Sot komuniteti i fshatit turistik Theth, rreth 70 km në veri të Shqipërisë, u njoh me projektin e ri për ndërtimin e rrugës Qafë Thore -Theth.
Përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe studios projektuese shpjeguan në detaje projektin dhe dëgjuan mendimet e banorëve përfitues. Ndërsa puna planifikohet të fillojë pranverën e vitit të ardhshëm.
Rruga “Bogë- Qafë Thore” është një tjetër investim i rëndësishëm që po ndërmerr qeveria shqiptare në kuadër të rivitalizimit të infrastrukturës rrugore, i cili po kryhet në kuadër të Projektit të Rrugëve Dytësore dhe Lokale.
Punimet për rikonstruksionin e rrugës ndonëse kanë nisur në prill 2013, deri më sot nuk janë kryer përfundimisht, duke sjellë vështirësi në lëvizshmërinë e banorëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë zonat malore shqiptare.
Rruga e re kalon në një nga zonat malore më piktoreske të Malësisë së Madhe, duke mundësuar aksesin në Parkun Kombëtar të Thethit, i cili është shndërruar në një destinacion të preferuar të turistëve vendas dhe të huaj të apasionuar pas turizmit malor.
Vetë fshati i Bogës shquhet për shtëpitë karakteristike alpine dhe është një fshat turistik shumë i preferuar nga banorët e Shkodrës në stinën e verës.
Projekti i kësaj infrastrukture, është 11.2 km e gjatë, do të jetë e asfaltuar me një gjerësi asfalti prej 4 m, dhe bankina anësore në të dyja anët nga 0.5 m. Ajo do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujrave të bardha, tombino, mure mbajtës etj dhe trotuare në zonat e banuara.
Projekti parashikon zgjerimin e kthesave aktuale, për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes së automjeteve. Gjithashtu, në pjesët piktoreske të rrugës do të vendosen tabela treguese për të orientuar turistët e shumtë që frekuentojnë Parkun Kombëtar të Thethit.
Me rikonstruksionin e rrugës dhe me mirëmbajtjen permanente të saj pritet që të rritet numri i turistëve vendas dhe të huaj të cilët do të kenë mundësi të frequentojnë zonën edhe gjatë muajve të dimrit, duke nxitur kështu zhvillimin ekonomik në tërësi.