Prej pak ditësh ka nisur në Budapest të Hungarisë Kampionati Botëror i boksit për 18 vjeçarët. Në këtë eveniment shumë të rëndësishëm, siç ju kemi bërë të ditur merr pjesë edhe boksierja shkodrane Elsidita Selaj.
Ajo ka zhvilluar ndeshjen e parë pasditen e sotme dhe e ka nisur mbarë. Përballë saj ka qenë një boksiere nga Australia por boksierja jonë e ka dominuar ndeshjen në të gjitha drejtimet dhe për rrjedhojë në fund gjyqtaria ia ka dhënë asaj fitoren me rezultatin e pastër 5-0.
Në këtë mënyrë, Selaj do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Kampionatin Botëror duke kaluar në turin e dytë. Ndeshja e këtij turi do të zhvillohet nesër dhe përballë do të ketë një kundërshtare nga India.
Trajneri Jetmir Kuçi nga Budapesti për “Shkodra Sport” do të thoshte: “Fitorja e sotme e Elsiditës ndaj kundërshtares nga Australia konfirmoi edhe njëherë potencialet e kësaj sportiste.
Treguam se suksesi në Kampionatin Europian ku zuri vendin e dytë nuk është rastësi. Do të synojmë të shkojmë edhe më tej. Ndaj boksieres indiane do të jetë shumë shumë e vështirë sepse kemi të bëjmë me një sportiste cilësore megjithatë boksierja që unë stërvis nuk do të dorëzohet kollaj.
E rëndësishme është që kjo vajzë vazhdon të na dhurojë fitore në arenën ndërkombëtare dhe kjo gjë duhet vlerësuar maksimalisht nga të gjithë”.
Në rast fitoreje të Selajt ndaj boksieres indiane, sportistja jonë do të futet në zonën e medaljeve edhe në Botëror dhe kjo padyshim që do ishte arritje historike.
/SHKODRA SPORT/