Shkodra është ndoshta, palca e kurrizit për Shqipërinë; aq genuin e i pazëvendësueshëm është kontributi i këtij qyteti në botën shqiptare, në historinë antike e moderne, në sport e kulturë, në idealizëm e civilizim.
Qysh prej Teutës te Marie Kraja, prej Barletit te Fishta e Migjeni, prej Pjetër Marubit te Serafin Fanko, e prej Oso Kukës te Vojo Kushi e Arben Broci, e prej secilit burrë e grua të atij qyteti e deri te zogjtë e Shkodrës të shpërndarë në katër anët e botës, Shkodra ka përcaktuar gjithmonë drejtimet.
Kaq do të ishte mjaft për ta nisë me Shkodrën paraqitjen e qyteteve shqiptare në revistën Travel. Mirëpo Shkodra është një qytet unikal në Shqipëri edhe për pozicionin gjeografik: i shtrirë mes tre lumenjve (Kir, Drin, Bunë) dhe Liqenit të vet, qyteti është gjithashtu vetëm pak kilometra nga deti Adriatik, e po ashtu, pak orë larg nga zemra e Alpeve Shqiptare, Thethi.
Me një lartësi mesatare prej 10-12m mbi nivelin e detit, mbi trup të Shkodrës ngrihen kodra të buta e të gjelbëruara, që pastrojnë ia mushkëritë qytetit. Prandaj, i dashur vizitor, kur të nisesh për në Shkodër, do të të duhet kohë, sepse Shkodra s’është dashnore për një natë, por shtojzavallja që t’i merr mendtë e të shplodh në një muaj mjalti.
Gjeografia e klima
Shkodra shtrihet në një fushë të gjerë në veriperëndim të Shqipërisë, në kordinatat gjeografike: 190 30’ 42” (gjerësi) dhe 450 03’ 05” (gjatësi) dhe me sipërfaqe të përgjithshme mbi 16.000 ha (16 km2). Qyteti rrethohet nga ujërat e lumenjve dhe liqenit. Kështu: nga lindja me një rrugëtim 43 km vjen Kiri, i cili tretet në Drin në jug të qytetit, ndërsa Drini vetë bashkohet me Bunën –i vetmi lum i lundrueshëm në Shqipëri – që derdhet në detin Adriatik pas 44 km gjarpërimi nëpër fushën e Nënshkodrës.
Në perëndim dhe veriperëndim më i madhi në Ballkan shtrihet Liqeni i Shkodrës, me thellësi nga mesatare 7-10 e maksimale 44 m, e me sipërfaqe totale 369 km2, e cila ndahet mes Shqipërisë (149km2) dhe Malit të Zi. Vija e bregut të liqenit është e barabartë me atë të vijës bregdetare të plazhit të Velipojës: mbi 14 km. Sa i takon kodrave, ato e rrethojnë qytetin nga ana lindore dhe jugore, në lartësi nga 110 deri në 130. Më e famshmja është kodra e Kalasë Rozafa, në jugperëndim.
Më tej, në horizont ngihet Cukali (1.722 m), Maranaj (1.576 m), Sheldia (mali Sardonik i Barletit; për nga Shurdhahu) dhe Taraboshit (rreth 700 m) në perëndim dhe deti Adriatik. Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nepër lumenjtë e tyre si Shala e Cemi.
Klima e Shkodrës është mesdhetare fushore, me gërshtime të natyrave detare e kontinentale. Dimri është i butë dhe i laësht, vera e nxehtë dhe e thatë. Temperatura mesatare vjetore është 15.3° C. Ka rreth 2600 orë me diell në vit, ndërsa rreshjet e shiut shkojnë nga 1700-2500 mm në vit. Lagështia e ajrit 66%, ndërsa shpejtësia e erës 25-45 m/s.
Popullsia, njerëzit Popullsia e qytetit të Shkodrës është homogjene. Duke konsideruar shtimin natyral që pas regjistrimit të vitit 2003, qyteti mund të ketë aktulisht mbi 115.000 banorë. Rritjen më të ndjeshme ajo e ka arritur pas vitit 1960, rrjedhim i rritjes natyrale, 18/00 të popullsisë dhe i lëvizjes nga fshati në qytet. Dendësia mesatare e popullsisë arrin 135 banor/km2 . Jetëgjatësia mesatare rreth 70 vjeç. Popullsia qytetare arrin 44 %. Nga ana administrative, Shkodra është qendër e prefekturës (qarkut), e cila përfshin edhe rrethet e Pukës e të Malësisë së Madhe. Rrethi i Shkodrës ka në administrim dy bashki dhe 16 komuna.
