Vjedhjet në Shkodër mbeten një problem shqetësues duke qenë se numri i tyre është në rritje. Një tjetër rast është shënuar këtë radhë në hyrje të qytetit të Shkodrës. Një banesë dykatëshe mes pallateve është tentuar që të vjedhet.
Ajo ndërtesë është në pronësi të shtetasit Fatmir Kola i cili prej disa vitesh jeton në Belgjikë bashkë me familjen e tij. Fatmir Kola është larguar nga Shkodra duke emigruar pas një ngjarje të ndodhur. Familja e tij fillimisht u ngujua dhe më pas emigroi drejt Belgjikës ku ndodhen prej rreth 8 vitesh.
Duke parë se në shtëpinë e tij nuk jeton askush hajdutët kanë menduar që të futen brenda. Autorët kanë menduar se brenda shtëpisë familja Kola ka lënë ose para ose sende me vlerë. Në fakt e gjithë kjo tentativë e hajdutëve ka rezultuar e pasuksesshme për shkak se brenda shtëpisë nuk ka patur asgjë me vlerë.
Hajdutët kanë kontrolluar të gjithë shtëpinë por pa gjetur asgjë çfarë kanë dashur. Mendohet se autorët kanë kapërcyer murin rrethues dhe nga pjesa prapa ndërtesës kanë thyer xhamin. Më pas kanë dëmtuar edhe hekurat e dritares dhe kanë arritur që të futen brenda.
Pasi kanë kontrolluar dhe nuk kanë gjetur asgjë janë larguar sërish. Një komshi aty afër që e mbikqyr atë shtëpi pasi është futur si zakonisht për ta prë ka vërejtur xhamin e thyer të dritares.
Menjëherë është njoftuar policia të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Deri më tani ende nuk ka ndonjë ide për autorët ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.