SHQIPERIA
(poezi nga Pablo Neruda)
S’kam qenë ndonjëherë
ne Shqipëri,
n’atë tokë të ashpër e të dashur,
n’atë dhe malor
barinjsh.
Sot,
shpresoj
të vij mu si për kremte,
për një kremte të re, dasmë mbi tokë;
pa të vete të shoh
si shkëlqen dielli
majë krahëve plot muskuj
të vargnaleve të tua,
si më rritet,
në mes të shkëmbinjeve
si zambaku i ri dhe i njomë
kultura,
letërsia, që po nis e shtrihet,
nderi i ndaj bujkut të moqëm,
djepi i punëtorit,
përmendorja e shquar
e vëllazërimit,
si merr përpjetë
mirësia posi bima e re,
që lulëzon në vendet e lashta
e të varfra.
O Shqipëri e vogël,
e fortë, e vendosur dhe zëmjaltë,
teli i kitarës sate
-ujë dhe qelik i gjallë-
vjen e më t’i shtohet tingullit të
historisë,
këngës së kohës që s’ka të mposhtur,
me një zë bjeshkësh
dhe ndërtimesh,
aromash dhe bardhësish,
këngës së mbarë njerëzve dhe mbarë bjeshkëve,
zogjve dhe mollëve në lule,
erërave dhe valëve.
Forca, vendosmëria dhe lulet janë dhurat q’i
sjell ti
ndërtimit të jetës mbi tokë.