Njerëzit në Shkodër janë shumë të komunikueshëm, me humor e tepër dashamirës. Edhe pse qyteti bën pjesë në njërën prej zonave më të varfëra të Shqipërisë, shkodranët janë bujarë, mikpritës dhe harxhues të mëdhenj, aq sa përshtypja e përgjithshme është se shkodranët janë të dhënë pas qejfit. Ata nuk shfaqin shenja racizmi, ksenofobie, intolerance fetare apo politike, pavarsisht se prej kohësh qyteti nuk ka ndërruar ngjyra politike. Shkodranët janë ngandonjëherë indiferentë me njëri-tjetrin, por bëhen shpejt solidarë edhe me të huajt, sa herë paraqitet nevoja.
Transporti e kostot Shkodra ka rreth 120 km rrugë të brendshme. Vetë qyteti ndodhet rreth 99 km larg Tiranës, lidhet me Kosovën nëpërmjet rrugës së Kukësit, 170 km, me Malin e Zi nëpërmjet rrugës veriore Shkodër-Hani i Hotit – 40 km, nëpërmjet rrugës Shirokë-Zogaj – 16 km dhe rrugës së Muriqanit – 15 km. Me Alpet e Veriut lidhet nëpërmjet rrugëve: Malësi e Madhe – 65 km, Dukagjin – 40 km, Pult – 30 km, Shllak – 25 km, Vig – 40 km. Shkodra është larg Razmës rreth 42 km, larg Bogës 48 km.
Larg Velipojës 29 km. Dhe fare pranë ka Shirokën dhe Zogajt me 3-9 km. Shkodra është e lidhur me rrjetin e brendshëm hekurudhor si dhe me atë ndërkombëtar nëpërmjet Stacionit të Hanit të Hotit – 35 km. Qyteti lidhet me Portin e Durrësit me rrugë automobilistike, 131 km, me portin e Shëngjinit – 55 km dhe me aeroportin e Rinasit – 95 km. Transporti publik brenda qytetit mbulon linjën Bahçallëk-Fermentim. Transporti i udhëtarëve ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe shumicës së komunave mbulohet nga mjetet e transportit te udhëtarëve të tipit furgon.
Shërbimi postar në Shkodër realizohet nga Posta Shqiptare, e cila kryen dërgim dhe marrje për letra, koli, shtypshkrime, urdhra dhe pagesa ndërkombëtare me disa shtete, këmbim valute etj. Në Shkodër ekzistojnë dhe shërbimet postare të DHL dhe UPS, si dhe transfertat e parave Western Union, Moneygram etj.
Origjina e historia SΚΟΔRΙΝΩΝ (latinisht Scodra), mund të interpretohet si shko Drin (shko Drinon). Tjetër variant është ai i turqve, që të befasuar nga betejat e luftëtarëve vendas, menduar se shkodranët ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh (Skënderi, sipas tyre) dhe e quajtën qytetin me emrin İşkodra ose Işkenderiyye.
Megjithatë, zona përreth vendit ku shtihet qyteti është banuar që në kohët parahistorike, sepse janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Këto gjetje arkeologjike ruhen në Muzeun e qytetit etj. Qyteti vetë është ndërtuar përgjatë shekullit IV p.k. Rrëzë kodrave të Tepes, në jug të qytetit, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (2000 p.k).
Në shekullin V – IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytetit me emrin Scodrinon që në vitin 230 p.k.
Sllavët e bëjnë kryeqendër shtetit të Zetës në shek. Xl. Në shekullin XIV, qendër autonome dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut. Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon Shkodrën me 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar.
Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1.600 vetash i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Perëndim në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër e Pashallëkut të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi të krijojë një principate të pavarur shqiptare, por u shtyp nga turqit. Më 1865 kalaja braktiset si banim, sepse lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Më 1878 Shkodra ndihmon Lidhjen e Prizrenit duke dërguar ushtritë e saj në shtritë mbrojtjen e trojeve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit e Tivarit.
