Kukësi është ende mes ‘kaosit’ të merkatos, sepse po kërkon që të përforcojë grupin në fazën sulmuese, aty ku me largimin e Gurit ende nuk ka gjetur zëvendësuesin ideal.
E thënë në këtë mënyrë sepse Sabino Plaku ende nuk ka vendosur nëse do të rinovojë për kampionatin apo do të qëndrojë në ekip vetëm për ndeshjet evropiane.
Kështu, i afruari i fundit, Arturo Reginaldo, i cili sezonin e shkuar shënoi 18 herë me fanellën e Laçit, mësohet se është rrugës për në Shqipëri.
Ai është pozicionuar në listën përfundimtare të verilindorëve për takimin kundër azerëve të Qarabag Agdam, megjithatë, nuk dihet nëse do të përdoret në sfidën e parë në ‘Loro Boriçi’ nga trajneri Armando Cungu.
Skema – Në dallim nga dy ndeshjet e para kundër Valletta-s, këtë herë Cungu rikthehet te skema e tij e preferuar. Mbrojtja pritet që të jetë arma më e fortë e verilindorëve për të kaluar në turin e tretë të Europa League.
Normalisht, do të luhet me tre qendërmbrojtës; Alla – Shameti – Qaqi, të cilët do të ndihmohen nga krahët me Maliqin dhe Rrumbullakun. Në mesfushë do të luhet me katër lojtarë; Çyrbja – Musolli – Dzaria – Melo, ndërsa në sulm i vetëm do të jetë Plaku.
Një formë ‘katenaçio’ kjo e Cungut, formacion nga ku do të kërkojë që të përfitojë nga kundërsulmet për të gjetur të papërgatitur kundërshtarin.
Normalisht, kjo skemë është përdorur dhe pesë vite më parë kur Cungu atëherë shkruante historinë duke kaluar tre ture në Europa League, ndërsa në fund kundër Trabzonspor u eliminuan pasi humbën në Tiranë.