo është e shpjegueshme për motivet e autoçensurës, një vetëpërmbajtje e kuptueshme në atë klimë persekutimi. Në ato fletë të pakta mbizotërojnë ndjenjat intime dhe lidhja sentimentale me nxënësen e vet, për të cilën do të flasim më vonë. Para se të mbyllim këtë pjesë të kësaj trajtese, do të sjell dy momente të ndryshme, për t’u bindur se me ç’forcë morale ai përballonte trysninë e kohës.
– Në verën e vitit 1946 ai u thirr nga Ministria e Arsimit për të marrë pjesë në Komisionin Pedagogjik për hartimin e teksteve të letërsisë për shkollat e mesme, ku bëri një punë kolosale dhe luajti rolin kryesor, sikur do ta deklarojë publikisht më vonë prof. S.Luarasi, ish-anëtar i Komisionit.
– Disa muaj para vajtjes në Tiranë, gjatë një bisede në konfidencë me kolegun Kolë Prela, profesor e deputet i kohës, nga dritaret e Këshillit Pedagogjik të Gjimnazit, panë një grup të burgosurish që po dërgoheshin në “gjyqin e popullit”. Pa farë mëdyshjeje, Qemali iu drejtua kolegut :” Shpejt do ta kena radhën na!”. Në të vërtetë, të dy, me radhë, provuan mbi trupat e tyre sadizmin më të egër e më çnjerëzor, derisa njëri përfundoi para plotonit të pushkatimit e tjetri u martirizua në birucat e Sigurimit. Fatkeqësisht ende sot nuk iu dihet varri!
Kujtimet
Profesor Ramadan Sokoli deklaron se, që pas Mbreshtanit, Qemali u shkëput nga veprimtaria klandestine, sepse e nuhati se pikësynimet e drejtuesve që fshiheshin pas frazave të sheqerosura për liri e barazi, në fakt synonin vetëm marrjen e pushtetit me dhunë dhe monopolizimin si të mirave materiale, por dhe të pasurive artistike e kulturore. Se sa i zhgënjyer ndihej Qemali, profesori kujton citatin e Mereshkovskit: “revolucioni i han fëmijët e vet si bisha këlyshët e saj”, që ai e përsëriste shpesh, sa herë ishte rasti….
Nexhmi Bushati, Gazeta shqiptare (“Milosao”, suplement). – Nr. 5329, 13 korrik, 2011, f. 14 – 15.