Kombëtarja U-15 e futbollit ka nisur në Elbasan grumbullimin e saj në vigjilje të dy ndeshjeve miqësore të programuara për tu luajtur më 23 dhe 25 korrik me ekipin kombëtar të Kroacisë të po kësaj moshe.
Për tre ditë skuadra e drejtuar nga Memushaj do të grumbullohet në një hotel në Elbasan ku dhe do të stërvitet, teksa në datë 21 do të niset drejt Kroacisë. Në këtë listë, trajneri Memushaj ka grumbulluar 22 lojtarë. 14 prej tyre vijnë nga ekipet e kampionatit shqiptar.
Ndërkaq, janë edhe dy lojtarë të U-15 që janë thirrur në këtë kombëtare dhe që bëjnë pjesë në skuadrat zinxhir të klubeve të mëdha, si Endri Çelaj që vjen nga radhët e PSG, apo Johnny Prenga që luan me këtë moshë te Juventusi.
Pjesë e ekipit në grumbullim është edhe një shkodran. Bëhet fjalë për Enis Ujka i cili luan në rolin e portierit. Për këtë grumbullim, trajneri i skuadrës përfaqësuese të U-15, Eqerem Memushaj theksoi se ky grumbullim vlen.
“Një grumbullim dhe dy ndeshje që na shërbejnë shumë. Gjatë gjithë kësaj kohe, së bashku me stafin kemi parë lojtarë të kësaj moshe. Janë dy takime ku do të kërkojmë të bëjmë maksimumin tonë në fushë.
Por, mbi të gjitha do jenë dy teste që do të na japin një ide shumë më të mirë për të gjithë performancën e kësaj skuadre në secilin sektor”.
Dy ndeshjet miqësore do të zhvillohen e para në datën 23 korrik në orën 18:00 në Duga Resa dhe e dyta në datën 25 korrik ora 10:30 në Karlovac. /STAR PLUS/