Në dimrin e 1912-1913, për gati 7 muaj, Shkodra e udhëhequr nga komandanti turk Hasan Riza Pasha, i bën ballë sulmit çnjerëzor të ushtrisë malazeze. Më pas, edhe austriakët e pushtojnë qytetin përpara se Kongresi i Lushnjës i 1920 ta përfshijë Shkodrën në juridiksionin e shtetit të ri shqiptar. Deri përpara pushtimit fashist, qyteti ishte një industri kryesisht ushqimore dhe të çimentos, por ardhja në pushtet e komunistëve pas Luftës së Dytë Botërore, i dha Shkodrës në goditje të rendë, sidomos në planin kulturor e shpirtëror.
Ironia e regjimit shkoi deri në hapjen në Shkodër të të vetmit Muze Ateist, pak kohë pas mbylljes me forcë të institucioneve fetare dhe persekutimit të klerit. Megjithatë, ishte po Shkodra, që më 4 nëntor të vitit 1990, çoi meshën e parë, 23 vjet pas ndalimit të fesë, meshë e cila është cilësuar si paraprijëse e ndryshimeve demokratike në Shqipëri.
Kultura e trashëgimia Shkodra i ka paraprirë qytetërimit shqiptar duke qenë në të njëjtin hap me qytetërimin botëror. Mendjet e ndritura nga ky qytet kanë shkruar gjuhën e historinë, kanë lëvruar artet e dijet e kohëve, aq sa përkufizimi më i rëndomtë për Shkodrën është “djepi i kulturës”. Në Shkodër nisin të shkruhen librat e parë, të këndohen këngët e para, të luhen dramat e para, të bëhen fotot e para, të shfaqen filmat e parë, të luhet së pari futboll, të dëgjohen pianot a para nëpër shtëpija, të kompozohen operat e para,… Gjenezë. Shkodra është gjeneza.
Në Shkodër u formuan humanistët e parë Marin Barleti e Marin Biçikemi. Në vitet 20-30 të shekullit XX, letërsisë i vijnë si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni e Ernest Koliqi. Në fillim të shekullit XX, Shkodra kishte 26 piano. Koncerti i parë sinfonik i dhënë në Shkodër ka qenë “Sinfonia e pambaruar” e Shubertit. Pikërisht në Shkodër, më 1958, u vu në skenë opera e parë shqiptare, “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova, e ndër pitorët më të shquar është Kolë Idromeno.
Aktualisht, Shkodra ka shumë monumente e institucione të kulturës, arsimit e besimit, sipas periudhave. Të periudhës së antikitetit e mesjetës janë: Kalaja e Rozafës, muri rrethues i qytetit antik (i periudhës romake), Muzeu i kështjellës, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit, Sahati i Inglizit, Ura e Mesit.
Ndërsa në pjesën e re të qytetit janë këto objekte kulti e institucione fetare, disa të ringritura pas viteve ‘90: Xhamia “Ebu Beker”, Xhamia e Perashit, Katedralja e Shkodres, Kisha françeskane, Kisha orthodokse, Medreseja “Sheh Shamia”, Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan, Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi “At Pjetër Meshkalla”, Instituti Katekistik Shqiptar etj. Ndër institucionet arsimore dhe kulturore përmendim:
Universitetin “Luigj Gurakuqi” i themeluar më 1957, Bibliotekën “Marin Barleti”, Fototekën unikale “Marubi”, Teatrin Migjeni, Muzeun e Qytetit etj. Shkodra ka gjithashtu stadiumin “Loro Boriçi”, i dyti në vend për nga madhësia.
Për të vizituar
Qyteti i Shkodrës falë vlerave që mbart, por edhe falë shtrirjes në mes të një diversiteti të jashtëzakonshëm natyror, vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit dhe ofron turizëm të shumllojshëm, nga ai kulturor, historik, bregdetar, liqenor, lumor e malor e i aventurës, që nga Velipoja në Adriatik, Shiroka e Zogaj buzë liqenit, Sarda në Vaun e Dejës e deri në Razëm, Shkrel, Bogë e Theth, në Vermosh, nëpër Malësi e shumë pika të tjera.
