Pas dy javë përgatitjesh, ekipi I Vllaznisë do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore. Ditën e shtunë do të luhet ndaj Veleçikut të Koplikut, skuadër e cila siç dihet, merr pjesë në të njëjtën kategori me kuqeblutë në sezonin e ri.
Kjo miqësore do t’u shërbejë trajnerëve Hasan Lika dhe Besnik Duli për të parë gjendjen e ekipeve të tyre dy javë përpara nisjes së ndeshjeve zyrtare.
Po ashtu, edhe për të parë gjendjen e futbollistëve që janë bashkuar kohët e fundit me to. Në fakt, si tek Vllaznia ashtu edhe tek Veleçiku, ka patur ndryshime.
Tek skuadra shkodrane janë disa futbollistë që kanë ardhur në provë nga jashtë vendit dhe po ashtu edhe të tjerë nga ekipi B apo ai U-19 që kërkojnë një vend. Edhe tek koplikasit ka patur ndryshime.
Me Veleçikun janë bashkuar ditët e fundit portieri Vjerdha dhe mesfushori Markolaj, dy futbollistë që kanë qenë pjesë e Vllaznisë B sezonin e kaluar.
Natyrisht që asgjë nuk ka përfunduar dhe në ditët e ardhshme mund të ketë të tjerë lojtarë që do të bashkohen si me njërën ashtu edhe me tjetrën skuadër.
Trajneri Hasan Lika ka bërë të ditur se deri në ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Korabit më 9 shtator, Vllaznia do të zhvillojë 2-3 miqësore.
E para është kjo ndaj Veleçikut dhe tashmë duhet të presim se kush do të jetë kundërshtari I rradhës pas tij.
E rëndësishme është që ekipi të marrë formën e duhur sa më shpejt dhe të plotësohet me lojtarët e duhur sepse kampionatit pritet të jetë I fortë dhe rikthimi në Superligë nuk do të jetë i lehtë.