Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mbi 1.300 biznese kanë kaluar me status pasiv gjatë qershorit. Status pasiv do të thotë se këto subjekte nuk po kryejnë aktivitete ekonomike. Ritmet e kalimit në status pasiv nga bizneset janë shtuar në vitin 2018, e kjo
përkon me futjen në skemën e TVSH-së edhe të bizneseve të vogla, me xhiro mbi 2 milionë lekë.
Ndërkohë, numri i bizneseve në ekonominë shqiptare shënoi vitin e kaluar rritjen më të ulët në një dekadë, teksa hapja e ndërmarrjeve të reja është shoqëruar me mbylljen masive të atyre ekzistuese.
Instituti i Statistikave raportoi se, për vitin 2017, numri i bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik u rrit me vetëm 1.1%, ose 5 herë më pak sesa një vit më parë. Të dhënat e detajuara tregojnë se ky ngadalësim i ndjeshëm është i lidhur kryesisht me mbylljen e bizneseve ekzistuese.
Pjesa më e madhe e bizneseve që mbyllen janë kryesisht ndërmarrje të vogla, të cilat përballen me vështirësi financiare dhe, në pamundësi për të shlyer detyrimet dalin nga tregu, ose kalojnë në status pasiv.
Biznese të tilla, kryesisht në fushën e tregtisë me pakicë, përveç shitjeve të ulëta që vijnë nga
ndrydhja e konsumit në ekonomi, vitet e fundit janë përballur edhe me konkurrencën e shtuar nga rrjetet e organizuara, si qendrat tregtare apo marketet e mëdha./tch