Kalaja Rozafa /200 lekë Kalaja Rozafa është monumenti historik më i vjetër. Ngrihet mbi një kodër strategjike, në takim të lumenjve Drin e Buna në jug e me pamje të lirë mbi Liqenin e Shkodrës në veriperëndim, për të kontrolluar fushën nga deti në perëndim, si dhe në lindje, kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit. Legjenda thotë se kalaja u ndërtua nga tre vëllezër: që ajo të qëndronte në këmbë, ata u detyruan të murosnin gjallë gruan e vëllait më të vogël, e cila pranoi të sakrifikohej, duke kërkuar që t’i linin pa u murosur gjirin e djathtë për të ushqyer fëmijën dhe dorën për ta përkëdhelur e përkundur djepin.
Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet e hershme të pellgut të Shkodrës, i banuar rreth 4000 vjet më parë. Brenda mureve rrethues ka një sipërfaqe rreth 3.5 km2. Perimetri i mureve është 881 m. Kështjella ndahet në tre oborre. Më i rëndësishmi është i fundit ku kishte qendrën kapiteneria, ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shek. XV. Në sistemin fortifikues një rol të rëndësishëm luan sistemi i kalimeve të fshehta, të nëndheshme.
Në vitet ’80, kalasë i është bërë një restaurim i përgjithshëm. Brenda mureve antike ka edhe një muze, kushtuar historisë dhe legjendës së kalasë. Deri te porta kryesore mund të shkohet me makinë, përmes një rruge pjesërisht të asfaltuar e pjesërisht me kalldrëm.
Ura e Mesit, ngrihet mbi lumin Kir, pranë fshatit Mes, rreth 6 km larg qytetit të Shkodrës. U ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Ura është e gjatë 108 m, e gjërë 3.4 m dhe përbëhet nga 13 harqe guri. Harku më i madh ka hapësiren 21.5 m dhe lartësi 12 m. Ajo deri vonë ka shërbyer për të lidhur qytetin e Shkodrës me Drishtin.
Hamami i qytetit, fare pranë qendrës së tij, është një banjo publike e ngritur në vitin 1793, me skemë të plotë funksionale. Pjesa kryesore është ajo me kupolë, që përbëhet nga mjedisi i zhveshjes, ai i djersitjes, nga dy të tjera për larje, si dhe depozita e ujit, nën të cilën është vendosur furra.
Rruga karakteristike. Është ndërtuar në fillim të shekullit të XX. Bën pjesë në zonën muzeale të qytetit. Ajo ruan vlera të rëndësishme të veprimtarisë ndërtimore të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX dhe është dëshmi e zhvillimit ekonomik të qytetit për atë periudhë.
Shtëpitë karakteristike. Në mesin e shekullit XIX në qytetin e Shkodrës fillojnë të ndërtohen banesa me çardak me disa variante (me çardak në të gjithë ballin e me çardak në një krah).
Muzeu historik. Muzeu është vendosur në një banesë karakteristike, e ndërtuar rreth çerekut të fundit të shekullit XIX, që ruan edhe vlera arkitektonike e historike, pasi është shtëpia e Heroit Popullor, Oso Kuka.
Fototeka “Marubi” /150 lekë Në vitin 1858 këtu u stampua fotografia e parë, e cila lidhet me emrin Marubi. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore, duke i dhënë artit shqiptar një koherencë me fytyrën e një qytetërimi modern. Në vitin 1971, u krijua arkivi monumental e befasues i fototekës “Marubi”. Aty gjenden mijëra portrete, kompozime, peizazhe, reportazhe etj., ku fokusohen njerëz të thjeshtë, politikanë, kryengritës popullorë, piktorë, pjesë të urbanistikës, arkitekturës, monumenteve të kulturës etj.
Galeria e arteve Një vizitë në Galerinë e Arteve të afron me kulturën e këtij qyteti. Ajo, në fondet e saj, përfshin vepra të autorëve shkodranë dhe të atyre të mirënjohur shqiptarë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Që nga viti 1970 galeria ruan, mbron e ekspozon 700 piktura të autorëve të traditës dhe të ditëve tona.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” U themelua më 25 maj 1991 mbi bazën e Insititutit të Lartë Pedagogjik të hapur më 2 shtator 1957.
Teatri “Migjeni” Teatri profesionist u krijua më 1949 mbi bazën e teatrit amator. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasikë e bashkëkohorë. Veç trupës së teatrit funksionon edhe ajo e estradës, e cila me humorin e hollë, është bërë e dashur për vendësit. Ajo qëndron pranë humorit tradicional të tavolinave shkodrane, të bejtave, karnavaleve që i kanë dhënë emrin “Qyteti i humorit”.