E RRALLË: GJYSHJA 103 VJEÇE MERR PJESË NË SEMINARIN PËR ZHVILLIMIN RURAL

Ka mbush plot 103 vjeç dhe mbahet me shëndet të plotë, me shtatin si selvi, me teshat bilur të pastra, siç e kan zakon loket mirditore, personi që vjen nga thellësitë shekullore, sot e mot vazhdon të shërbejë si boshti kryesor rreth të cilit vazhdon të sillet familja e madhe që me djem, nipa e mbesa shkon tek numëri 28-të, ku 16 pjesëtarë të kësaj dere punëtorësh e mikpritësish kanë mbaruar shkollën e lartë .

Por, Gjela Doda, atje në Tenë të Malajve, sot nuk ka preferuar të rrijë e meditojë mbi vitet e ngjarjet që e kanë ndjekur në jetë, siç bëjnë të moshuarit e kësaj dynjaje, e vetme e ulur në gurin e caranit brenda shtëpisë, por të jetë pjesëmarrëse e workshop-it të organizuar në oborrin e hijshëm të kullës së saj, për të dëgjuar më të rinjtë e tryezës, dhe brezat e ndërthurur, që japin e marrin me idetë e tyre për të zhvilluar sektorin rural në Mirditë.

Edhe pse flitet me ndonjë term shkencor, që ngërthen universin, sërish, ajo me heshtje duket se na mëson se këmbët, më së pari, duhet t’i mbështesim mbi traditën, mbi këtë tokë, këto rrasa e male, që e kanë bërë mirditasin e moçëm të mbijetojë me kullën e vet në majë të krepit.
Më kishte marrë malli për takime të tilla!
Jetofsh sa më gjatë gjyshemira, nanë Gjela!…

***********

GERTA, në Tenë (Malaj) për animimin e zhvillimit rural

-Një tryezë pune në fermën e Preng Dodës, aty ku dijet, djersa dhe mundi i gjithe familjes janë përkthyer në produkt efikas agropërpunues –

Gerta Loku (Tushaj), eksperte dhe sipërmarëse e njohur tashmë ne sektorin e zhvillimit rural, shpalosi në mënyrë shumë origjinale në një oborr kulle në Tenë (malaj) projektin për animimin e zhvillimit rural në komunitet lokale të bashkisë Mirditë, ku ishin ftuar disa fermerë dhe punonjës nga sektori përkatës në bashki.

Fillimisht drejtuesi i kësaj ferme agropërpunuese, mësuesi i njohur Preng Doda, ka bërë një guidë spjeguese në gjithë territorin e fermës së tij, të pasur me disa llojë pemësh dhe produkte bujqësore. Një vreshtë e pamatë, që prodhon qindra kv verë e raki, me varietete rrushi autokton si dhe një vreshtë e bërë rishtas ndërthurur me parcelën e sherbelës medicinale; parcela me arra, dhe pemë të tjera të zonës e deri tek ulliri apo kivi.

E llojit të vecantë vinte dhe kantina e verës në bodrum si dhe mjetet motorrike të përdorura me grante të fituara prej 26 vitesh, krijimi i mundësive për ujitje përmes një rezervuari të kondiserushëm me ujë të sjellë nga mali si dhe arsenali përkujdesor gjithëstinor përmes një farmacie bujqësore tejet të pasur.

E gjithë familja është angazhuar në këtë sipërmarje agropërpunuese, qoftë ata që jetojnë në fshat apo qytet por dhe të tjerë që punojnë në emigrim. Një oaz premtues, konceptuar dhe ndërtuar mbi kritere shkencore dhe mbështetur në traditën e hershme, e gjitha krijon rrathët koncentrikë rreth kullës shekullore, e cila po përshtatet edhe si nyje e forte kujtese dhe zhvillimi, që do i shërbejë kësaj ferme të agroturizmit nën emrin e familjes Dodaj në Tenë (Malaj).
Duke shpalosur projektin, Gerta, u ka theksuar të pranishmëve disa momente kyçe që kanë të bëjnë me një këndvështrim europian të zhvillimit rural të fermave në Mirditë.
Ajo ka theksuar më së pari Planin Lokal të Veprimit si fazë e parë e punës, plan veprimi ky që financohet nga programi europian LEADER+.
Në bazë të kritereve të parashikuara nga BE, theksoi ajo, Mirdita i ka të gjitha karakteristikat e mundshme për të pasur dhe krijuar e më vonë absorbuar fonde duke krijuar Grupe Lokale të Veprimit tejet aktive.
Faza e dytë është ajo e dakortësisë në shpërndarjen e financimeve të përthithura nga PLV.
Dhe faza e tretë, ajo e realizimit të projekteve në parashikuara në Planin Lokal të Veprimit.

Ajo ka theksuar faktin se zhvillimi lokal efektiv kërkon dialog konstruktiv, partneritet ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Komunikim dhe bashkëpunim, solidaritet dhe rritje të besimit ndërmjet aktorëve në bujqësi.
Nxitja e niveleve tripalëshe, sipas modelit që promovon dhe politika e BE-së-krijimi i grupeve lokale të veprimit në bashkinë e Mirditës, si një investim afatgjatë dhe proçes gjithëpërfshirës.
Ndër të tjera u vendos që takime të tilla të organizohen dhe në fshatra të tjera ku ka ferment të pasur të fermave agropërpunuese etj.
U tha që në Festën e Arbërit, që do organizojë Bashkia Mirditëm ky partneritet, por dhe AgroMirdita, do të paraqiten me produktet e tyre si në Rrëshen dhe më pas në atë “Shqipëria Punon Tokën” në Tiranë, në muajin tetor. Mirdita rurale ka nevojë të promovohet, pasi është ndër të metat kryesore të mbarëvajtjes së këtij sektori jetik të zhvillimit.

Përgjatë këtij ëorkshop-i, të pranishmit shijuan produket e fermës Doda si verën, rrush tavoline, fiq të bahçes, qershi te përpunuara si komposto etj.etj.

(Gj. Marku)

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME