Pse Shkodra duhet bërë kryeqytet i Shqipërisë, telegrami i Princ Vidit publikohet në gazetën franceze më 8 marsit 1914

Një material i prezantuar në Dars (Klos), Mat – Albania, hedh dritë jo vetëm për një nga përçapjet më legjitime, jo vetëm të shkodranëve por krejtkujt që ka dasht me pa dhe me ndigju zashëm dhe dinjitoz zanin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

 

Aurenc Bebja, Francë zbardh një fakt shumë domethënës që ka lidhje me një fakt që ka mbetur dilemë atë ditë e sot, se pse pikërisht u zgjodh Tirana të ishte krueqyteti i shqiptarëve.

 

Pikëpyetje dhe dilema të pafundme janë ngritur dhe ngrihen edhe sot.
Gjithsesi, kjo i përket të shkuarës dhe çdo diskutim është i pavend dhe retorikë boshe. Por ky telegram, ky material që vjen i bradhur vetëdijëson se pse meritonte Shkodra të ishte kryeqytet i shqiptarëve.Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të dielën e 8 marsit 1914, në faqen n° 2, telegramin e shkodranëve drejtuar Princ Vidit me qëllim që qyteti i tyre (djep i historisë, kulturës dhe traditës shqiptare) të bëhej kryeqendra e Shqipërisë.
Çfarë përmban më konkretisht ky telegram? Si e kanë justifikuar këtë kërkesë shkodranët? Kush e ka firmosur?

 

Në vijim do të gjeni dokumentin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”: “Ne kemi marrë nga Shkodra telegramin më poshtë:

 

Sot, të bashkuar në mënyrë spontane në qytetin tonë prej 30 000 banorësh të Shkodrës, të zonave dhe maleve përreth dhe duke pasur parasysh vetëm interesin dhe të mirën e kombit dhe të shtetit shqiptar, zhvilluam një takim për të kërkuar që Shkodra të bëhet kryeqytet i Shqipërisë.

 

Pasi dëgjuam fjalimet e oratorëve të ndryshëm, ne kemi vendosur njohjen e plotë të Princ Vidit si mbret të Shqipërisë, i cili sapo është zgjedhur nga Evropa dhe kurorëzuar mbret nga populli shqiptar.

 

Ne i urojmë mirëseardhjen mbretit tonë në tokën shqiptare, i ofrojmë atij shërbimet e shqiptarëve besnikë dhe të virtytshëm, i betohemi për nënshtrim, bindje dhe besnikëri.

 

Në emër të banorëve të Shkodrës, të zonave malore të Malsisë, Mirditës, Dukagjinit, të një pjese të Kosovës, të zonave përreth Shkodrës e deri në dalje të detit, që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të Shqipërisë, kërkojmë që Shkodra të bëhet kryeqytet i shtetit tonë për arsyet në vijim:

 

Qyteti, i famshëm dhe historik kujtimesh dhe luftëtarësh të vjetër shqiptarë, është më i forti, më i madhi, më i bukuri dhe më i shëndetshmi nga të gjitha qytetet e Shqipërisë aktuale.

 

Shkodra është qyteti i vetëm në Shqipëri që ka ndërtesat më të nevojshme për sovranin, për zyrat e shtetit, për ushtrinë kombëtare, për ministrat dhe konsujt e huaj, për ministritë e qeverisë, etj. Në mënyrë spontane, ajo vë këto ndërtesa në dispozicionin e shtetit, pa qenë nevoja që ky i fundit të shpenzojë miliona për ndërtimin e godinave të cilat janë të domosdoshme.

 

Shkodra, me të cilën janë të lidhura të gjitha malet e Shqipërisë luftëtare, është strategjikisht qyteti më i madh i Shqipërisë, rrethimi i fundit i saj e ka dëshmuar si qytetin më të famshëm në botë për forcën dhe rezistencën luftarake, sepse ajo rezistoi më shumë se çdo qytet tjetër dhe nuk ra me forcën e armëve në duart e armikut.

 

Shkodra, kryeqytet i Shqipërisë, e fortifikuar ashtu siç duhet, ushtarakisht dhe strategjikisht, do të jetë, me liqenin, lumenjtë dhe kodrat që e rrethojnë, aq e fortë sa asnjë ushtri e madhe nuk do të mund ta pushtojë, qoftë edhe pas shtatë vjetësh rrethim, ashtu si nuk mundën ta merrnin, pas shtatë muajsh, ushtritë e dy vendeve ballkanike.

 

E gjithë Shqipëria është sot dhe do të jetë gjithmonë katër herë më e lehtë për t’u pushtuar, nga kushdo, se qyteti i Shkodrës, i mbështetur dhe i përkrahur nga besnikëria e të gjithë shqiptarëve.

 

Shkodra, nëse nuk bëhet kryeqytet, do të jetë në rrezik për t’u shkëputur nga atdheu. Me qytetin e Shkodrës, do të shkëputen të gjitha zonat përreth, të cilat me të formojnë pjesën kryesore të Shqipërisë.

 

Natyrisht, ndarja dhe shkatërrimi i të gjithë atdheut tonë është në dyshim. Kryesisht, për këtë arsye, Shkodra dhe banorët e saj të bashkuar u bëjnë thirrje qyteteve të Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, të gjithave krahinave shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve që e duan atdheun e tyre që të jenë mbështetës të kësaj kërkese.

 

Prandaj, ajo i lutet Madhërisë së Tij Mbretit të shqiptarëve dhe të kombit shqiptar që të marrë parasysh në mënyrë favorshme këtë kërkesë.

 

Rroftë mbreti i shqiptarëve ! Rroftë Shqipëria e pavarur ! Rroftë Shkodra kryeqytet!

 

Ky telegram është nënshkruar (firmosur) nga komiteti organizues, i cili përfshin Kryepeshkopin, Kryetarin e Komunës dhe parësinë e Shkodrës.”

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME