Ishulli i Shurdhahut apo qyteza e dikurshme e Sardës, rrethuar nga ujërat e liqenit të Vaut të Dejës përbën një ftesë për të zbuluar pasuri historike, kulturore dhe mrekulli të natyrës të gjitha në të njëjtin vend.
Historia e qytetit antik 3 mijë vjeçar vijon deri në fund të shekullit të 15 si pikëtakimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut të Shqipërisë. Tashmë ishulli është një vend ende i pazbuluar që mirëpret turistë vendas dhe të huaj që duan të eksplorojnë të fshehtat e tij. Mjafton shpirti i aventurës, dëshira dhe pak kilometra larg Shkodrës mund të zbuloni një pasuri historike, arkeologjike dhe mrekulli natyrore.
Qyteti 3000 vjeçar i Sardës, sot i quajtur ndryshe ishulli i “Shurdhahut” është një prej destinacioneve më të preferuara të turisteve vendas e të huaj. Ndërsa rrethohet nga ujrat e liqenit të Vaut të Dejës, ky ishull mban në gjirin e tij vendbanimin e hershëm të Gajtanëve (Shpella e Gajtanëve) vendbanimi i Jubanëve (Shpella e Jubanëve), qyteti i Gajtanit, Kalaja e Danjës. Qyteti përshkruhet në shumë shkrime dijetarësh të huaj dhe arkeologësh që e kanë vlerësuar si zonë trashëgimie të kulturës ilire, e ku germimet në rrënojat e tij vijojnë edhe sot, pasi ende ka shumë për tu zbuluar.
Qyteza e Sardës deri në fund të shekullit 15 ka qënë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, të kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës, të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra- tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm. Sarda dikur një qytezë përbri Drinit, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes të madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin mbretëror;
sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike. Kisha e Shen Pjetrit, e arkitekturës Romake që i perket shekullit 7 – 8, është një prej komplekseve të objekteve të kultit të krishtere që gjenden në këtë zonë. Uji i liqenit, malet dhe kodrat përreth me gjelbërimin e tyre, krijojnë një Peizazh me bukuri të rrallë, duke i dhënë këtij ishulli vlera të mëdha ekoturistike.
Të shumtë janë të rinjtë vendas e të huaj, por edhe banorët e zonës që shfrytëzojnë këto bukuri për tu freskuar në vapën përvëluese të stinës së verës. Në vitin2000 nisi frekuentimi dhe njohja më shumë e kësaj zone dhe vitet e fundit përveç numrit të lartë të vizitoreve, ka nevoja edhe për ndërhyrje thotë drejtuesi i shoqatës “Sarda”. Vetë emri i saj i transformuar më vonë në Shurdhah ka origjinë Ilire siç dëshmohet nga qyteti i Sardis. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të dy anët e drinit nga liqeni i Shkodrës deri ne Kukës.
Me ambiente sanitare, pra ka pasur tualete në atë periudhë , me oborre të brendshme të ndërtuar me gur të latuar, teknikë pak a shumë vendeciane të mbuluar me rasa ose me tjegulla që janë tipike për stilin roman dhe që janë të pranishme sigurisht edhe në kishën e Shurdhahut. Sipas të dhënave qyteti jetonte përmes tregëtisë, ndërsa një rëndësi e veçantë i kushtohej edhe bujqësisë duke pasur parasysh që dikur tokat që sot janë nën liqen, kanë qenë shumë pjellore.
Porta e dytë ishte ajo që siguronte drejtuesit duke iu dhënë një mundësi të dyfishtë për të përballuar një sulm të mundshëm armik. Ishte një portë që mbante të ndarë edhe qytetarët e thjeshtë nga prijësit e tyre. Disa nga gojëdhënat thonë që kjo portë quhet ndryshe edhe “porta e kunorës”. Gërmimet e bëra më 1967-1970 zbuluan banesa, kisha dhe objekte të tjera arkeologjike.
Në qafë të kodrës u zbulua një varrezë arbërore e shek.VI-VII. Qyteti me një sipërfaqe 4.8 ha ka qenë i fortifikuar me dy mure, që rrethonin përkatësisht qytetin e poshtëm dhe atë të sipërm. Sarda lindi në pragun e mesjetës si një vendbanim i vogël dhe u zhvillua në shek.XI-XII si një qytet tipik mesjetar. Me pushtimin osman më 1491 Sarda u shkatërrua dhe nuk u rimëkëmb më. Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike.
Në të gjenden rrënojat e një kalaje antike romake dhe një numër objektesh të tjera me vlerë për t’u vizituar, që i përkasin shek. të XI-të. Sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, Sarda është kthyer në një ishull interesant dhe në një vend që të fton ta vizitosh.