Vllaznia pret të njohë edhe drejtuesit e rinj teknikë të saj. Gjithçka duket vetëm çështje kohe, ndërsa mësohet se emrat e drejtuesve të rinj janë drejt përzgjedhjes përfundimtare.
Alban Hasani në postin e drejtorit sportiv dhe Edi Martini në postin e trajnerit të skuadrës duket se janë drejt zyrtarizimit.
Nga sa mësohet, për Hasanin në postin e drejtorit sportiv duket se ka shumë pak kandidatë për të mos thënë se nuk ka asnjë emër të njohur që mund të garojë përballë tij.
Burime të gazetës bëjnë të ditur se prej kohësh duket alternativa më e denjë për këtë post. Një post të tillë Hasani e mban prej kohësh në akademinë Vllaznia.
Puna në këtë akademi tani është e matshme dhe fitimi i titujve dhe nxjerrja e disa lojtarëve cilësorë kanë bërë që ajo të renditet ndër akademitë më të mira në Shqipëri.
Pa dyshim që një pjesë të meritës ka edhe Hasani. Ndërsa, më ndryshe duket çështja në lidhje me trajnerin e ri.
TRAJNERI – Për këtë post, kandidatët për të marrë drejtimin e Vllaznisë janë të shumtë. Një numër i konsiderueshëm ish-trajnerësh të skuadrës, por edhe ish-futbollistë të saj ndër vite kanë kërkuar të drejtojnë këtë skuadër, pavarësisht se ekipi do të luajë në Kategorinë e Parë.
Por, nga gjithë kjo mori emra trajnerësh me eksperiencë apo edhe pa eksperiencë, duket se personat e futbollit që janë pjesë e klubi Vllaznia, Suad Lici si administrator dhe Admir Teli si pjesë e bordit drejtues të tij, kanë përzgjedhur si emrin më të mundshëm, atë të Edi Martinit.
Një përzgjedhje e tillë është përkrahur edhe nga anëtarët e tjerë të bordit, por tanimë pret edhe një miratim të fundit nga ana e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi.
Me sa duket, dyshja Hasani e Martini do të jenë emrat e përzgjedhur për të drejtuar teknikisht ekipin e Vllaznisë në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë ku objektivi do të jetë ngjitja në Superiore.
Një tjetër emër si kandidat për stolin e Vllaznisë është edhe Hasan Lika, i cili disa ditë më parë në prononcimin e tij për gazetën deklaroi se ka akord me shkodranët.
Për të dy këta emra, nëse do të zyrtarizohen, Hasani dhe Martini, puna do të jetë e vështirë edhe për vetë faktin se koha sa vjen dhe limitohet për të ndërtuar dhe për të stërvitur atë skuadër që të gjithë presin. Duhet thënë se Vllaznia është shumë vonë me nisjen e punës për sezonin e ri.