Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar për vitin 2017 , i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 miliionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për lloto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë.
Ironikisht, që prej vitit 2013, kur qeveria nisi me bujë aksionin për të luftuar këtë fenomen, të ashtuquajtur “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit (që nuk është zbatuar akoma dhe shtyhet vazhimisht) , marrëzia vetëm është shtuar dhe industria ka shënuar rritje dy shifrore vit pas viti.
Në 2016-n, zgjerimi ishte 15%, ndërsa edhe në 2018 vlerësohet që ajo do të rritet ndjeshëm për shkak të Kampionatit Botëror dhe shtimit të pikave të lotove e basteve, që po shtrihen në të gjitha qytetet e vendit, duke zëvendësuar baret e lokalet tradicionale.Në të kundërt, kompanitë e basteve sportive kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa kampionate botërore apo europiane, i ndikuar nga shtimi i pikave nëpër qendrat e qyteteve.
Por, ndërsa shqiptarët ngurrojnë të sigurojnë jetën, shëndetin, apo shtëpinë, ata nuk hezitojnë që të lënë miliona në kërkim të fatit të shpejtë.Star Plus e ka trajtuar disa herë përmes kronikave të lajmeve këtë fenomen i cili po rrënon ekonominë e shqiptarëve.